headerphoto

DREKAT FALAS DHE DHURATAT E KRISHTLINDJES

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
21 Dhjetor, 2009


Në botën profesionale dhe të biznesit ka një shprehje të njohur: “S’ka gjë me vlerë se sa një drekë falas.” Ti mund të thuash: “Ehuu, sa dreka falas kam ngrënë unë!” Por këtu nuk bëhet fjalë për drekat në kuptimin gastronomik të fjalës.

Përfaqësuesit e marketingut të një kompanie me të cilën bëjmë shumë aktivitet, më ftuan për drekë ku, natyrisht, paguan ata. Por çfarë kuptimi dhe vlere kishte kjo drekë “qyl”? Gjatë asaj dreke, ku para pjatave me gjellëra të shijshme, u zhvillua një muhabet i këndshëm, objektivi final ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dhe shkëmbimi i informacionit reciprok mbi produkte dhe shërbime të reja.
Ti mund të shijosh një drekë “falas” në punë gjatë diskutimit për çështje të rëndësishme të biznesit. Në thelb kompania të paguan ty për kontributin ekstra që jep në atë rast. Pra dreka nuk është edhe aq falas. Ti vërtet nuk paguan ushqimin, por gjatë asaj kohe ti ke marrë përsipër detyrime të caktuara në lidhje me punën.

E ngre këtë çështje sepse mbas pak ditësh ne do të festojmë Krishtlindjen. Tradita e festimit të Krishtlindjes ndryshon nga njeri vend në tjetrin dhe nga njëra kulturë në tjetrën, por megjithatë, në shumicën e rasteve kudo shkëmbehen dhurata. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe përderisa Krishtlindja është e lidhur me emrin e Jezu Krishtit, të cilin Bibla e paraqet si dhuruesin më të madh të të gjitha kohërave.

Gjoni 3:16 na thotë, “Sepse Perëndia aq e deshi botën sa dha birin e tij të vetëm që, kushdo që beson në të, të mos humbasë , por të ketë jetën e përjetshme.” Diku tjetër thuhet, “ Paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë.” (Romakeve 6:23). Një përkthim tjetër i këtij vargu e përcakton atë si “dhuratë falas” nga Zoti. Kjo për shkak se dhurata e faljes dhe jetës së përjetshme jepet falas për të gjithë ata që e marrin, pa kushte.

Sepse edhe vetë Jezu Krishti është vetësakrifikuar për ne pa kërkuar asgjë nga ne.
Por Ai e ka bërë këtë me një kosto të lartë që shkon përtej çdo imagjinate. Të shohim shkurtimisht se për çfarë kostoje bëhet fjalë:
Zoti sakrifikoi autoritetin e tij duke u shndërruar në njeri. Imagjinoni mbretin e një vendi që merr rolin e qytetarit më të varfër. Ai e beri këtë duke u mishëruar si njeri në personin e Jezu Krishtit, duke zbritur nga lartësitë e tij për të jetuar mes njerëzve për tu bërë mësuesi, shembulli dhe, më në fund, shpëtimtari i tyre. “Dhe Fjala (Jezu Krishti) u bë mish dhe qëndroi mes nesh ” (Gjoni 1:14).

Jezusi pagoi koston e mëkatit tonë. Vetë nuk mëkatoi, por në kryq Ai mbajti peshën e mëkateve të gjithë njerëzimit në mënyrë që ky i fundit të pastrohej dhe të merrte faljen e Zotit; “Perëndia e bëri mëkatar për ne atë që s’kishte mëkate, që nëpërmjet Tij ne të bëhemi drejtësi e Perëndisë", (2 Korintasve 5:21).

Ai vdiq për ne. Jezusi shkoi drejt kryqit me vullnet të plotë për të vuajtur dënimin me vdekje në emrin tonë. Megjithëse paaftësia jonë për të jetuar sipas standardeve perfekte të Zotit na destinon për të qenë të dënuar me vdekje, Jezusi na ka thënë këtë gjë thelbësore: “Në vend që të vdisni ju do të vdes unë” .“Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, ndërkohë që ne ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”, (Romakeve 5:8).

Cila duhet të jetë përgjigja jonë? Çfarë kërkon nga ne Jezusi ndërsa festojmë Krishtlindjen dhe në mënyra të ndryshme përkujtojmë vetë Krishtin e Krishtlindjes? Përgjigjen e gjejmë tek Gjoni 1:12, që i referohet përsëri dhuratës çudibërëse të Zotit – “të gjithëve atyre që e pranuan, atyre që besojnë në emrin e Tij, Ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë.”
Nëse ende nuk e ke bërë, a do ta meritosh edhe ti sot dhuratën më të çmuar të Krishtlindjes?

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A ekziston vërtet “drekë falas”, diçka që nuk ka kosto për askënd? Cili ka qënë objektivi i “drekës falas” që ke ngrënë kohët e fundit.
  2. Kur dëgjon fjalën Krishtlindje, çfarë mendimesh të vijnë?
  3. Çfarë mendon për dhuratën e Zotit për Krishtlindje – Jezusin, që erdhi në tokë si fëmijë dhe u rrit e bë burrë? A e ke menduar ndonjëherë se çfarë kosto ka pasur kjo dhuratë?
  4. A je përgjigjur ndonjëherë ndaj dhuratës që të ofron Zoti – dhuratën e faljës dhe premtimit për jetë të përjetshme? Shpjegoje përgjigjen.

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Gjoni 4:10; Romakeve 5:15-17; 2 Korintasve 9:15; Efesianeve 2:8; Hebrejve 6:4-6; Jakobi 1:17-18

0 komente:

Post a Comment