headerphoto

SI NJIHET TJETRI

Nga: Jim Mathis
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
29 Mars, 2010

Një shoku im, Dejvi, i tha një shoku tjetër, Eduardit, se donte të njihej më shumë me të dhe të bëheshin miq. Disa ditë më pas, Dejvit i erdhi me postë një kopje me dedikim e librit autobiografik të Eduardit. Libri shoqërohej me një shënim të këtij të fundit ku thuhej se aty Dejvi mund të informohej për gjithçka që donte të dinte mbi Eduardin. Po t’i lindnin pyetje, shkruante ai, mund të sqaroheshin me telefon. Dejvi u ndje i fyer. Ai kërkonte marrëdhënie me Eduardin dhe jo fakte mbi jetën e tij.

TË PASURIT E HIRIT

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
22 Mars, 2010

Herë pas here dëgjojmë që njerëzit diskutojnë dhe krahasojnë aspekte të feve e sistemeve të ndryshme të besimit, por Krishtërimi paraqet një aspekt krejtësisht unikal, konceptin e hirit që përcaktohet si një favor i pamerituar ose si pranim i pakushtëzuar. Kuptimi i këtij koncepti lidhet me faktin se “hiri” nuk është diçka që mund ta “fitojmë” dhe as diçka që mund ta marrim sepse e “meritojmë”. Të kesh hirin, në fakt, është të kesh diçka që mund të ta japin vetëm të tjerët.

FORCA SHËRUESE E NJË GJESTI TË MIRË

Nga: Rick Boxx

Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
15 Mars, 2010


Kohë më parë unë dhe ime shoqe festonim përvjetorin e martesës në një restorant tonin të preferuar. Sapo mbaruam pjatat kryesore, kamarieri na solli një ëmbëlsirë shumë të mirë. Ishte porositur nga Lili, një e njohura jonë, të cilën e kishim vënë re që kur hymë në restorant.

SEKRETET E FITORES MBI MËRZITJEN

Nga: Rick Warren
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
8 Mars, 2010

A të shkon mendja gjithnjë tek më e keqja? A të zënë të dridhura kur merr një letër nga zyra e taksave apo ndonjë zyre tjetër ku paguhen detyrime? A ndjehesh i/e frikësuar kur dëgjon thashetheme për pushime nga puna? A shqetësohesh përgjithësisht edhe kur e sheh se nuk ka ndonjë gjë reale për t’u shqetësuar - thjesht nga një lloj bindjeje se, herët a vonë, diçka e keqe ka për të të ndodhur?

TA SHNDËRROSH NJË FILLIM TË KEQ NË NJË PËRFUNDIM TË MIRË

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
1 Mars, 2010

U bënë dy muaj që kemi hyrë në një vit tjetër dhe, në qoftë se ti je njësoj si shumë njerëz të tjerë, me siguri ke diçka që do të dëshiroje ta kishe bërë ndryshe nga si e ke bërë. Ndoshta mund të jesh edhe duke vuajtur pasojat e një vendimi që ke marrë ose veprimi që e ke bërë gabim në të kaluarën. Ah, sikur të kishe mundësinë për ta ripërsëritur atë vendim apo veprim! Ata që luajnë golf e dinë se ç’do të thotë fjala “mulligan”: mundësia për ta përsëritur edhe një herë një goditje të topit që e ke bërë keq. Fatkeqësisht jeta reale nuk na e jep mundësinë për të shijuar “mulliganë”. Na duhet të vazhdojmë jetën duke i mbajtur në kurriz pasojat e vendimeve e të veprimeve të gabuara që kemi bërë.

Kohët e fundit dikush më dërgoi një thënie që i referohet pikërisht kësaj lloj dileme: “Askush nuk mund të fillojë një fillim të ri, por që sot mund të fillosh të përgatisësh një fund të ri.”

Më duket arsyetim i shëndoshë. Pavarësisht nëse ke të bësh me një lojë golfi, apo hapjen e një biznesi të ri, ose krijimin e marrëdhënieve të reja me dikë etj., ti ke një dhe vetëm një mundësi për të filluar procesin. Nganjëherë ne dështojmë pikërisht në këtë mundësi të vetme duke mos filluar me hapin apo me potencën e duhur. Ndodhemi kështu në pozitën e çdo sprinteri, qoftë edhe i klasit ndërkombëtar, që, në rast se rrëzon ose rrëzohet nga pengesat, nuk i jepet mundësia për ta rifilluar garën nga fillimi. S’na mbetet gjë tjetër pra, veçse të vazhdojmë përpara dhe të shpresojmë që të bëjmë sa më pak gabime në pjesën e mbetur të rrugës së jetës.

Çfarë të ka mbetur peng në jetë që do të deshe ta kishe bërë ndryshe ose të mos e kishe bërë fare? Mund të kesh zgjedhur një karierë që, tani, duke parë mbrapa, të duket e papërshtatshme. Dikush mund të të ketë ofruar mundësira që tashmë nuk t’i ofron më. Mund të kesh bërë investime të cilat po të rezultojnë të gabuara. Mund të kesh shkuar aq larg në prishjen e një marrëdhënieje të rëndësishme sa ajo nuk mund të riparohet më. Fatkeqësisht, pavarësisht se sa shumë do të dëshiroje që gjërat të ishin bërë ndryshe, ato nuk mund të zhbëhen më. Ç’mund të bëjmë?

Ashtu sikundër pohon thënia e mësipërme, fillimi tashmë është ngurosur në beton e s’kemi se çfarë t’i bëjmë, por mund të bëjmë një gjë tjetër: t’i përvishemi punës për të përgatitur një fund të ri, më premtues. Bibla thotë shumë për këtë gjë:

Leri pas dështimet e dikurshme dhe ripërkushtoju qëllimeve të tua. Nuk është aspak produktive të vazhdosh të jetosh me të kaluarën e cila nuk mund të ndryshohet. Mbas një rivlerësimi që duhet t’u bësh pyetjeve të tilla si: - Për ku je nisur? Si mendon se do të arrish atje për ku je nisur? Si do ta marrësh vesh se ke mbërritur? – përqëndrohu drejt destinacionit tënd. “…Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u tendosur drejt atyre që kam përpara, po ndjek synimin për të fituar çmimin e thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.”(Filipianëve 3:13-14).

Po mbajte vazhdimisht kokën mbrapa do të gabosh rrugën që ke përpara. Fermeri që nget traktorin për të liruar tokën e mban vështrimin përpara sepse, po pa shumë mbrapa, patjetër që do të shmanget nga vija e brazdës. “Ji i zellshëm të dalësh para Perëndisë si i sprovuar, një punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që e ndan drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15).

Ato ç’ka trashëgojmë nga e kaluara shpesh nuk përputhen me të sotmen ose me të ardhmen. Nganjëherë thuhet, “Lëre të shkuarën në të shkuarën”. Shpesh një fillim i ri, një ndarje totale me atë ç’ka ka ndodhur më parë, përbën kursin më të mirë në hulumtimin tonë për të farkëtuar një të ardhme të dëshirueshme. “Asnjë nuk gris një copë nga një rrobë e re për ta qepur atë mbi një rrobë të vjetër; përndryshe ai do ta ketë të grisur rrobën e tij të re dhe copa nga e reja nuk do t’i përshtatet të vjetrës”. (LLuka 5:36)


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Çfarë do të deshe që ta bëje ndryshe në jetë në rast se do të kishe mundësi?
  2. A të ka penguar ndonjë veprim a kujtim i hidhur i së kaluarës për të ecur drejt së ardhmes në një mënyrë të shëndetshme e produktive? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Në cilat raste mendon se është e dobishme t’i hedhësh sytë nga e kaluara? A është harrimi total i së kaluarës një veprim i mençur? Pse ose pse jo?
  4. Në qoftë se do të ndiqje këshillën e thënies: “Fillo sot dhe përgatit një fund të ri”, cilat mund të ishin hapat e parë që do të ndërmerrje?

SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të shikoje më shumë për këtë temë, referoju pasazheve si më poshtë:
Psalme 40:1-3; Ezekieli 36:26; Lluka 5:37-39; 2 Korintasve 5:17; Hebrenjve 10:32-39; Zbulesa 21:3-4