headerphoto

ZGJIDHI MJETET QE PERDOR DHE KESHILLAT QE PRANON

Nga: Jim Mathis
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve te krishtere
28 DHJETOR, 2009


Disa kohë më parë po bisedoja me një dizajner vebsajtesh, i cili bënte be e rrufe se sot të gjithë përdorin Moxilla Firefox si motor kërkues të internetit, prandaj edhe unë duhej të filloja ta përdorja. Sipas tij, Internet Explorer-i kishte dalë jashtë mode, ndaj duhej injoruar.

Kam edhe disa miq, të cilët përdorin kompjutera Mackintosh, që shpesh më thonë se të gjithë sot përdorin ketë lloj sistemi, ndaj unë duhet të heq dorë nga Microsoft Windows.

Nuk e pata të vështirë të bëja ca kërkime dhe më rezultoi se vetëm 8% e atyre që hyjnë në internet përdorin Firefox. Më shumë se 90% përdorin një nga variantet e Internet Explorer-it. Gjithashtu doli se vetëm 7% e tyre përdorin Mackintosh.
Kur mësova se më shumë se 90% e njerëzve përdorin Windows dhe Internet Explorer, mendova se opinionet e të tjerëve duhen marrë me rezerva. Po kështu, edhe unë vetë, duhet të jem i kujdesshëm kur jap opinione sepse shumë gjëra sot janë lehtësisht të verifikueshme dhe faktet mund të dalin kundër opinionit tim.

Tek Veprat 17:11, Bibla thotë kështu për Bereanët, “...këta ishin më fisnikë se Thesalonikasit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse çka thoshtë Pali ishte e vërtetë.” Sipas këtij paragrafi, të studiosh Shkrimet e shenjta për të verifikuar faktet do të thotë të demonstrosh një karakter fisnik.

Nuk duhet të pranojmë symbyllazi atë që na thonë të tjerët, por duhet të bëjmë verifikimet tona. Kjo vlen në çdo fushë: kur marrim vendime për biznesin, financat ose vendime të jetës personale, por më tepër vlen kur marrim vendime në lidhje me çështje shpirtërore. Ndoshta nuk ka shumë rëndësi se cilin motor kërkimi në internet do të përdoresh, por të arrish të kuptosh dashurinë e Zotit dhe faljen që Ai ofron nëpërmjet Jezu Krishtit, kjo është diçka me vlera të përjetshme. Prandaj vendimet që merr nuk duhet të bazohen kurrë në thashethemnaja dhe në opinionet e të tjerëve. Ato duhen ndërmarrë vetëm pasi të lexohet mire libri i burimit – Bibla.

Mbasi bëra atë bisede me dizajnerin e vebsajteve, shkarkova nga interneti Firefox-in dhe pashë që ky motor kërkimi i ka disa përparësi. Megjithatë, Internet Explorer-ii ka edhe ai përparësitë e veta, kështu që unë fillova t’i përdor që të dy, sipas nevojave. Janë mjete kërkimi dhe, sot për sot, nuk ka një mjet universal kërkimi ne internet. Sa më shumë mjete të tillë të kesh në kompjuter dhe sa më shumë t’i përdorësh ata sipas nevojave specifike, aq më mirë është.
Kështu ndodh edhe me procesin e pasurimit shpirtëror. Studimi i Biblës është një mjet i rëndësishëm për të mësuar mbi Zotin. Lutja është një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij procesi, ashtu sikundër janë edhe inkurajimi nga të tjerët që bëjnë pjesë në komunitetin tonë të besimit, të mësuarit nëpërmjet predikimeve dhe fjalimeve në kishë, nëpërmjet leximit të librave etj.

Tri pika për t’i mbajtur mend:
  • Mos beso gjithçka që dëgjon.
  • Përdor të gjitha mjetet që ke në dispozicion.
  • Ji i hapur ndaj asaj që të thotë Zoti.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Kur të nevojitet një këshillë, si e përcakton personin të cilit i adresohesh dhe çfarë bën me informacionin që merr prej tij?
  2. A ke marrë ndonjëherë këshilla prej dikujt që t’i ka dhënë ato me siguri absolute dhe më vonë ke zbuluar se këto këshilla ishin të gabuara? Çfarë pasojash kishe?
  3. Shumë revista biznesi me famë kanë theksuar vlerën e komponentit shpirtëror në punë. Cilat mjete të janë dukur më të dobishme në procesin e pasurimit shpirtëror?
  4. Jim Mathis i referohet Bereanëve të lashtë, të cilët analizuan Shkrimet e Shenjta për të përcaktuar nëse ato që ka thënë apostulli Pal janë vërtetë ashtu. Çfarë mendon për këtë mënyrë të kërkimit të mirëkuptimit shpirtëror? A të duket e dobishme për ty? Shpjegoje përgjigjen.


SHENIM: Në Bibël ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, për më shumë referoju vargjeve si më poshtë:
Jozueu 1:8; Psalme 119:9-11, 105; Filipianeve 4:8-9; 2 Timoteut 2:2, 3:14-17; Hebrejve 10:24-25

0 komente:

Post a Comment