headerphoto

BIBLA: RËNDËSIA E SAJ AKTUALE

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
22 Shkurt, 2010

Prej disa vitesh, çdo javë, kam pasur priveligjin të redaktoja dhe shpesh të shkruaja “Mannën e së Hënës”. Është inkurajuese të dëgjosh reagimet e njerëzve mbi këto shkrime. Zemra ma thotë se Bibla përbën kurdoherë një burim të pashembullt urtësie e mençurie edhe për botën profesionale dhe të biznesit. Por nuk kam qenë i këtij mendimi qysh në fillim.

Andej nga fundi i viteve ’70 botoja një gazetë dhe mund të them se isha një njeri i cili besonte tek Perëndia në “një mënyrë të përgjithshme”. Po të më pyesnit atëherë se sa domethënie kishte Bibla në punën apo në jetën time të përditshme, ndoshta do të kisha dhënë këtë përgjigje: “Jo edhe aq”. Marrëdhëniet e mia me Perëndinë konsistonin në shkuarjen rregullisht në kishë një herë në javë dhe në lutje Perëndisë për ndihmë në çaste vështirësish ekstreme (lutje që i harroja sapo vështirësitë kalonin).

Më pas fillova të botoj gazetën në një qytet tjetër dhe kishën e frekuentoja në po atë qytet. Pastori i atjeshëm kishte qenë vetë dikur reporter gazete dhe për këtë shkak, gjetëm një gjuhë të lehtë komunikimi midis nesh. Ishte ai që më ndihmoi të kuptoja vlerën praktike të Biblës në çdo aspekt të punës dhe jetës si: biznesi, martesa, familja, financat, marrëdhëniet me njerëzit etj. Ajo ç’ka do të lexoni më poshtë, është një përmbledhje e disa mësimeve që unë kam nxjerrë nga Libri i Fjalëve të Urta që atëherë:

Perëndia do të udhëheqë jetën dhe karrierën time. Mbas vitesh të tëra mëdyshjesh në lidhje me rrugën që do të merrte karriera ime profesionale, arrita në përfundimin se Perëndia paskish pasur një plan krejt të veçantë për mua dhe se unë duhet të kisha besim në Të për të mësuar se si të zgjidhja atë që ishte më e mira për mua dhe familjen time. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe Ai do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).

Perëndia do të bekojë planet e mia. Herë pas here e kam vënë re se kur i bëj planet e mia të punës dhe të jetës duke pasur parasysh udhëheqjen e Perëndisë, arrij rezultate shumë më të mëdha nga sa kam parashikuar. “Besoja Zotit veprimet që bën dhe planet e tua do të realizohen” (Fjalët e Urta 16:3).

Perëndia do të më motivojë. Shpesh kam menduar, “Çfarë po bej dhe, a po veproj në rrugë të drejtë”. Nëpërmjet lutjeve Perëndia më ka ndihmuar që këtyre pyetjeve t’u jap përgjigje të sinqerta dhe, kur ka qënë e nevojshme, të bëja edhe korrigjimet e duhura në platformën e qëllimeve të mia. “Çdo rrugë e njeriut i duket e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat” (Fjalët e Urta 21:2).

Perëndia do të ma frenojë gjuhën. E kam pasur gjithmonë zakon që të flisja pa u menduar mirë duke shkaktuar shpesh telashe në familje ose me kolegët e punës. Perëndia më ka mësuar se shpesh është më mirë që të mos thuash asgjë para se të kenë kaluar emocionet e momentit. Pas kësaj me siguri që do të flasësh me më shumë mençuri. “Në fjalët e shumta mëkati nuk mungon, por ai që frenon gjuhën është i mençur” (Fjalët e Urta 10:19).

Perëndia do të më mësojë përulësinë. Ne mendojmë shpesh se vetëm disfatat dhe dështimet shërbejnë si “sprova” që i bëhen karakterit tonë, por sprova të vërteta për karakterin janë edhe mënyrat se si reagojmë ndaj suksesit që arrijmë dhe namit të mirë që fitojmë. A mbahemi me të madh apo e shijojmë suksesin me përulësi dhe me ndjenjën e mirënjohjes për mundësitë që na janë dhënë nga Perëndia dhe nga ndihma e njerëzve që na rrethojnë? “Poçja (e shkrirjes) është për argjendin dhe furra(e shkrirjes) për arin, por njeriu provohet nga lëvdata që merr” (Fjalët e Urta 27:21).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A pajtohesh me mendimin se Bibla ka vlera aktuale për jetën e sotme apo e konsideron atë vetëm si një libër “fetar” me pak ose aspak influencë në botën reale? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Një biznesmen i shquar ka pohuar se ai çdo ditë dëgjonte mesazhe motivuese në radio dhe nuk linte libër për menaxhimin e biznesit pa lexuar derisa, dikur, ra në kontakt me Biblën dhe filloi të përvetësonte mësimet e saj. Ai arriti në përfundimin se Bibla është libri më i thelluar që është botuar ndonjëherë. Si do t’i përgjigjeshe kësaj konsiderate?
  3. Cili ka qënë mesazhi më i rëndësishëm që ke marrë nga Bibla (në rast se ke marrë) të cilin ke mundur ta zbatosh në punë ose në jetën tënde?
  4. A të vjen ndërmend ndonjë sektor pune ku mesazhet e Biblës nuk mund të aplikohen?

SHENIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të thellohesh më shumë në këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Jozueu 1:8; Psalmet 1:1-6, 19:7-11, 119:9,11, 65-72; 2 Timoteut 3:16-17, Hebrenjve 4:12

ZGJIDHI PUNONJËSIT ME KUJDES

Nga: Rick Boxx
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
15 Shkurt , 2010

Për çdo kompani biznesi kapitali më i rëndësishëm janë punonjësit e vet. Kompania mund të ofrojë produkte dhe shërbime të fjalës së fundit; mund të ketë burime financiare të qenësishme; mund të zbatojë një strategji marketingu të mrekullueshme dhe mund të krijojë një emër shumë të mirë në treg. Por, po nuk pati punonjës të aftë për të përmbushur në vazhdimësi detyrat e tyre në fushën profesionale dhe mbi të gjitha, po nuk pati njerëz me karakter të shëndoshë, suksesi i kompanisë zor se zgjat.

Një ditë, në kohën kur punoja si llogaritar, ndodhi që unë dhe një kolegu im po nxitonim për të përfunduar sa më shpejt një audit financiar në mënyrë që të mund të kapnim avionin e kthimit. Papritur u ndërpre energjia elektrike e qytetit ku ndodheshim. Ishte e pamundur ta përfundonim fotokopjimin e dokumentave të auditit.

Kolegu që më ndihmonte në këtë audit ishte një djalë i ri nga zyrat tona qendrore në Verilindje. “Unë po shkoj në qytetin pranë të bëj fotokopjet,” i thashë. “Ndërkohë ti, bashkë me nëpunësin përkatës merruni me pyetësorin dhe pastaj mundohu të paketosh gjithë dokumentacionin; kështu që të mund të nisemi menjëherë sapo unë të kthehem”.

Kur u ktheva, u habita nga pamja e djaloshit që e kishte zënë gjumi mbi tryezën e dhomës së mbledhjeve. As kishte dalë nga dhoma dhe as ishte marrë me pyetësorin siç e kisha porositur. Kur e zgjova, ai me përçartje më tha se i kishte rënë në kokë alkooli që kishte pirë.
I revoltuar mora në telefon partnerin tonë në Atlanta dhe i sugjerova që ndaj këtij djaloshi të merrej masë disiplinore për qëndrim joprofesional ndaj punës. Më vonë mësova se zyra e Nju Xhersit nuk ishte mjaftuar me kaq, por e kishte pushuar nga puna fare.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës gjejmë shumë thënie të mençura në lidhje me karakterin e njerëzve përfshi këtu edhe zellin e tyre për punë dhe qëndrimin korrekt ndaj saj. Për shembull, në Fjalët e Urta 10:26 thuhet: "Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për atë që e dërgojnë". Sinqerisht e them se ngjarja me atë llogaritar mendjelehtë më shkaktoi të njëjtat ndjesi. U nxeha keq...

Një tjetër fjalë e urtë që ma kujton atë koleg me mungesë motivimi për punën është kjo: “Përtacia të bën të biesh në gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria” (Fjalët e Urta 19:15). Nuk di se çfarë ndodhi më tej me atë djalë, por shpresoj që pushimi nga puna t’i ketë shërbyer si zile zgjimi nga gjumi i mëngjesit.

Dy fjalë të tjera të urta kontrastojnë dukshëm me sa më sipër: “Kush dërgon mesazh me anë të budallait pret këmbët e veta..”. (Fjalët e Urta 26:6) dhe “Një lajmëtar besnik është për ata që e dërgojnë si freskia e borës në kohën e korrjes sepse ai freskon shpirtin e zotit të tij (dërguesit)” (Fjalët e Urta 25:13).

Përderisa punonjësit përfaqësojnë kompaninë, gjithmonë duhet bërë kujdes në zgjedhjen e tyre si për vendet e punës brenda përbrenda kompanisë ashtu edhe për sektorët ku zhvillohen marrëdhëniet me klientët. Nuk mund të mbështetesh vetëm në namin e mirë të kompanisë apo në marrëdhëniet e dikurshme me klientët. Në çdo kohë sjelljet jo profesionale dhe shërbimi i pakulturuar mund të lënë përshtypje negative që janë të vështira për t’u shlyer.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A pajtohesh me mendimin se kapitali më i çmuar për çdo kompani janë njerëzit e saj? Pse ose pse jo?
  2. Si do të kishe vepruar ti në rast se do të të duhej të bashkëveproje me një koleg apo punonjës mendjelehtë dhe të papërgjegjshëm?
  3. Zgjedhja e punonjësve përbën një sfidë të madhe. Në ç’mënyrë pronarët ose drejtuesit e një kompanie mund të zgjedhin njerëz me cilësitë e duhura si zelli e motivimi për punë dhe karakteri i shëndoshë?
  4. Çfarë përpjekjesh ke bërë që, sa herë ndodhesh para situatave në të cilat ti përfaqëson kompaninë para të tjerëve, të luash rolin e “lajmëtarit që freskon shpirtin e zotit të tij” në mënyrë që të paraqitësh një imazh pozitiv i cili ngjall besim?

SHËNIM: Në qoftë se e ke Biblën dhe do të dëshiroje të dije më shumë për këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Fjalët e Urta 10:4-5; 13:4; 17:21,25; 18:9; 19:3,10; 21:25; 24:7; 26:1,11

KUSH THOTË SE PARAJA NUK SJELL LUMTURINË?

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
8 Shkurt, 2010

Çdo kulturë ka proverbat e saj, fjalë të urta që i kanë rezistuar kohërave e që kanë kaluar nga brezi në brez duke u pranuar si të vërteta. Por jo të gjitha janë të vërteta. Marrim, për shembull, proverbin që përsëritet aq shumë (në Amerikë): “Shkopinjtë dhe gurët mund të më thyejnë kockat, por emrat s’kanë ç’më bëjnë.” Në të vërtetë, emrat (e njerëzve), kur është fjala për kujtime të pakëndshme prej tyre, të shkaktojnë shqetësim dhe shpesh dhimbja shpirtërore që sjellin, mund të jetë më jetëgjatë se sa dhimbja fizike që provon kur goditesh nga ndonjë objekt.

Një tjetër proverb me vërtetësi të dyshimtë është ky, “Paraja nuk sjell lumturinë.” Mendohu pak: A nuk ndjehesh i lumturuar kur ta rrisin rrogën në punë? Po kur merr papritur ndonjë çek parash, a nuk përjeton momente lumturie? Po kur ke vendosur të shesësh diçka dhe merr vesh se çmimi i saj në treg është më i lartë nga sa ke menduar, a nuk ndjehesh i lumturuar?

Edhe Bibla e pranon se, “Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por të varfrin e braktis miku i tij...të gjithë janë miq të atij që bën dhurata” (Fjalët e Urta 19:4, 6). Padyshim, nëse do të zgjidhnim para dy mundësive - për të pasur ose mos pasur para - të gjithë do të zgjidhnim mundësinë e parë. Apo jo?

Por çështja është se çfarë nënkuptojmë me fjalën “lumturi”? Vite më parë kam dëgjuar një program në radio që bënte një dallim të shkëlqyer midis lumturisë dhe gëzimit. Lumturia, thuhej aty, ka të bëjë me ngjarje, faktorë të jashtëm që ndikojnë mbi ne në mënyrë pozitive ose negative. Gëzimi, shpjegonte folësi, është një ndjesi e brendshme mirëqenieje, diçka që nuk varet nga çfarë ndodh rreth nesh.

Të marrim si shembull rastin kur blejmë një makinë të re. Ky fakt mund të na lumturojë së tepërmi duke filluar nga çasti që ndjejmë aromën karakteristike të makinës së dyqanit dhe prekim aksesorët e saj modernë e deri në çastet kur provojmë emocionet e ngarjes së një makine të re. Megjithatë, nëse dikush në parkim na e godet makinën e na shtrembëron parafangon e saj, lumturia që provuam zhduket menjëherë. Ky lloj lumturimi venitet edhe me kalimin e kohës teksa shohim makinën tonë që fillon e vjetrohet. Pra, paratë mund të blejnë lumturi, por ato nuk mund ta ruajnë atë përgjithmonë.

Gëzimi, përkundrazi, mund të ruhet edhe në çaste dhimbjeje, humbjeje, ose fatkeqësish të mëdha. Sepse ai ka të bëjë me ndjenjën e plotësimit të brendshëm shpirtëror dhe nuk cënohet nga rrethana të jashtme. Prandaj është më e saktë të theksojmë se paraja mund ta blejë lumturinë, por ajo nuk mund të blejë gëzimin. Edhe Bibla flet për këtë:

Syno për gjërat e duhura. Paraja është e dobishme, por ajo ka limitet e veta. Ajo s’ka vlerë kur vijmë në fundin e jetës tonë. Në atë pikë, ajo që ka rëndësi është vetëm trashëgimia që lëmë pas, reflektimi mbi atë se si e jetuam jetën dhe çfarë ndikimi lamë në këtë botë. “Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja” (Fjalët e Urta 11:4).

Fokusohu në gjërat që zgjasin në kohë. Një tjetër proverb thotë: “Kollaj vjen, kollaj ikën (nga kjo jetë mbi tokë)” Pra, a është mençuri që t’ia përkushtojmë gjithë kohën dhe energjitë tona sigurimit të pasurive që mund t’i humbasim aq lehtë e shpejtë? "Mos u lodh për t’u pasuruar…Sa të hapësh e të mbyllësh sytë pasuria do të bëjë krahë e do të fluturojë drejt qiellit si shqiponjë". (Fjalët e Urta 23:4-5).

Grumbullo pasurinë e vërtetë. Nëse kuptimin e jetës tonë e gjejmë tek gëzimi në kuptimin e plotësimit shpirtëror, pak rëndësi ka nëse kemi shumë para apo hiç fare. “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin. Përkundrazi, mblidhni për vete thesare në qiell ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë e nuk vjedhin” (Mateu 6:19-20).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A e ke dëgjuar më parë thënien, “ Lumturia nuk blihet me para”? Çfarë mendon për përkufizimin se paratë blejnë lumturi, veçse ajo nuk mund të konservohet përgjithmonë.
  2. Në ç’mënyrë të lumturon paraja? A ka raste që paraja të bën të palumtur? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë mendon për ndryshimin midis lumturisë dhe gëzimit? A je dakord me këtë dallim mes tyre. Pse ose pse jo?
  4. Si i përgjigjesh ti mesazheve biblike mbi paratë, pasurinë dhe mirëqenien të paraqitura në këtë Manna të së Hënës?

SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Fjalët e Urta 11:18,28, 15:16,27, 18:11, 21:20, 27:24; Predikuesi 5:8-20; Mateu 7:24-27

SI TË JESH MIRËNJOHËS KUR TË JESH NË KOHË TË VËSHTIRA

Nga: Rick Warren
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
1 Shkurt, 2010


Çfarë bën kur ndodhesh përpara një situate që të ka dalë jashtë kontrollit? Ndoshta biznesi nuk po të ecën mirë, ke vështirësi financiare të ndjeshme apo ndoshta të është pleksur keqas situata jote personale... Çfarë të bësh, të fillosh të shqetësohesh?
Bibla jep disa këndvështrime interesante në lidhje me këtë dhe sugjeron që, në vend që të shqetësohesh, duhet të jesh mirënjohës: “Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh e përgjërimesh, me falenderim” (Filipjanëve 4:6).

Ta analizojmë pak këtë këshillë:

1. Mos u shqetëso për asgjë. Shqetësimi nuk i rregullon gjërat. Ai është një lloj “pemë pa kokrra”. Njerëzit nuk lindin me ndjesinë e të shqetësuarit. Kjo ndjesi merret gjatë jetës. Ndoshta e merr nga prindërit. Nëse jo, atëherë mund ta marrësh nga shoqëria ose edhe nga përvoja jote personale. Megjithatë ky fakt në vetvete është pozitiv, po qe se ndjenja e shqetësimit është diçka e mësuar, prej saj edhe mund të ç’mësohemi. Jezusi thotë: “Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet” (Mateu 6:34).

2. Lutu për gjithçka. Përdore për lutje kohën që do të harxhoje për t’u shqetësuar. Po të luteshe me atë intensitet me të cilin shqetësohesh, atëherë nuk do të mbetej më hapësirë për shqetësimin. Disa mendojnë se Perëndia kujdeset vetëm për gjëra të tilla si p.sh. sa njerëz shkojnë në kishë dhe sa para dhurojnë ata për çështjet e besimit. Në fakt, Perëndia interesohet për gjithçka që nga taksat e makinës e deri tek dhimbjet e kyçeve. Kjo do të thotë se mund t’i drejtohesh Perëndisë për çdo problem që ke.

3. Për gjithçka falendero Perëndinë. Kurdoherë që të lutesh lutu me përgjërim e falenderim. Ekspertët e psikologjisë thonë se emocioni njerëzor më i shëndetshëm nuk është dashuria, por mirënjohja. Duke u mbushur me ndjenjën e mirënjohjes forcon imunitetin e organizmit tënd. Bëhesh më rezistent ndaj streseve dhe ndaj sëmundjeve. Njerëzit që janë mirënjohës janë të lumtur, kurse mosmirënjohësit nuk lumturohen kurrë. Ata janë gjithmonë të pakënaqur; asgjë nuk ua mbush syrin. Prandaj, në qoftë se ti ushqen në vetvete ndjenjën e mirënjohjes duke mësuar të jesh falenderues për gjithçka, streset e jetës do të të pakësohen dukshëm.

4. Mendo vetëm për gjëra të mira e të drejta. Nëse kërkon të pakësosh streset në jetë duhet të ndryshosh mënyrën e të menduarit. Mënyra se si mendon përcakton mënyrën se si ndjen, kurse mënyra se si ndjen përcakton mënyrën se si vepron. Prandaj, nëse dëshiron të ndryshosh diçka nga jeta, duhet të ndryshosh mënyrën e të menduarit.

Kjo kërkon një zgjedhje të vullnetshme e të ndërgjegjshme të kanaleve të mendjes ashtu sikundër bëhet zgjedhja mes kanaleve të televizorit. Mund të zgjedhësh që të mendosh vetëm për gjëra të mira e të drejta duke u përqëndruar në Fjalën e Perëndisë. Po pse? Sepse shkaku themelor i stresit qëndron tek mënyra që ke zgjedhur për të menduar. Mendo pozitivisht dhe do t’i pakësosh dukshëm streset në jetë.

Atëherë kur nuk shqetësoheni më, atëherë kur luteni për gjithçka, atëherë kur falenderoni dhe atëherë kur ju fokusoheni në gjëra të mira e të drejta, apostulli Pal ju siguron se, “Paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipjanëve 4:7).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Cili është përgjithësisht reagimi yt instiktiv kur ndodhesh para problemesh të mëdha që kërkojnë t’iu japësh zgjidhje? Shqetësohesh dhe turbullohesh edhe kur e di se ke pak ose aspak gjë në dorë për zgjidhjen e tyre? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Çfarë mendon për sugjerimin se, në vend që të shqetësohesh, përpiqu të lutesh për tejkalimin e vështirësive?
  3. Si mund të jetë njeriu mirënjohës dhe falenderues kur përballet me fatkeqësi, vështirësi dhe probleme të pazgjidhshme?
  4. Rekomandimi i fundit i Dr. Warren në lidhje me përballimin e momenteve të vështira është që të ndryshosh mënyrën e të menduarit dhe të adoptosh një mentalitet pozitiv. Të duket realist ky rekomandim? Pse, ose pse jo?

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe dëshiron të shohësh pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, drejtohu si më poshtë:
Isaia 26:3, 41:10; 2 Korintasve 1:3-7; Hebrenjve 13:5-6; 1 Pjetri 5:7