headerphoto

TE PERBALLOSH LIGESHTIMIN – Pjesa e 2-të

Nga: Rick Warren
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
Nëntor 02, 2009


Muajin e kaluar shkrova mbi një fenomen që herë pas here na prek të gjithëve: Dekurajimin (Ligështimin). Këtë muaj do të desha t’i rikthehesha këtij fenomeni, por nga një këndvështrim disi i ndryshëm.

Shumë gjëra na bëjnë të dekurajohemi dhe na pengojnë që ne të kryejmë misionet tona në jetë. Për vite me radhë kam vrarë mendjen të gjej nëse armiku ynë më i keq është tendenca për t’i shtyrë punët pafundësisht apo dekurajimi përfundimtar. Nëse Djalli nuk arrin dot të na bëjë që të shtyjmë pafundësisht plotësimin e detyrave tona misionare, atëherë ai do të përpiqet që ne të heqim dorë krejt prej tyre.

Në Bibël, apostulli Pal na këshillon që të veprojmë kështu përballë dekurajimit: “Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos ligështohemi do të korrim bekimin në kohën e duhur”(Galatasve 6:9, New Living Translation)

A ndjehesh ndonjëherë i lodhur duke bërë të mirën? Mendoj se të gjithë e provojmë këtë ndjesi. Nganjëherë duket më e kollajshme të bësh gjëra që konsiderohen si të gabuara se sa gjëra që konsiderohen si të drejta. Kur ligështohemi bëhemi te padobishëm. Kur ndjehemi të dekurajuar shpesh fillojmë të veprojmë edhe kundër fatit tonë.

Kur ndjehem i ligështuar them me vete, “Kjo s’bëhet.” Pra them pikërisht të kundërtën e asaj që duhet të them në të vërtetë, se: “ Zoti mund ta bëjë këtë sepse Ai ka thënë…”
Bëji këto pyetje vetes:
  • Si e përballoj dështimin?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a nervozohem?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a dëshpërohem?
  • Kur gjërat nuk ecin siç do të dëshiroja unë, a filloj të ankohem?
  • A jam në gjendje ta çoj deri në fund atë që kam nisur?
  • Si paraqitem unë? Jam apo s’jam këmbëngulës?
Më lejoni t’ju jap një këshillë: Nëse ndjehesh i ligështuar e i dekurajuar, mos u dorëzo pa luftë. Asgjë me vlerë nuk arrihet pa përpjekje dhe këmbëngulje.

Kur artisti fillon të gdhende një skulpture, atij i duhet ta godasë gurin mijëra herë. Ai nuk mendon se me një të goditur të vetme të daltës me çekiç, pjesët e tepërta të gurit do të bien përdhe dhe skulptura do të shfaqet menjëherë në formën e saj të përkryer. Ai vazhdon të godasë e të godasë duke hequr vazhdimisht pjesët e gurit që pengojnë shfaqjen e skulpturës sipas imazhit që ai e ka ndërtuar në mendjen e tij.

Kështu është edhe në jetë. Asgjë nuk vjen lehtë. Njeriu i qepet një qëllimi, e ndjek atë pa pushim derisa dalëngadalë jeta e tij shndërrohet në një kryevepër të hirit të Perëndisë. Tek Efesianëve 2:10 thuhet: “Sepse jemi vepra e Perëndisë, e krijuar në Krishtin Jezus për të bërë vepra të mira, për të cilat Perëndia na ka përgatitur qysh më parë”.

Fakti është se njerëzit e mëdhenj nuk janë gjë tjetër veçse njerëz të zakonshëm të pajisur me një forcë të madhe këmbëngulëse. Njerëzit e mëdhenj nuk dinë se si hiqet dorë prej diçkaje. Ata nuk i dorëzohen kurrë ligështimit.


Reflektim/Diskutim/ Pyetje
  1. A ndodhesh aktualisht ti ose ndokush pranë teje para vështirësish? Cila prej tyre po të çon më shumë në ligështim?
  2. Dr. Warren thotë se ligështimi shpesh na bën që t’ju shmangemi rrethanave që e kanë shkaktuar atë, madje duke bërë edhe veprime që shkojnë në kundërshtim me bindjet tona të drejta. A të ka ndodhur ty kjo? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A mendon se këmbëngulja dhe mosdorëzimi ndihmojnë në tejkalimin e ligështimit? Si?
  4. Çfarë mendon për pohimin se teksa ti e përball ligështimin duke këmbëngulur në qëllimin tënd, “dalëngadalë jeta jote shndërrohet në një kryevepër të hirit të Perëndisë”?
SHENIM: Nëse e ke Biblën, mund të lexosh edhe disa pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Mateu 6:25-34, 11:28-30; 1 Korintasve 15:58; Filipianeve 3:12-14; Hebrejve 10:24-25

0 komente:

Post a Comment