headerphoto

TЁ ZBULOSH FATIN TЁND – DUKE SHЁRBYER

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
25 Janar, 2010

Të gjithë kemi aspirata dhe ambicie. Disa përpiqen të zënë pozicione sa më të larta nëpër administrata kurse disa preferojnë përqasjen ndaj biznesit duke shpresuar se një ditë do të kenë kompaninë e tyre. Për disa të tjerë objektivat janë edhe më të përcaktuara – ata synojnë për të patur sa më shumë pasuri materiale.

“Secili lumturohet sipas mënyrës së vet”, mund të thotë dikush. Pra, sipas kësaj thënieje, lumturia përcaktohet nga plotësimi i gjërave që dëshirojmë. Por mua më ka intriguar një thënie e Albert Schweitzer (Albert Shvaicer), mjekut dhe filozofit të njohur franko-gjerman:
“Nuk e di se si do të jetë fati juaj, por një gjë e di: të vetmit prej jush që do të jenë vërtetë të lumtur janë ata që kanë kërkuar dhe gjetur mënyrën se si të shërbejnë.”

Sa prej nesh kanë dëshirë dhe ambicie që të vihen në shërbim të të tjerëve? Mund të përmendim disa kulme të njohur si Nënë Tereza dhe si vetë Shvajtzeri, i cili, në fillim të viteve 1900, ndërtoi një spital duke hedhur kështu bazën e parë të shërbimit shëndetësor në Afrikën Qëndrore. Por në shekullin tonë, shekullin e 21-të, nocioni i gjetjes së lumturisë duke iu shërbyer të tjerëve nuk përputhet fare me mënyrën tonë të të menduarit. Orët e gjata të punës i kalojmë në një mjedis tepër kërkues ku biznesi nuk të fal.

Të gjesh lumturinë duke iu shërbyer të tjerëve!? Fillimisht mendova ta largoja këtë ide si një ide të çartur idealiste. Por nuk mund ta mohoj se ka shumë raste kur jeta jonë hijeshohet nga altruizmi i të tjerëve: një mësues që të përkushtohet, një koleg pune që të ofron ndihmë vullnetarisht edhe pa ia kërkuar, një shef që investon kohë dhe energji për të na ndihmuar që të jemi më të aftë në punë e më produktive etj.

Jezusi ka folur shpesh në Bibël mbi të shërbyerit të tjerëve. I ashtuquajturi “Rregulli i Artë” buron nga thënia e tij e mëposhtme: “Siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta” (Lluka 6:31). Në Testamentin e Vjetër përmendet këshilla që Jezusi i pati dhënë një udhëheqësi fetar: “...do ta duash të afërmin tënd si veten tënde” (Levitiku 19:18, Lluka 10:27).
Ne na pëlqen që të tjerët të na trajtojnë me respekt dhe konsideratë. Të njëjtin trajtim duhet t’iu rezervojmë edhe ne atyre. Megjithatë, në shumë raste kjo nuk ndodh vetvetiu. Që të ndodhë kjo duhet preokupim, përkushtim dhe vëmendje ndaj interesave të të tjerëve. Një kompani, për të cilën kam punuar dikur, i realizon këto nëpërmjet të ashtuquajturit “pohim të vlerave” që shprehet kështu: Ne kërkojmë më të mirën tek gjithsecili dhe çdo njeri e shohim si të veçantë në vlerat e tij. Në të gjitha marrëdhëniet tona e trajtojmë njëri-tjetrin me mirësi, respekt dhe konsideratë.

Ja edhe disa parime të tjerë biblikë mbi rëndësinë e të shërbyerit të tjerëve:
Vlerësoje tjetrin. “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3-4).

Imito Jezusin. “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin: I cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie…,e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori…” (Filipianëve 2:5-7).
Shërbe në emër të Perëndisë. “…tani jemi zgjidhur nga ligji…, prandaj të shërbejmë në risinë e Frymës” (Romakëve 7:6).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Cili nga qëllimet e tua personale ose profesionale, nëse ka, është bazuar mbi synimin për plotësimin e interesave të të tjerëve?
  2. Çfarë mendon për thënien e Albert Shvajtzerit se, “… të vetmit prej jush që do të jenë vërtet të lumtur janë ata që kanë kërkuar dhe gjetur mënyrën se si të shërbejnë”? Sipas teje, kjo thënie është realiste apo idealiste?
  3. Si je ndjerë kur të tjerët kanë sakrifikuar kohën dhe mundin e tyre për të të shërbyer ty? A të ka bërë kjo që të mendosh që edhe ti t’iu shërbesh të tjerëve? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Në ç’mënyrë do të ndryshonte veprimtaria jote e përditshme në punë dhe në jetën personale në rast se do t’a përvetësoje sugjerimin e Dr. Shvajtzerit dhe do të kërkoje për të gjetur mënyrat për t’u shërbyer të tjerëve?

Shënim: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Mateu 23:11-12; Marku 9:35, 10:45; Lluka 22:27; Galatasve 5:13; 1 Pjetri 5:2-6

MOS KA ARDHUR KOHA TË NDALESH E TË REFLEKTOSH?

Nga: Robert D. Foster
Shërbesë për komunitetin
e biznesmenëve të krishterë
18 Janar, 2010


Në librin e tij ‘Paradoksi i Suksesit’ biznesmeni i njohur John Owens (Xhon Ouens) tregon se megjithëse i ndodhur në majë të piramidës së biznesit, jeta e tij personale kishte marrë fund. Gruaja dhe dy fëmijët e kishin braktisur; punonjësit e firmave të tij i shmangeshin marrëdhënieve të afërta me të, ndërsa miqtë i ndjente të ftohtë dhe të distancuar. Ai po bëhej shembulli klasik i liderit të suksesshëm në biznes, por tërësisht të falimentuar në jetën e tij private.

Ai shkruan, “Asgjë rreth meje në ambientin e punës nuk është paqësore. Miliona mendime më ziejnë në kokë dhe gjithmonë kam përpara një listë të pafundme punësh që duhen kryer. Kaosi bie në sy edhe në gjërat që kam mbi tryezë. Dhjetëra letra të vogla me shënime të ngjitura në anët e kompjuterit, një pirg me libra të palexuara ndërsa pirgje të tjera më të vogla me gazeta e revista kanë zënë gjithë sipërfaqen e lirë të tryezës. Bleva një shatërvan artificial uji të tipit Zen, i cili lëshon jone negative në ajër që reduktojnë stresin, por klima është aq e thatë sa uji avullon menjëherë dhe mbetet vetëm zhurma bezdisëse e motorit të vogël e cila dominon mbi zhurmën qetësuese të ujit që bie”.

A gjen diçka nga jeta jote në këtë përshkrim? Nëse po, atëherë kam vetëm një këshillë për ty: MJAFT MË! Vëri fre rendjes së përditshme pas punëve dhe vetëm punëve. Ngadalësoje ritmin për të gjetur kohën që të shikosh pak më thellë në botën që të rrethon.

Çdo vit, para pashkëve, shumë kisha kryejnë një ritual që quhet Lent. Janë 40 ditë kushtuar kujtimit të Jezu Krishtit. Këto 40 dite Krishti i jetoi në natyrën e egër duke agjëruar e duke përgatitur veten për të përballuar tundimet e mëdha që do t’i shfaqeshin. Këtë moment do ta gjeni të përshkruar me hollësi tek Mateu 4:1-11 në Testamentin e Ri të Biblës.

Shumë prej nesh në një farë mënyre ndodhen në pozicionin e zotit Ouen, duke u përplasur sa andej këtej në kërkimin e ethshëm për sfida të reja, gjithnjë e më të mëdha, pa gjetur kurrë kohen për t’i bërë vetes pyetjen e thjeshtë: Pse?

Do ende kohë që të vijë periudha tjetër e ritualit Lent. Megjithatë, edhe sikur të mos jesh frekuentues i kishës, madje edhe sikur të mos jesh fare besimtar, duhet ta kesh mençurinë e mjaftueshme për të bërë një “pushim vjetor” sikundër sugjeron Lent-i, gjatë të cilit të vendosesh një disiplinë të ashpër mbi vetveten dhe të arrish të qetësosh kaosin që të rrethon për të pasur mundësinë që, krahas të tjerave, të vrojtosh edhe njerëzit rreth teje dhe ndikimin – ose mungesën e ndikimit – tënd mbi ta. Të pyesësh me ngulm vetveten: A ja vlen të paguash një çmim kaq të lartë për atë çka po synon në lidhje me punën a biznesin?
Më saktë akoma. Mos prit derisa të vijë periudha tjetër e Lent-it. Fillo që sot duke gjetur përgjigjet për pyetjet si më poshtë:
  • Cilat janë synimet e mija në lidhje me veten dhe familjen në ditët e mëpastajme?
  • Cilat janë ato gjëra të vjetruara tashmë në veten time që duhet të zhduken për t’ia lënë vendin të rejave?
  • Si mund të ndërtoj një vend shenjtërie e qetësie brenda botës time kaq të mbytur në punë?
Mos gjetja e kohës së mjaftueshme për të reflektuar e për t’i bërë ndershmërisht vetes këto pyetje duke gjetur edhe përgjigjet e duhura për to, do t’ju kushtojë shumë më shtrenjtë nga ç’mund ta imagjinoni. Jezusi ka thënë, “Kush kërkon të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kush do ta humbasë jetën për shkakun tim, do ta shpëtojë atë” (Lluka 9:24).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A e gjen veten ose dikë tjetër që njeh në përshkrimin e Xhon Ouen-it? Si u ndjeve teksa e lexove atë përshkrim?
  2. Përkushtimi i tepërt ndaj biznesit i kushtoi Ouenit prishjen e familjes dhe humbjen e miqve. Sipas teje, a ja vlen që, për hir të biznesit, të sakrifikohet gjithçka tjetër në jetë?
  3. Robert Foster-i sugjeron tri pyetje. Si do u përgjigjeshe ti këtyre pyetjeve?
  4. Nën dritën e përgjigjeve që dhe për tri pyetjet, çfarë ndryshimesh duhet të besh brenda vetes gjatë ditëve, javëve e muajve në vazhdim?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjera në lidhje me këtë temë, drejtoju vargjeve si më poshtë:
Fjalë të Urta 4:23, 16:2, 21:2, 27:23-27, 28:2; Predikuesi 5:10-20; Mateu 5:19-24, 33-34

TE JEMI ADMINISTRATORE BESNIKE

Nga: Rick Boxx
Shërbesë për komunitetin
e biznesmenëve të krishterë
11 Janar, 2010


Një biznesmen i dha mikut të tij, Çipit, një bllok çeqesh. Ai kishte vendosur 5000 dollarë në llogarinë e Çipit që ky i fundit duhej t’i përdorte për të ndihmuar njerëz në nevojë. Biznesmeni mendonte se bujaria e tij do të ishte më efektive në rast se ajo do të vihej në jetë nëpërmjet dikujt si Çipi që ishte pastor i respektuar dhe drejtues i një programi edukativ në radio. Sipas tij, Çipi mund ta përcaktonte më mirë se kush duhej të përfitonte nga ndihma ekonomike.

Pjesë e marrëveshjes mes biznesmenit dhe pastorit ishin edhe takimet e detyrueshme të herë pas hershme. Gjatë këtyre takimeve Çipi duhej të raportonte se si dhe ku po përdoreshin paratë në mënyrë që fondi në dispozicion të tij të ripërtërihej.

Nuk kaloi shumë kohë mbas vendosjes së këtij partneriteti jo fort të zakonshëm dhe Çipi bëri një zbulim tek vetvetja. Ai konstatoi se po e përdorte bllokun e çeqeve të biznesmenit shumë më mirë se sa bllokun e çeqeve të veta për shkak se tashmë i duhej të jepte llogari për mënyrën se si i harxhonte paratë.

Tani më lejo të të bej një pyetje: Në rast se paratë dhe burimet e tjera materiale të tua do të menaxhoheshin nga dikush tjetër që do të të jepte llogari periodike për mënyrën e përdorimit të tyre, a mendon se kjo gjë do të ndikonte në mënyrën e marrjes së vendimeve nga ana jote?
Vetëm një pronar. Në të vërtetë asgjë nga ato që ne “zotërojmë” nuk është tamam e jona. Vite më parë një biznesmen shumë i pasur vdiq. Gjatë ceremonisë mortore dikush iu afrua llogaritarit të firmës dhe i tha: “Sa para ka lënë i ndjeri?. Aty për aty llogaritari iu përgjigj: “Te gjitha.” Tek Predikuesit (5:15) citohet Mbreti Solomon që thotë, “Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë të mbartëshme nga mundi i tij…”

Në lidhje me “pronësinë” në duhet të mbajmë parasysh edhe diçka tjetër të rëndësishme. Sipas Biblës, pronari i gjithçkaje është Zoti: “Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithçka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. Nga Ty vijnë pasuria dhe lavdia; Ti sundon mbi gjithçka; në dorën Tënde janë forca dhe fuqia, dhe Ti ke fuqinë për ta bërë njeriun të madh dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve” (1 Kronikave 29:11-12).

Të thirrur për të administruar. Nëse çfarë u tha me sipër është e vërtetë, atëherë, cili është roli ynë? Shkrimet e Shenjta na thonë se ne nuk jemi gjë tjetër veçse menaxher të pasurive që na janë besuar ose “administrator”. Apostulli Pal iu shkroi kështu Korintasve në Letrën e Parë (1,4:2) "E tjetra që kërkohet nga administratoret është që secili të jetë besnik.” Jezusi (ashtu sikundër Cipi ndjente përgjegjësinë ndaj mikut të tij) tha se edhe ne duhet të ndjehemi përgjegjës dhe të marrim shpërblimin për këtë: “Të lumtë o shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj ty shumë gjëra; hyr në gëzimin e Zotit tënd” (Mateu 25:21).

Sa ndryshe do të ishte bota sikur të gjithë të zgjohemi çdo mëngjes dhe gjithçka që kemi – shtëpitë, makinat, portofolat, bizneset, kohën, talentet etj. - të mos ti shikonim me syrin e pronarit, por me syrin e administratorit që administron në emër të Zotit, Pronarit të vërtetë.
Mos harro: Paratë që ke nuk janë të tuat. Ato t’i ka besuar Zoti. Po ti a je administrator besnik?


Reflektim/ Diskutime/ Pyetje

  1. Si mendon se do të veproje nëse dikush, ashtu si Cipit, do të të besonte paratë e tij për t’i administruar?
  2. Kur vjen puna te pronësia materiale – shtëpia, rrobat, plaçkat, makina etj – zakonisht ne na duket vetja pronar. A ke menduar ndonjëherë që t’i shohësh këto gjera jo si pronar, por thjesht si administrator? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Mendo për diçka të shtrenjtë tënden. Cili do të ishte ndryshimi në rast se atë diçka do ta konsideroje si pronë të Zotit dhe jo tënden?
  4. Në rast se do të ishe para Zotit dhe Ai do të shqyrtonte mënyrën se si i ke përdorur pasuritë që të ka besuar, a mendon se do konsideroheshe prej Tij si “shërbëtor i mirë dhe besnik”? Pse, ose pse jo?

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Fjalë të Urta 11:4,28, 18:11, 23:4-5, 27:24, 28:20; Lluka 16:10-12; Korintasve 7:23-24

PLANIFIKOJE QËLLIMIN

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
04 Janar, 2010

Tani që ethet e shkurtra por të këndshme të festimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri përfunduan, është koha që të përqendrohemi në vitin që sapo hyri. Kjo ka të bëjë me plane, vendosje qëllimesh e objektivash dhe me gjetjen e zgjidhjeve për probleme të ndryshme. Disa prej këtyre planeve do të synojnë për një progres më të madh mbi bazën e arritjeve të deritanishme, por mjaft të tjerë kanë të bëjnë me dëshirën për të harruar të kaluarën dhe me një fillim të ri.

Viti që shkoi disave iu duk i stërzgjatur për shkak të anktheve dhe maktheve që përjetuan. Ata shpresojnë që viti i ri të jetë më shpresëdhënës. Disa të tjerëve lamtumira e 2009-ës iu duk e dhimbshme për shkak se gjatë atij viti ata patën ngjarje të shënuara në fushën personale dhe profesionale. Ka të tjerë që betejat dhe dështimet e vitit të kaluar i panë në dritë pozitive dhe për këtë vit do të përpiqen të vënë në jetë mësimet që nxorrën.

Ndërsa bëjmë plane dhe vendosim objektiva është mirë të kemi parasysh një princip të rëndësishëm që del nga përvoja e bizneseve të suksesshme. Përgjithësisht këta biznese kanë një dokumentacion të pasur ku janë përshkruar me hollësi dhe qartësisht qëllimet dhe misioni i tyre. Kjo është një lloj kujtese formale për stafin e punonjësve dhe bashkëpunëtoret. Këtë përvojë nuk duhet ta neglizhojmë, madje duhet ta thellojmë më tej duke formalizuar edhe përgjigjet për pyetje të tilla si “Pse jam këtu ku jam?” “Për ku jam nisur?” “Si do ta marr vesh që kam mbërritur atje për ku jam nisur?”

Shumë nga koleget e mi e kanë bërë këtë gjë dhe ia kanë parë dobinë. Përkufizimi, pra hedhja në letër e qëllimeve dhe objektivave kryesore në formë të qartë e të prerë nuk ta kufizon aspak sensin e iniciativës dhe krijimtarisë spontane. Përkundrazi, të jep më shumë liri të kanalizuar në drejtimin e duhur. Një fjalë e urtë thotë: “Po synove asgjënë, atë do të arrish”. Formulimi përkufizues i një objektivi në punë ose i një apo disa qëllimeve personale na ndihmon që të përcaktojmë më mirë se kush jemi, çfarë duam të arrijmë në jetë dhe si mendojmë ta arrijmë atë që synojmë. Mirë është që në këto përkufizime të ketë edhe afate kohore ( pyetja “kur”) si edhe një motivacion në lidhje me atë çka duam të arrijmë ( pyetja “pse”).

Kur një person arrin të formulojë qëllimin dhe objektivin kryesor dhe vendos të jetojë mbi këtë bazë, atëherë të gjitha qëllimet, objektivat e nënobjektivat e mëparshme filtrohen nëpërmjet tij. Ato që nuk bien ndesh me objektivin kryesor mbahen, të tjerat hidhen poshtë ose, në disa raste, lihen mënjanë për t’u shqyrtuar më vonë.

Formulimi i Qëllimit Kryesor mund të bëhet edhe për çështje vlerash morale dhe të besimit, çështje këto që shkojnë përtej qëllimeve dhe objektivave thjesht praktike. Ky formulim mund të bëhet edhe për dhunti unikale që ti zotëron dhe që mendon se vetëm ti mund t’ia ofrosh shoqërisë. Dr. Rick Warren, i cili kontribuon rregullisht për Mannën e së Hënës, ka shkruar librin “Jeta e udhëhequr nga qëllimi” ku na sugjeron që secili prej nesh t’i bëjë këto pyetje vetes, “Pse vallë kam ardhur në këtë jetë?” Ja vlen që disa nga konkluzionet që arrihen në këtë libër të kihen parasysh sipas radhitjes së mëposhtme:

  • Qëllimi #1: Ti je planifikuar për kënaqësi të Zotit (Adhurimi)
  • Qëllimi #2: Ti je formësuar për familjen e Zotit (Përkatësia)
  • Qëllimi #3: Ti je krijuar për t’u bërë si Krishti (Përkushtimi)
  • Qëllimi #4: Ti ke ardhur në jetë për t’i shërbyer Zotit (Detyra)
  • Qëllimi #5: Ti je bërë për të përmbushur një mision (Misioni)
Unë vetë formulimin e qëllimit e kam bërë duke u bazuar në një varg shkruar nga apostulli Pal që gjendet në një letër të tij për kishën e Filipit. Ai shkruan, “Qëllimi im është të njoh Atë (Jezu Krishtin) dhe fuqinë e ringjalljes së Tij , të marr pjesë në mundimet e tij duke u bërë vetë i ngjashëm me të…” (Filipjanëve 3:10). Sa herë që i rishikoj qëllimet e mia, këtë thënie e gjej shumë frymëzuese për të vlerësuar ata çfarë bëj dhe pse e bëj.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A mendon të bësh ndonjë plan të veçantë apo të vendosësh ndonjë qëllim për këtë vit?
  2. Kur bën plane afatgjatë, çfarë procesi ndjek zakonisht? A të ndihmon plotësisht ky proces?
  3. A ke menduar ndonjëherë që të formulosh me shkrim një mision tëndin personal? Nëse dikush të pyet tani se cili është ky mision apo qëllim, cila do të ishte përgjigja jote?
  4. A mendon se është frytdhënës formulimi me shkrim i një misioni individual për jetën dhe punën?


SHENIM: Në Bibël ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë. Për më shumë referoju vargjeve si më poshtë:
Psalme 37:4-5; Fjale te Urta 3:5-6, 16:3, 21-2-3; Jeremia 29:11-13; Efesianeve 2:10; 2 Timoteu 3:16-17