headerphoto

ZGJIDHI MJETET QE PERDOR DHE KESHILLAT QE PRANON

Nga: Jim Mathis
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve te krishtere
28 DHJETOR, 2009


Disa kohë më parë po bisedoja me një dizajner vebsajtesh, i cili bënte be e rrufe se sot të gjithë përdorin Moxilla Firefox si motor kërkues të internetit, prandaj edhe unë duhej të filloja ta përdorja. Sipas tij, Internet Explorer-i kishte dalë jashtë mode, ndaj duhej injoruar.

Kam edhe disa miq, të cilët përdorin kompjutera Mackintosh, që shpesh më thonë se të gjithë sot përdorin ketë lloj sistemi, ndaj unë duhet të heq dorë nga Microsoft Windows.

Nuk e pata të vështirë të bëja ca kërkime dhe më rezultoi se vetëm 8% e atyre që hyjnë në internet përdorin Firefox. Më shumë se 90% përdorin një nga variantet e Internet Explorer-it. Gjithashtu doli se vetëm 7% e tyre përdorin Mackintosh.
Kur mësova se më shumë se 90% e njerëzve përdorin Windows dhe Internet Explorer, mendova se opinionet e të tjerëve duhen marrë me rezerva. Po kështu, edhe unë vetë, duhet të jem i kujdesshëm kur jap opinione sepse shumë gjëra sot janë lehtësisht të verifikueshme dhe faktet mund të dalin kundër opinionit tim.

Tek Veprat 17:11, Bibla thotë kështu për Bereanët, “...këta ishin më fisnikë se Thesalonikasit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse çka thoshtë Pali ishte e vërtetë.” Sipas këtij paragrafi, të studiosh Shkrimet e shenjta për të verifikuar faktet do të thotë të demonstrosh një karakter fisnik.

Nuk duhet të pranojmë symbyllazi atë që na thonë të tjerët, por duhet të bëjmë verifikimet tona. Kjo vlen në çdo fushë: kur marrim vendime për biznesin, financat ose vendime të jetës personale, por më tepër vlen kur marrim vendime në lidhje me çështje shpirtërore. Ndoshta nuk ka shumë rëndësi se cilin motor kërkimi në internet do të përdoresh, por të arrish të kuptosh dashurinë e Zotit dhe faljen që Ai ofron nëpërmjet Jezu Krishtit, kjo është diçka me vlera të përjetshme. Prandaj vendimet që merr nuk duhet të bazohen kurrë në thashethemnaja dhe në opinionet e të tjerëve. Ato duhen ndërmarrë vetëm pasi të lexohet mire libri i burimit – Bibla.

Mbasi bëra atë bisede me dizajnerin e vebsajteve, shkarkova nga interneti Firefox-in dhe pashë që ky motor kërkimi i ka disa përparësi. Megjithatë, Internet Explorer-ii ka edhe ai përparësitë e veta, kështu që unë fillova t’i përdor që të dy, sipas nevojave. Janë mjete kërkimi dhe, sot për sot, nuk ka një mjet universal kërkimi ne internet. Sa më shumë mjete të tillë të kesh në kompjuter dhe sa më shumë t’i përdorësh ata sipas nevojave specifike, aq më mirë është.
Kështu ndodh edhe me procesin e pasurimit shpirtëror. Studimi i Biblës është një mjet i rëndësishëm për të mësuar mbi Zotin. Lutja është një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij procesi, ashtu sikundër janë edhe inkurajimi nga të tjerët që bëjnë pjesë në komunitetin tonë të besimit, të mësuarit nëpërmjet predikimeve dhe fjalimeve në kishë, nëpërmjet leximit të librave etj.

Tri pika për t’i mbajtur mend:
  • Mos beso gjithçka që dëgjon.
  • Përdor të gjitha mjetet që ke në dispozicion.
  • Ji i hapur ndaj asaj që të thotë Zoti.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Kur të nevojitet një këshillë, si e përcakton personin të cilit i adresohesh dhe çfarë bën me informacionin që merr prej tij?
  2. A ke marrë ndonjëherë këshilla prej dikujt që t’i ka dhënë ato me siguri absolute dhe më vonë ke zbuluar se këto këshilla ishin të gabuara? Çfarë pasojash kishe?
  3. Shumë revista biznesi me famë kanë theksuar vlerën e komponentit shpirtëror në punë. Cilat mjete të janë dukur më të dobishme në procesin e pasurimit shpirtëror?
  4. Jim Mathis i referohet Bereanëve të lashtë, të cilët analizuan Shkrimet e Shenjta për të përcaktuar nëse ato që ka thënë apostulli Pal janë vërtetë ashtu. Çfarë mendon për këtë mënyrë të kërkimit të mirëkuptimit shpirtëror? A të duket e dobishme për ty? Shpjegoje përgjigjen.


SHENIM: Në Bibël ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, për më shumë referoju vargjeve si më poshtë:
Jozueu 1:8; Psalme 119:9-11, 105; Filipianeve 4:8-9; 2 Timoteut 2:2, 3:14-17; Hebrejve 10:24-25

DREKAT FALAS DHE DHURATAT E KRISHTLINDJES

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
21 Dhjetor, 2009


Në botën profesionale dhe të biznesit ka një shprehje të njohur: “S’ka gjë me vlerë se sa një drekë falas.” Ti mund të thuash: “Ehuu, sa dreka falas kam ngrënë unë!” Por këtu nuk bëhet fjalë për drekat në kuptimin gastronomik të fjalës.

Përfaqësuesit e marketingut të një kompanie me të cilën bëjmë shumë aktivitet, më ftuan për drekë ku, natyrisht, paguan ata. Por çfarë kuptimi dhe vlere kishte kjo drekë “qyl”? Gjatë asaj dreke, ku para pjatave me gjellëra të shijshme, u zhvillua një muhabet i këndshëm, objektivi final ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dhe shkëmbimi i informacionit reciprok mbi produkte dhe shërbime të reja.
Ti mund të shijosh një drekë “falas” në punë gjatë diskutimit për çështje të rëndësishme të biznesit. Në thelb kompania të paguan ty për kontributin ekstra që jep në atë rast. Pra dreka nuk është edhe aq falas. Ti vërtet nuk paguan ushqimin, por gjatë asaj kohe ti ke marrë përsipër detyrime të caktuara në lidhje me punën.

E ngre këtë çështje sepse mbas pak ditësh ne do të festojmë Krishtlindjen. Tradita e festimit të Krishtlindjes ndryshon nga njeri vend në tjetrin dhe nga njëra kulturë në tjetrën, por megjithatë, në shumicën e rasteve kudo shkëmbehen dhurata. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe përderisa Krishtlindja është e lidhur me emrin e Jezu Krishtit, të cilin Bibla e paraqet si dhuruesin më të madh të të gjitha kohërave.

Gjoni 3:16 na thotë, “Sepse Perëndia aq e deshi botën sa dha birin e tij të vetëm që, kushdo që beson në të, të mos humbasë , por të ketë jetën e përjetshme.” Diku tjetër thuhet, “ Paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë.” (Romakeve 6:23). Një përkthim tjetër i këtij vargu e përcakton atë si “dhuratë falas” nga Zoti. Kjo për shkak se dhurata e faljes dhe jetës së përjetshme jepet falas për të gjithë ata që e marrin, pa kushte.

Sepse edhe vetë Jezu Krishti është vetësakrifikuar për ne pa kërkuar asgjë nga ne.
Por Ai e ka bërë këtë me një kosto të lartë që shkon përtej çdo imagjinate. Të shohim shkurtimisht se për çfarë kostoje bëhet fjalë:
Zoti sakrifikoi autoritetin e tij duke u shndërruar në njeri. Imagjinoni mbretin e një vendi që merr rolin e qytetarit më të varfër. Ai e beri këtë duke u mishëruar si njeri në personin e Jezu Krishtit, duke zbritur nga lartësitë e tij për të jetuar mes njerëzve për tu bërë mësuesi, shembulli dhe, më në fund, shpëtimtari i tyre. “Dhe Fjala (Jezu Krishti) u bë mish dhe qëndroi mes nesh ” (Gjoni 1:14).

Jezusi pagoi koston e mëkatit tonë. Vetë nuk mëkatoi, por në kryq Ai mbajti peshën e mëkateve të gjithë njerëzimit në mënyrë që ky i fundit të pastrohej dhe të merrte faljen e Zotit; “Perëndia e bëri mëkatar për ne atë që s’kishte mëkate, që nëpërmjet Tij ne të bëhemi drejtësi e Perëndisë", (2 Korintasve 5:21).

Ai vdiq për ne. Jezusi shkoi drejt kryqit me vullnet të plotë për të vuajtur dënimin me vdekje në emrin tonë. Megjithëse paaftësia jonë për të jetuar sipas standardeve perfekte të Zotit na destinon për të qenë të dënuar me vdekje, Jezusi na ka thënë këtë gjë thelbësore: “Në vend që të vdisni ju do të vdes unë” .“Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, ndërkohë që ne ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”, (Romakeve 5:8).

Cila duhet të jetë përgjigja jonë? Çfarë kërkon nga ne Jezusi ndërsa festojmë Krishtlindjen dhe në mënyra të ndryshme përkujtojmë vetë Krishtin e Krishtlindjes? Përgjigjen e gjejmë tek Gjoni 1:12, që i referohet përsëri dhuratës çudibërëse të Zotit – “të gjithëve atyre që e pranuan, atyre që besojnë në emrin e Tij, Ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë.”
Nëse ende nuk e ke bërë, a do ta meritosh edhe ti sot dhuratën më të çmuar të Krishtlindjes?

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A ekziston vërtet “drekë falas”, diçka që nuk ka kosto për askënd? Cili ka qënë objektivi i “drekës falas” që ke ngrënë kohët e fundit.
  2. Kur dëgjon fjalën Krishtlindje, çfarë mendimesh të vijnë?
  3. Çfarë mendon për dhuratën e Zotit për Krishtlindje – Jezusin, që erdhi në tokë si fëmijë dhe u rrit e bë burrë? A e ke menduar ndonjëherë se çfarë kosto ka pasur kjo dhuratë?
  4. A je përgjigjur ndonjëherë ndaj dhuratës që të ofron Zoti – dhuratën e faljës dhe premtimit për jetë të përjetshme? Shpjegoje përgjigjen.

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Gjoni 4:10; Romakeve 5:15-17; 2 Korintasve 9:15; Efesianeve 2:8; Hebrejve 6:4-6; Jakobi 1:17-18

NJE MESAZH FRYMEZUES PER KOHE TE VESHTIRA

Nga: Rick Boxx
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
14 Dhjetor, 2009

Kohët e fundit një i njohuri im po më fliste rreth një farë rritjeje të transparencës tek biznesmenët. “Dy vjet më parë,” tha ai, “ ishte gjë e rrallë që dikush të fliste për vështirësitë që haste në biznesin e tij. Por tani, problemet që po has shumica e biznesmenëve kanë bërë që ata të jenë më të predispozuar që të qajnë hallet me të tjerët.”

Kjo është diçka inkurajuese po të kemi parasysh se, për vite me radhë, biznesmenët dhe drejtuesit e lartë administrativë të tyre kishin adoptuar qëndrimin që shprehet me fjalët “I vetmuar në majë,” qëndrim që duket se u pëlqente. Megjithatë, në kërkim të zgjidhjeve për të përballuar rrënimin e ekonomisë dhe paqartësitë e së ardhmes, qëndrimi i mëparshëm po zëvendësohet me atë që shprehet me thënien: “ Fatkeqësia kalohet me shokë.” Dhe vërtet, këto kohë, ka pasur shumë fatkeqësi në lëmin ekonomik.

Një prej arsyeve që kjo lloj transparence konsiderohet si gjë pozitive, ka të bëjë me faktin se jeta në punë, në komunitet ose në familje, nuk kuptohet në vetmi. Tek Zanafilla, Zoti thotë,“Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zanafilla 2:18), dhe asgjë nuk ka ndryshuar megjithëse kanë kaluar mijëra vjet. Raca njerëzore është projektuar për marrëdhënie mes saj, punë të përbashkët dhe përkrahje reciproke. Lexoni pasazhet e mëposhtme:
  • “Hekuri mpreh hekurin, njeriu mpreh njeriun” (Fjalë të Urta 27:17).
  • “Dy vlejnë më mirë se një i vetë , sepse kanë një shpërblim më të mirë për mundin e tyre…Një litar tresh nuk këputet aq shpejt” (Predikuesit 4:9,12).
  • “Pa një udhëheqje të urtë populli rrënohet, por shumë këshilltarë sigurojnë fitoren” (Fjalë të Urta 11:14).
  • “Planet dështojnë nga mungesa e këshillimit, por me shumë këshilltarë ato realizohen” (Fjalë të Urta 15:22).
Më së paku, rritja e transparencës dhe e sinqeritetit në fushën profesionale dhe të biznesit në këto kohë të vështira ka bërë që njerëzit e këtyre kategorive të mund të marrin – dhe të japin – ngushëllim dhe mirëkuptim reciprok. Siç thuhet tek Korintasve 1:4, Zoti “na ngushëllon në gjithë shtrëngimin tonë që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin jemi ngushëlluar nga Perëndia, ne të mund të ngushëllojmë ata që janë në shtrëngim”. Gjatë kohëve të vështira nuk ka gjë më të keqe se sa të ndihesh sikur ti je i vetmi që po përjeton fatkeqësi.

Përfundimisht, për ata që në punën e tyre zbatojnë mësimet e Jezu Krishtit ky është një rast fatlum për të vënë në jetë mësimet e Tij se duhet bërë ç’është e mundur për të lehtësuar barrën e tjetrit. Tek Mateu 11:28-29, Jezusi thotë, "Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj”. Një nga kënaqësitë më të mëdha të Zotit është kur Ai u vjen ne ndihmë njerëzve të Tij duke ua lehtësuar hallet dhe duke iu dhënë paqe në shpirt.

Por Ai nuk u bën thirrje adhuruesve të tij që të rrinë duarkryq duke bërë sehir të tjerët që luftojnë e përpiqen. Vjen një kohë që ne na jepet rasti të ndihmojmë duke mbajtur barrën e të tjerëve në forma të ndryshme si ndihmë konkrete për çështje të caktuara, këshilla të dobishme ose edhe thjesht, dëgjimi i halleve të tjetrit. Ashtu sikundër ka shkruar apostulli Pal, “Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Ky nuk është idealizëm bosh apo retorike e pakuptimte. Është thirrje e vërtetë për veprim. Nëse takon dikë që po mban një barrë të rëndë, është tamam koha që të kujtosh mesazhin e Jezusit dhe ta zbatosh atë me vepër e jo vetëm me fjalë duke bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar barrën e tjetrit.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Sipas asaj që ke vënë re ti, a të duket se njerëzit në punë kanë më shumë dëshirë që të flasin hapur për sfidat dhe hallet që po përballojnë në këtë periudhë vështirësish ekonomike?
  2. Po ti vet: A e ke gatishmërinë që të hapesh me të tjerët, me miqtë e tu më të afërt të paktën, kur ke probleme që janë të vështira për tu zgjidhur. Shpjegoje përgjigjen.
  3. Bibla thotë plot gjëra mbi marrëdhëniet njerëzore dhe rëndësinë e të mos qenit i vetmuar, në “vakum”. Si e kupton ti domosdoshmërinë për të mbajtur barrën e tjetrit, në çfarëdo forme që të jetë ajo?
  4. Nëse ti i bashkohesh me gjithë zemër idesë se të punuarit bashkë me të tjerë, duke kërkuar dhe vlerësuar këshillat e tyre e duke dhënë e marrë ndihmë reciproke, çfarë ndryshimesh do të duhet të besh brenda vetes tënde?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do të dish më shumë për këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë:
Fjalë të Urta 12:15, 19:20, 20:18, 24:5-6; Amosi 3:3; Lluka 10:1-17

TE GJESH EKUILIBRIN NE JETE

Nga: Rick Warren
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
7 Dhjetor, 2009

Ligji i balancimit është ligj i brendshëm i Universit. Që gjërat të funksionojnë mirë duhet që të ketë një ekuilibër. Për shembull:
Toka nuk dridhet kur rrotullohet sepse ajo është e balancuar në boshtin e saj. Ne as ngrijmë dhe as digjemi sepse ndodhemi në distancën e duhur nga dielli.

Natyra ka ekosistemin e vet të balancuar. Zoti ka ndërtuar ekuilibrat e nevojshëm për të mbajtur të pacënuar të ashtuquajturin “zinxhir ushqimor” të kafshëve dhe bimëve.
Në arkitekturë, pikat e ndryshme ku ushtrohet presion duhet të balancohen në mënyrë që godina të mos bjerë.

Trupi i njeriut funksionon më mirë kur sistemet e brendshme të tij janë në ekuilibër. Prishja e ekuilibrave quhet sëmundje kurse rivendosja e tyre quhet shërim.
Një nga dukuritë më të zakonshme që hasim është ajo e njerëzve që bëjnë jetë të pa ekuilibruar. Kjo është një sëmundje me shumë simptoma, por me pasoja të njëjta. Njeriu mund t’i prishë ekuilibrat e vet në shumë aspekte – duke punuar shumë ose jo mjaftueshëm, duke ngrënë, fjetur, luajtur, parë televizor, në intimitet etj.

Fakti është se shumë njerëz të fushës së biznesit kanë tendencën që t’i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së tyre publike dhe të lënë pas dore jetën e tyre private. Ashtu si fotografitë e dobëta, ata janë ose të mbi ekspozuar ose të pazhvilluar mirë.
Pasojat e çekuilibrimit janë gjithmonë të njëjta: stres dhe lodhje. Ashtu si gomat e pa balancuara të makinës edhe njeriu konsumohet më shpejt. Gomat e pa balancuara për një kohë të gjatë prishen fare.

Disa vjet më parë Dr. Charles Garfield (Carls Garfild) ka bërë një studim mbi “Super Profesionistët” – ata individë që nëpërmjet punës së tyre dallohen si lider në fusha të caktuara. Një nga karakteristikat e tyre të përbashkëta, ndryshe nga sa mund të mendohet, nuk është se janë njerëz të super fokusuar tek puna, por, mbi të gjitha, janë njerëz të ekuilibruar.
Njeriu më i balancuar në jetë të jetëve ka qenë Jezu Krishti. Bibla thotë se ai u poq intelektualist, fizikisht, shpirtërisht dhe nga pikëpamja sociale (Lluka 2:52).

Si do ta vendosje veten tënde brenda këtyre katër kategorive të pjekurisë? A ke ekuilibër në jetën tënde apo ke neglizhuar një ose më shumë prej këtyre kategorive kyçe? Më lejoni t’ju nxis për të bërë një kontroll personal në këtë drejtim gjatë kësaj jave. Bëjini vetes këto pyetje:

  • A jam mendërisht më i mprehtë se pesë vjet më parë? Pse, ose pse jo? Nëse jo, a do të bëj diçka në këtë drejtim?
  • A ankohem shpesh për lodhje a për shëndet të dobët? Nëse po, çfarë plani kam për te ndryshuar?
  • A e kam të zhvilluar jetën shpirtërore?
  • Çfarë po bëj që ta kuptoj më mirë Zotin dhe qëllimet e Tij për jetën time?
  • A jam duke kultivuar marrëdhënie të atilla ku përkrahja jepet dhe merret? A mund të bazohem tek një mik i vërtetë?

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A e mban veten për njeri të ekuilibruar? Shpjegoje përgjigjen.
  2. A të vijnë ndërmend shembuj njerëzish krejtësisht të pa ekuilibruar në punë, në jetë, në të ngrënë, në të fjetur, në hobi-të e tyre apo në mënyrën se si i përkushtohen teknologjisë moderne (internet, kompjuter etj)?
  3. Si të duket vetja në raport me pyetjet që shtron Dr. Warren në lidhje me pjekurinë në sjelljen e përditshme? A gjen ndonjë prej pyetjeve nëpërmjet së cilës, kur detyrohesh t’i japësh përgjigje, zbulon mungesë ekuilibri në jetën tënde. Në rast se po, çfarë mendon se duhet të bësh?
  4. Dikush ka thënë,” I vetmi njeri që kam parë në ekuilibër perfekt është ai që ka qenë duke lëvizur nga njëri ekstrem në tjetrin”. Çfarë mendon për këtë thënie? A është “ekuilibri” në jetë një shënjestër e lëvizshme?


SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe dëshiron të lexosh pasazhe të tjera në lidhje me këtë temë, drejtohu si më poshtë:
Fjalë të Urta 21:17, 22:3, 23:19-21, 24:30-34; Predikuesit 3:1-8; Lluka 12:27-34; 1 Timoteu 4:8

KOHA PER TE SHPREHUR MIRENJOHJE

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
30 Nëntor, 2009

Si pa e kuptuar edhe ky vit po i afrohet fundit. Javën që sapo kaloi njerëzit në disa pjesë të botës festuan Ditën e Falënderimeve, ditë e cila lajmëron afrimin e Krishtlindjeve. Por para se të hyjmë në atmosferën plotë gjallëri të Krishtlindjeve të shekullit të 21-të, mirë do të ishte që të ndaleshim për një çast dhe të sillnim ndër mend gjithçka për të cilën duhet të jemi mirënjohës.
Ndoshta ti mund të jesh ndonjë prej atyre që ngrejnë pyetjen, “Mirënjohës? E për çfarë?”. Ndoshta gjatë këtij viti ti ke humbur punën ose të është prishur biznesi. Mbase ke bërë si ke bërë për të siguruar ndonjë të ardhur, por përgjithësisht ke parë se si vlera e investimit tënd profesional është pakësuar dukshëm etj.

Disa ekspertë të ekonomisë thonë se kriza e arriti kulmin e vet dhe tani do të fillojë rimëkëmbja, por ky është ngushëllim i pakët për ata që janë pa punë ose me punëra të pasigurta. Aq më pak vlen ky ngushëllim para faturave të taksave dhe tatimeve. Prandaj, për disa njerëz është krejt logjike pyetja, “Mirënjohës? E për çfarë?”

Por ka diçka. Nëse ty t’u dha mundësia ta marrësh këtë Manna të së Hënës nëpërmjet kompjuterit, atëherë ta dish se je shumë përpara miliona njerëzve të cilët jetojnë në këtë botë pa pasur mundësinë për të përfituar asgjë nga teknologjia moderne. Po qe se nuk je i shtruar në spital për të rimarrë veten pas ndonjë operacioni apo sëmundjeje të rëndë, atëherë ti je shumë më me fat se sa mijëra burra gra e fëmijë që dergjen të pashpresë. Fakti që ti po e lexon këtë material nëpërmjet eimalit tregon se ti je në avantazh në raport me të verbrit që nuk shohin fare.

Këtë nuk e them për te ulur vlerën e sfidave dhe betejave qe i është dashur te përballojë në jetë gjithsecili prej nesh. E them vetëm në funksion të krijimit të një këndvështrimi tjetër, nëpërmjet të cilit nuk fokusohemi tek gjërat që na mungojnë, por mësojmë të njohim dhe vlerësojmë të mirat dhe bekimet që kemi. Bibla jep shumë ide mbi atë se si mund të jemi mirënjohës edhe kur ndodhemi në vështirësi:
Tregoje mirënjohjen nëpërmjet punës. Puna është pjesë e rëndësishme e jetës dhe afirmim i njeriut si pjesë e komunitetit. Pavarësisht aftësive dhe talenteve tona, secili prej nesh mund të japë kontribute të rëndësishme për shoqërinë nëpërmjet punës se vet. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepra, ta bëni në emër të Zotit Jezus, duke falenderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë” (Kolosianeve 3:17).

Shpreh mirënjohjen edhe për vështirësitë. Shpesh mësimet më të rëndësishme në jetë ne i marrim nëpërmjet vështirësive dhe fatkeqësive që kalojmë. Fakt është se më shumë mësojmë nga dështimet se sa nga sukseset tona. “Jo vetëm kaq, por lumturohemi edhe në vështirësitë duke e ditur se vuajtjet prodhojnë durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4).

Ofro mirënjohje pavarësisht nga rrethanat e tua personale. Të besosh në një Zot që nuk të duket i largët, por i interesuar personalisht dhe i përfshirë brenda secilit prej nesh, kërkon të kesh bindjen se ai kontrollon edhe aspektet më të imta të jetës tënde, qofshin ato të mira ose edhe jo aq të mira. “Dhe ne e dimë se gjerat bashkëveprojnë më mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij” (Romakëve 8:28). “…duke falënderuar vazhdimisht për gjithçka Perëndinë, Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. (Efesianeve 5:20).

Nëse ky vit ka qenë ndër me te begatshmit e jetës tënde, ti duhet të jesh mirënjohës për këtë. Edhe sikur ai të ketë qenë i vështirë, përsëri besimi tek Zoti të jep sigurinë se Ai nuk të ka harruar dhe se e ka një plan për jetën tënde.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Duke i hedhur një vështrim pas, këtij viti, a ndjehesh mirënjohës? Pse, ose pse jo?
  2. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha të këtij viti për ty? Cilët kanë qenë momentet më të gëzuar dhe burimet e lumturisë?
  3. A ke menduar ndonjëherë se si i përdor ti talentet, aftësitë dhe përvojat e tua të punës ose jetësore për të shprehur mirënjohje. Shpjegoje përgjigjen.
  4. Si është e mundur që Zoti arrin të bëjë më të mirën për ata që e duan Atë, sidomos në rrethana kur njerëzit vuajnë? A të vjen ndërmend ndonjë rast kur ti personalisht je ndjerë mirënjohës në retrospektive për diçka?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe kërkon të dish më shumë në lidhje me këtë temë, drejtoju pasazheve si më poshtë:
Psalme 7:17, 9:1-2, 69:30-31; Jeremia 29:11-13; Danieli 2:23; Efesianeve 2:10; Filipianeve 4:19

TE VESH NE DYSHIM BESNIKERINE E ZOTIT !?

Nga: Jim Mathis
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
23 Nëntor, 2009

A të ka pushtuar ndonjëherë mendimi se ti ke qenë shumë besnik dhe i bindur ndaj Zotit por Ai, për kushedi se çfarë arsyeje, nuk të ka shpërblyer si duhet? Unë kam qenë i pushtuar nga ky mendim për vite të tëra. Lutesha dhe përpiqesha të kryeja misionin që unë besoja se Zoti më kishte ngarkuar, por frytet e mundimit tim nuk ishin ato që prisja. Shumë mundim për shumë pak shpërblim.

Një ditë, kur shqetësimet e mija po ia tregoja sime shoqeje, ajo më tha që të ulesha e të hidhja në letër disa nga mënyrat nëpërmjet të cilave Zoti na ishte treguar mirënjohës për gjatë 10 viteve të fundit. Ajo më sugjeroi që të bëja një listë të gjërave që i kishim pasur jashtë kontrollit, por që Zoti na i kishte zgjidhur nëpërmjet pranisë së Tij në jetën tonë.

Ndërsa lista ime përfundoi me dhjetë pika, vura re diçka: nëntë nga pikat e shënuara kishin të bënin me njerëzit dhe marrëdhëniet me ta. Shumica e shembujve që vërtetonin se si Zoti kishte qenë i pranishëm në jetën time, kishin të bënin me njerëzit që Ai m’i kishte prezantuar në mënyrë krejt të papritur. Mënyrat kishin qenë nga më të ndryshmet. Ai më kishte njohur me njerëz që do të më ndihmonin për zgjidhjen e problemeve, më kishte sjellë njerëz që do të me këshillonin e të më mësonin pikërisht atëherë kur unë kisha nevojë.

Për shembull, gjithmonë kam pasur dëshirë të këndoj, por kur e provoja nuk merrja asnjë inkurajim nga të tjerët. Me sa duket nuk isha fort i aftë për këtë punë. Një ditë ime shoqe më sugjeroi që të merrja një mësues për vokalin. Disa ditë më vonë rashë në kontakt me një ish këngëtare të njohur. Pa e zgjatur e pyeta nëse jepte mësime kantoje. Një jave më vonë fillova kursin. Ajo ishte mësuese e shkëlqyer dhe tani, mbas tre vjetësh, nuk e kam më problem që të këndoj para publikut dhe madje të korr edhe duartrokitje. Zoti më solli në jetë personin e duhur pikërisht për të më plotësuar dëshirën e zemrës.

Gjatë shtatë viteve që mbaja një kafene, njerëzit më pyesnin shpesh se si kisha mundur të gjeja një personel kaq të mirë. Me ndershmëri më duhej të thosha se Zoti më kishte sjellë në derë njerëzit e duhur në kohën e duhur. Unë nuk do kisha qenë i aftë për të vendosur krejt vetë për njerëzit që mora në punë.

Edhe të tjerë shembuj të viteve të fundit kishin të bënin po me faktin që Zoti me kishte sjellë në jetë njerëz në kohën që ata më janë dashur. Bëj pjesë në një bandë muzikore që i komunikon publikut mesazhe biblike. Zoti e ka sajuar këtë kombinim talentesh muzikore tamam në kohën e duhur për karrierën e gjithsecilit në mënyrë që Ai të lavdërohet.

Tek Mateu 6:19-21, Jezusi ka thënë, "Do not store up for yourselves treasures on earth, where moth and rust destroy, and where thieves break in and steal. But store up for yourselves treasures in heaven, where moth and rust do not destroy, and where thieves do not break in and steal. For where your treasure is, there your heart will be also.” Unë besoj përfundimisht se “thesaret në parajsë” janë marrëdhëniet tona me njerëzit, miqësitë dhe gjithçka bëjmë për tu lidhur me ata që kemi pranë me dashurinë e Jezu Krishtit.
Në çdo rast ankesat e mija ndaj Zotit kanë pasur të bënin me çështje materiale, me gjëra që unë e dija se ishin të përkohshme – thesaret në tokë. Por Ai merret me gjëra të përjetshme si njerëzit, marrëdhëniet me ta dhe me të vërtetën.

Prioritet e Zotit janë njerëzit. Për Atë gjërat materiale janë të dorës së dytë. Unë e dija që Zoti kujdeset për të na i plotësuar nevojat tona e,megjithatë, prisja që të shpërblehesha me lukse – kjo ma solli dëshpërimin. Tani, kur shoh listën e gjatë me njerëz të mrekullueshëm në jetën time, vihem në siklet për faktin që ndonjëherë më ka shkuar mendja të vë në dyshim besnikërinë e Zotit ndaj meje.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Qofsh besimtar i devotshëm, besimtar i ri apo edhe skeptik ndaj Zotit, çfarë mendon për idenë se Zoti na qëndron besnik në shkëmbim të bindjes tonë ndaj Tij?
  2. A ke ndjerë ndonjëherë, ashtu si Xhim Mathis, se Zoti duhet të të shpërblejë për veprimet që bën sipas mësimeve të Biblës?
  3. Në qoftë se ulesh e bën një inventar të gjërave pozitive që të kanë ndodhur në jetë, por që nuk vareshin nga ty, si të del ky inventar? A mendon se për këtë ka merita Zoti? Pse, ose pse jo?
  4. A e ndjehesh ndonjëherë fajtor për “grumbullim thesaresh në tokë” në vend që ato “t’i grumbullosh në qiell”, siç na mëson Jezusi? Shpjegoje përgjigjen tënde.


SHENIM: Nëse ke dëshirë të lexosh dhe të diskutosh për pasazhe të tjera të Biblës që lidhen me këtë temë, shiko si më poshtë:
Psalme 37:4-5; Fjalët e Urta 16:3,9, 24:4; Jeremia 29:11; Mateu 6:25-34

NXITIMI SJELL VARFERINE

Nga: Rick Boxx
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
16 Nëntor, 2009

A të ka ndodhur që ndonjë shitës malli nga ata me përvojë të të bëjë presion që ti tija blesh patjetër mallin duke u përpjekur të të mbushi mendjen se, po nuk e bleve, ke humbur një gjë shumë të madhe? Këtë ndjesi jam duke provuar edhe unë teksa dëgjoj se si nga të gjitha anët e botës ofrohen strategji të ndryshme për të përballuar dhe lehtësuar sëmundjen që ka pllakosur ekonominë globale.

Kemi parë qeveritarë që ushtrojnë presion mbi ligjbërësit vendas që këta të fundit të mbështesin planet e tyre rimëkëmbëse. Shpesh këtyre planeve u mungojnë detajet e hapave konkrete që duhen ndërmarrë, por liderët ngulin këmbë në presionet e tyre që këto plane të pranohen doemos – dhe madje sa më shpejt, aq më mirë.

Në çdo rast justifikimi tingëllon pak a shumë kështu: “ Ky është i vetmi plan i mundshëm dhe, po nuk e ligjëruam atë në parlament brenda javës, do behët kiameti.” Fatkeqësisht kjo lloj përqasjeje bazohet tek ankthi dhe frika e të gjithëve dhe aspak tek një arsyetim i urtë dhe i kujdesshëm.

Në kohëra dhe në forma të ndryshme të gjithë kemi përjetuar raste të tilla si p.sh. bërjen e një investimi të nxituar për shkak të rrethanave të caktuara imponuese, veprim ky për të cilin më vonë jemi penduar keqas. Ky mund të ketë qenë për blerjen e një shtëpie, të një prone, të një makine ose edhe duke hyrë në ortakëri biznesi apo duke bërë një përkushtim financiar të caktuar.

Në të tilla raste unë përpiqem t’i përmbahem një parimi i cili është sprovuar mirë për saktësinë e tij: “Veprimi i nxituar është receta e dështimit”. E mira e do që, kur nuk ke kohë për të reflektuar siç duhet mbi një vendim të rëndësishëm, të heqësh dorë fare nga oferta që të bëhet. Më ka dalë më mirë kur kam humbur mundësinë për fitim për shkak se kam mbivlerësuar kujdesin për shmangien e rreziqeve se sa kur kam vepruar nën presion nga i cili mund të pësoja ndonjë humbje të pariparueshme.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës, Fjalët e Urta 21:5 na mësojnë: "Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri". Shpesh punët paraqiten të ngatërruara dhe, në disa raste, të mos vepruarit shpejt mbart rreziqet e veta, por unë mendoj se rreziqet janë shumë më të mëdha kur në ndërmarrim një veprim të pamenduar mirë më parë si për anët e veta pozitive ashtu edhe për ato negative.
Prandaj, kur ndodhesh përballë vendimesh të rëndësishme, mos iu nënshtro presioneve dhe mos vepro me nxitim sepse ka rrezik që të pendohesh më vonë. Shikoje gjithçka me qetësi dhe arsyeto për aq kohë sa të duhet.

Bibla gjithashtu na mëson se: “Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por ai gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve” (Fjalët e Urta 11:14). Këtu fjala është për rreziqet që mbartin veprimet e nxituara kur nuk gjejmë kohën për të vrarë mendjen e për t’u këshilluar paraprakisht.
Për çdo kompani, e cila mund të ketë bërë përpara si pasojë e ndonjë vendimi apo veprimi të shpejtë e të pa menduar gjatë, ka dhjetëra – madje qindra kompani të tjera – të cilat janë shpartalluar krejtësisht për shkak të vendimeve të nxituara.
Bëj ç’është e mundur që të mos jesh një prej tyre!


Reflektim/Diskutim/ Pyetje
  1. Si të duken përpjekjet e nxituara të qeveritarëve për zgjidhjen e problemeve të krizës? A të janë dukur të menduar mirë planet e ofruar prej tyre?
  2. Kujto rastin kur ke marrë një vendim të shpejtë në lidhje me punën ose jetën personale. Cili ka qenë rezultati? Po të kishe pasur më shumë kohë për t’u menduar, a do e kishe marrë atë vendim? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë hapash duhen ndërmarrë që të shmangësh vendime e veprime të nxituara për të cilët më vonë mund të pendohesh?
  4. A je dakord me thënien e Biblës se vendimet e nxituara çojnë në varfëri dhe se rruga drejt fitores dhe suksesit kalon nga këshillimi i mirë dhe udhëheqja e duhur? Pse je dakord, ose pse nuk je?

Shënim: Po të kesh Biblën dhe do të dëshiroje të lexoje më shumë për këtë temë, shiko pasazhet e mëposhtme:

NXITIMI SJELL VARFERINE

Nga: Rick Boxx
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
16 Nëntor, 2009

A të ka ndodhur që ndonjë shitës malli nga ata me përvojë të të bëjë presion që ti tija blesh patjetër mallin duke u përpjekur të të mbushi mendjen se, po nuk e bleve, ke humbur një gjë shumë të madhe? Këtë ndjesi jam duke provuar edhe unë teksa dëgjoj se si nga të gjitha anët e botës ofrohen strategji të ndryshme për të përballuar dhe lehtësuar sëmundjen që ka pllakosur ekonominë globale.

Kemi parë qeveritarë që ushtrojnë presion mbi ligjbërësit vendas që këta të fundit të mbështesin planet e tyre rimëkëmbëse. Shpesh këtyre planeve u mungojnë detajet e hapave konkrete që duhen ndërmarrë, por liderët ngulin këmbë në presionet e tyre që këto plane të pranohen doemos – dhe madje sa më shpejt, aq më mirë.

Në çdo rast justifikimi tingëllon pak a shumë kështu: “ Ky është i vetmi plan i mundshëm dhe, po nuk e ligjëruam atë në parlament brenda javës, do behët kiameti.” Fatkeqësisht kjo lloj përqasjeje bazohet tek ankthi dhe frika e të gjithëve dhe aspak tek një arsyetim i urtë dhe i kujdesshëm.

Në kohëra dhe në forma të ndryshme të gjithë kemi përjetuar raste të tilla si p.sh. bërjen e një investimi të nxituar për shkak të rrethanave të caktuara imponuese, veprim ky për të cilin më vonë jemi penduar keqas. Ky mund të ketë qenë për blerjen e një shtëpie, të një prone, të një makine ose edhe duke hyrë në ortakëri biznesi apo duke bërë një përkushtim financiar të caktuar.

Në të tilla raste unë përpiqem t’i përmbahem një parimi i cili është sprovuar mirë për saktësinë e tij: “Veprimi i nxituar është receta e dështimit”. E mira e do që, kur nuk ke kohë për të reflektuar siç duhet mbi një vendim të rëndësishëm, të heqësh dorë fare nga oferta që të bëhet. Më ka dalë më mirë kur kam humbur mundësinë për fitim për shkak se kam mbivlerësuar kujdesin për shmangien e rreziqeve se sa kur kam vepruar nën presion nga i cili mund të pësoja ndonjë humbje të pariparueshme.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës, Fjalët e Urta 21:5 na mësojnë: "Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri". Shpesh punët paraqiten të ngatërruara dhe, në disa raste, të mos vepruarit shpejt mbart rreziqet e veta, por unë mendoj se rreziqet janë shumë më të mëdha kur në ndërmarrim një veprim të pamenduar mirë më parë si për anët e veta pozitive ashtu edhe për ato negative.
Prandaj, kur ndodhesh përballë vendimesh të rëndësishme, mos iu nënshtro presioneve dhe mos vepro me nxitim sepse ka rrezik që të pendohesh më vonë. Shikoje gjithçka me qetësi dhe arsyeto për aq kohë sa të duhet.

Bibla gjithashtu na mëson se: “Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por ai gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve” (Fjalët e Urta 11:14). Këtu fjala është për rreziqet që mbartin veprimet e nxituara kur nuk gjejmë kohën për të vrarë mendjen e për t’u këshilluar paraprakisht.
Për çdo kompani, e cila mund të ketë bërë përpara si pasojë e ndonjë vendimi apo veprimi të shpejtë e të pa menduar gjatë, ka dhjetëra – madje qindra kompani të tjera – të cilat janë shpartalluar krejtësisht për shkak të vendimeve të nxituara.
Bëj ç’është e mundur që të mos jesh një prej tyre!


Reflektim/Diskutim/ Pyetje
  1. Si të duken përpjekjet e nxituara të qeveritarëve për zgjidhjen e problemeve të krizës? A të janë dukur të menduar mirë planet e ofruar prej tyre?
  2. Kujto rastin kur ke marrë një vendim të shpejtë në lidhje me punën ose jetën personale. Cili ka qenë rezultati? Po të kishe pasur më shumë kohë për t’u menduar, a do e kishe marrë atë vendim? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë hapash duhen ndërmarrë që të shmangësh vendime e veprime të nxituara për të cilët më vonë mund të pendohesh?
  4. A je dakord me thënien e Biblës se vendimet e nxituara çojnë në varfëri dhe se rruga drejt fitores dhe suksesit kalon nga këshillimi i mirë dhe udhëheqja e duhur? Pse je dakord, ose pse nuk je?
Shënim: Po të kesh Biblën dhe do të dëshiroje të lexoje më shumë për këtë temë, shiko pasazhet e mëposhtme:

DY (OSE ME SHUME) VLEJNE ME MIRE SE NJE

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
09 Nëntor, 2009


Bashkë me nipin tim deshëm të bënim ca punime në shtëpi, të cilat në fillim na u dukën të lehta, por dolën se qenë të vështira për t’u kryer po të mos kishim qenë dy veta. Nipi im ia thoshte për punë mekanike dhe mund ta kishte bërë gjithçka edhe vetëm fare, por ndihmesa ime bëri që punimet të mbaronin shumë më shpejt. Për sa më takon mua, pak më vjen dorës për punë të tilla dhe, pa prezencën dhe dijenitë e Davidit, do ta kisha humbur fare toruan.

Gjatë karrierës time profesionale ky fenomen më është përsëritur vazhdimisht. Duke qenë botues i një reviste, merresha me grumbullimin e lajmeve e shkrimeve dhe me redaktimin e tyre. Kishte të tjerë njerëz që siguronin fotografitë, bënin marketingun, faqosnin gazetën, e shpërndanin atë tek lexuesit dhe merreshin me financën.

Si botues i revistës isha përgjegjës për përmbajtjen në tërësi, por edhe shkruaja diçka vetë. Shumë të tjerë kontribuonin me artikuj dhe foto, dikush bënte ilustrimet, një grup dizajnerësh bashkonte përfundimisht gjithçka për të nxjerrë një produkt sa më tërheqës, asistenti im administrativ përqendrohej në detaje dhe, më në fund, një tipograf merrte lëndën e parë për ta shtypur e lidhur në formë reviste. Shumë herë, kur e shikoja revistën për se pari, nuk me rrihej pa thënë me vete, “E tera është më e madhe se sa shuma e pjesëve.”

Po ta mendosh këtë thënie, del se ajo vlen edhe në vendin ku punon. Ti mund të kesh përgjegjësitë e tua të veçanta, por janë të shumtë ata që, në një mënyrë ose në një tjetër, kontribuojnë për arritjen e rezultatit përfundimtar të dëshiruar. Bibla e shpreh këtë me fjalë të thjeshta: “Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim më të mirë për mundimin e tyre. Në fakt, nëse rrezohen, njeri ngre tjetrin, por mjerë ai që rrezohet dhe s’ka njeri ta ngrejë. Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i qëndrojnë. Një litar tresh nuk këputet kaq shpejt” (Predikuesit 4:9-12).

Ka një fjalë që e përcakton këtë: Sinergji. Ajo i referohet forcave plotësuese, kombinimit të aftësive, talenteve dhe përvojave të disa njerëzve për arritjen e një qëllimi të përbashkët. Shumë shpesh bota e biznesit fokusohet tek individët “yje” të cilët shquhen mbi të tjerët për sa i takon performancës së tyre. E megjithatë, edhe njerëzit më të aftë e të talentuar kanë nevojë për mbështetje administrative të llojeve të ndryshme. Ja disa përfitime të tjera nga puna kolektive të paraqitura ne Bibël:
Ne mprehim njëri-tjetrin. Ashtu si thika që mprehet me anë të gurit edhe ne mprihemi nga ndërveprimi me njëri-tjetrin, pavarësisht se ndonjëherë kjo mund të shkaktojë fërkime dhe konflikte. “Hekuri mpreh hekurin, kështu një njeri mpreh tjetrin” (Fjalët e Urta 27:17).

Ne ndajmë ngarkesën midis njëri-tjetrit. Kur punon i vetëm, detyrat dhe përgjegjësit të duken të papërballueshme. Duke punuar me të tjerë ngarkesa lehtësohet dhe bëhet më e menaxhueshme. “Mbani barrën e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Ne i ngremë moralin njëri-tjetrit. Puna kolektive ka vlera të mëdha emocionale dhe psikologjike – solidaritet, ndjenjë përfaqësimi – por edhe avantazhe fizike. “Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin...” (Hebrejve 10:24-25).

Ne shtyjmë në të njëjtin drejtim. Idealja është kur punojmë me njerëz me të cilët ndajmë të njëjtën përgjegjësi për misionin, të njëjtin vizion dhe të njëjtat vlera. “Mos u bëni bashkë me jobesimtarët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë të përbashkët ka drita me errësirën?” (2 Korintasve 6:14).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Shumicën e rasteve punon kolektivisht apo i vetëm? Si do të dëshiroje të punoje?
  2. Mendo për një punë të cilën nuk do ta kishe përfunduar dot i vetëm. Kush të ndihmoi dhe cili ishte kontributi konkret që ai dha?
  3. Si reagon ndaj njerëzve që nuk e pranojnë ndihmën kur iu ofrohet? A beson se shprehja “dy janë me mire se një” vlen gjithmonë? Pse, ose pse jo?
  4. Cilat nga avantazhet e punës kolektive që është përmendur në këtë ese është më domethënës për ty. A mund të përmendësh edhe ndonjë avantazh tjetër.

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do të dëshiroje të shikoje disa pasazhe të tjera lidhur me këtë temë, referohu si më poshtë:
Fjalët e Urta 11:14,15:22, 19:20, 20:18; Mateu 11:30; Galatianeve 6:1-6; Hebrejve 12:1

TE PERBALLOSH LIGESHTIMIN – Pjesa e 2-të

Nga: Rick Warren
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
Nëntor 02, 2009


Muajin e kaluar shkrova mbi një fenomen që herë pas here na prek të gjithëve: Dekurajimin (Ligështimin). Këtë muaj do të desha t’i rikthehesha këtij fenomeni, por nga një këndvështrim disi i ndryshëm.

Shumë gjëra na bëjnë të dekurajohemi dhe na pengojnë që ne të kryejmë misionet tona në jetë. Për vite me radhë kam vrarë mendjen të gjej nëse armiku ynë më i keq është tendenca për t’i shtyrë punët pafundësisht apo dekurajimi përfundimtar. Nëse Djalli nuk arrin dot të na bëjë që të shtyjmë pafundësisht plotësimin e detyrave tona misionare, atëherë ai do të përpiqet që ne të heqim dorë krejt prej tyre.

Në Bibël, apostulli Pal na këshillon që të veprojmë kështu përballë dekurajimit: “Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos ligështohemi do të korrim bekimin në kohën e duhur”(Galatasve 6:9, New Living Translation)

A ndjehesh ndonjëherë i lodhur duke bërë të mirën? Mendoj se të gjithë e provojmë këtë ndjesi. Nganjëherë duket më e kollajshme të bësh gjëra që konsiderohen si të gabuara se sa gjëra që konsiderohen si të drejta. Kur ligështohemi bëhemi te padobishëm. Kur ndjehemi të dekurajuar shpesh fillojmë të veprojmë edhe kundër fatit tonë.

Kur ndjehem i ligështuar them me vete, “Kjo s’bëhet.” Pra them pikërisht të kundërtën e asaj që duhet të them në të vërtetë, se: “ Zoti mund ta bëjë këtë sepse Ai ka thënë…”
Bëji këto pyetje vetes:
  • Si e përballoj dështimin?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a nervozohem?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a dëshpërohem?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a filloj të ankohem?
  • A jam në gjendje ta çoj deri në fund atë që kam nisur?
  • Si paraqitem unë? Jam apo s’jam këmbëngulës?
Më lejoni t’ju jap një këshillë: Nëse ndjehesh i ligështuar e i dekurajuar, mos u dorëzo pa luftë. Asgjë me vlerë nuk arrihet pa përpjekje dhe këmbëngulje.

Kur artisti fillon të gdhende një skulpture, atij i duhet ta godasë gurin mijëra herë. Ai nuk mendon se me një të goditur të vetme të daltës me çekiç, pjesët e tepërta të gurit do të bien përdhe dhe skulptura do të shfaqet menjëherë në formën e saj të përkryer. Ai vazhdon të godasë e të godasë duke hequr vazhdimisht pjesët e gurit që pengojnë shfaqjen e skulpturës sipas imazhit që ai e ka ndërtuar në mendjen e tij.

Kështu është edhe në jetë. Asgjë nuk vjen lehtë. Njeriu i qepet një qëllimi, e ndjek atë pa pushim derisa dalëngadalë jeta e tij shndërrohet në një kryevepër të hirit të Perëndisë. Tek Efesianëve 2:10 thuhet: “Sepse jemi vepra e Perëndisë, e krijuar në Krishtin Jezus për të bërë vepra të mira, për të cilat Perëndia na ka përgatitur qysh më parë”.

Fakti është se njerëzit e mëdhenj nuk janë gjë tjetër veçse njerëz të zakonshëm të pajisur me një forcë të madhe këmbëngulëse. Njerëzit e mëdhenj nuk dinë se si hiqet dorë prej diçkaje. Ata nuk i dorëzohen kurrë ligështimit.


Reflektim/Diskutim/ Pyetje
  1. A ndodhesh aktualisht ti ose ndokush pranë teje para vështirësish? Cila prej tyre po të çon më shumë në ligështim?
  2. Dr. Warren thotë se ligështimi shpesh na bën që t’ju shmangemi rrethanave që e kanë shkaktuar atë, madje duke bërë edhe veprime që shkojnë në kundërshtim me bindjet tona të drejta. A të ka ndodhur ty kjo? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A mendon se këmbëngulja dhe mosdorëzimi ndihmojnë në tejkalimin e ligështimit? Si?
  4. Çfarë mendon për pohimin se teksa ti e përball ligështimin duke këmbëngulur në qëllimin tënd, “dalëngadalë jeta jote shndërrohet në një kryevepër të hirit të Perëndisë”?
SHENIM: Nëse e ke Biblën, mund të lexosh edhe disa pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Mateu 6:25-34, 11:28-30; 1 Korintasve 15:58; Filipianeve 3:12-14; Hebrejve 10:24-25