headerphoto

NXITIMI SJELL VARFERINE

Nga: Rick Boxx
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
16 Nëntor, 2009

A të ka ndodhur që ndonjë shitës malli nga ata me përvojë të të bëjë presion që ti tija blesh patjetër mallin duke u përpjekur të të mbushi mendjen se, po nuk e bleve, ke humbur një gjë shumë të madhe? Këtë ndjesi jam duke provuar edhe unë teksa dëgjoj se si nga të gjitha anët e botës ofrohen strategji të ndryshme për të përballuar dhe lehtësuar sëmundjen që ka pllakosur ekonominë globale.

Kemi parë qeveritarë që ushtrojnë presion mbi ligjbërësit vendas që këta të fundit të mbështesin planet e tyre rimëkëmbëse. Shpesh këtyre planeve u mungojnë detajet e hapave konkrete që duhen ndërmarrë, por liderët ngulin këmbë në presionet e tyre që këto plane të pranohen doemos – dhe madje sa më shpejt, aq më mirë.

Në çdo rast justifikimi tingëllon pak a shumë kështu: “ Ky është i vetmi plan i mundshëm dhe, po nuk e ligjëruam atë në parlament brenda javës, do behët kiameti.” Fatkeqësisht kjo lloj përqasjeje bazohet tek ankthi dhe frika e të gjithëve dhe aspak tek një arsyetim i urtë dhe i kujdesshëm.

Në kohëra dhe në forma të ndryshme të gjithë kemi përjetuar raste të tilla si p.sh. bërjen e një investimi të nxituar për shkak të rrethanave të caktuara imponuese, veprim ky për të cilin më vonë jemi penduar keqas. Ky mund të ketë qenë për blerjen e një shtëpie, të një prone, të një makine ose edhe duke hyrë në ortakëri biznesi apo duke bërë një përkushtim financiar të caktuar.

Në të tilla raste unë përpiqem t’i përmbahem një parimi i cili është sprovuar mirë për saktësinë e tij: “Veprimi i nxituar është receta e dështimit”. E mira e do që, kur nuk ke kohë për të reflektuar siç duhet mbi një vendim të rëndësishëm, të heqësh dorë fare nga oferta që të bëhet. Më ka dalë më mirë kur kam humbur mundësinë për fitim për shkak se kam mbivlerësuar kujdesin për shmangien e rreziqeve se sa kur kam vepruar nën presion nga i cili mund të pësoja ndonjë humbje të pariparueshme.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës, Fjalët e Urta 21:5 na mësojnë: "Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri". Shpesh punët paraqiten të ngatërruara dhe, në disa raste, të mos vepruarit shpejt mbart rreziqet e veta, por unë mendoj se rreziqet janë shumë më të mëdha kur në ndërmarrim një veprim të pamenduar mirë më parë si për anët e veta pozitive ashtu edhe për ato negative.
Prandaj, kur ndodhesh përballë vendimesh të rëndësishme, mos iu nënshtro presioneve dhe mos vepro me nxitim sepse ka rrezik që të pendohesh më vonë. Shikoje gjithçka me qetësi dhe arsyeto për aq kohë sa të duhet.

Bibla gjithashtu na mëson se: “Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por ai gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve” (Fjalët e Urta 11:14). Këtu fjala është për rreziqet që mbartin veprimet e nxituara kur nuk gjejmë kohën për të vrarë mendjen e për t’u këshilluar paraprakisht.
Për çdo kompani, e cila mund të ketë bërë përpara si pasojë e ndonjë vendimi apo veprimi të shpejtë e të pa menduar gjatë, ka dhjetëra – madje qindra kompani të tjera – të cilat janë shpartalluar krejtësisht për shkak të vendimeve të nxituara.
Bëj ç’është e mundur që të mos jesh një prej tyre!


Reflektim/Diskutim/ Pyetje
  1. Si të duken përpjekjet e nxituara të qeveritarëve për zgjidhjen e problemeve të krizës? A të janë dukur të menduar mirë planet e ofruar prej tyre?
  2. Kujto rastin kur ke marrë një vendim të shpejtë në lidhje me punën ose jetën personale. Cili ka qenë rezultati? Po të kishe pasur më shumë kohë për t’u menduar, a do e kishe marrë atë vendim? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë hapash duhen ndërmarrë që të shmangësh vendime e veprime të nxituara për të cilët më vonë mund të pendohesh?
  4. A je dakord me thënien e Biblës se vendimet e nxituara çojnë në varfëri dhe se rruga drejt fitores dhe suksesit kalon nga këshillimi i mirë dhe udhëheqja e duhur? Pse je dakord, ose pse nuk je?

Shënim: Po të kesh Biblën dhe do të dëshiroje të lexoje më shumë për këtë temë, shiko pasazhet e mëposhtme:

0 komente:

Post a Comment