headerphoto

TE GJESH EKUILIBRIN NE JETE

Nga: Rick Warren
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
7 Dhjetor, 2009

Ligji i balancimit është ligj i brendshëm i Universit. Që gjërat të funksionojnë mirë duhet që të ketë një ekuilibër. Për shembull:
Toka nuk dridhet kur rrotullohet sepse ajo është e balancuar në boshtin e saj. Ne as ngrijmë dhe as digjemi sepse ndodhemi në distancën e duhur nga dielli.

Natyra ka ekosistemin e vet të balancuar. Zoti ka ndërtuar ekuilibrat e nevojshëm për të mbajtur të pacënuar të ashtuquajturin “zinxhir ushqimor” të kafshëve dhe bimëve.
Në arkitekturë, pikat e ndryshme ku ushtrohet presion duhet të balancohen në mënyrë që godina të mos bjerë.

Trupi i njeriut funksionon më mirë kur sistemet e brendshme të tij janë në ekuilibër. Prishja e ekuilibrave quhet sëmundje kurse rivendosja e tyre quhet shërim.
Një nga dukuritë më të zakonshme që hasim është ajo e njerëzve që bëjnë jetë të pa ekuilibruar. Kjo është një sëmundje me shumë simptoma, por me pasoja të njëjta. Njeriu mund t’i prishë ekuilibrat e vet në shumë aspekte – duke punuar shumë ose jo mjaftueshëm, duke ngrënë, fjetur, luajtur, parë televizor, në intimitet etj.

Fakti është se shumë njerëz të fushës së biznesit kanë tendencën që t’i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së tyre publike dhe të lënë pas dore jetën e tyre private. Ashtu si fotografitë e dobëta, ata janë ose të mbi ekspozuar ose të pazhvilluar mirë.
Pasojat e çekuilibrimit janë gjithmonë të njëjta: stres dhe lodhje. Ashtu si gomat e pa balancuara të makinës edhe njeriu konsumohet më shpejt. Gomat e pa balancuara për një kohë të gjatë prishen fare.

Disa vjet më parë Dr. Charles Garfield (Carls Garfild) ka bërë një studim mbi “Super Profesionistët” – ata individë që nëpërmjet punës së tyre dallohen si lider në fusha të caktuara. Një nga karakteristikat e tyre të përbashkëta, ndryshe nga sa mund të mendohet, nuk është se janë njerëz të super fokusuar tek puna, por, mbi të gjitha, janë njerëz të ekuilibruar.
Njeriu më i balancuar në jetë të jetëve ka qenë Jezu Krishti. Bibla thotë se ai u poq intelektualist, fizikisht, shpirtërisht dhe nga pikëpamja sociale (Lluka 2:52).

Si do ta vendosje veten tënde brenda këtyre katër kategorive të pjekurisë? A ke ekuilibër në jetën tënde apo ke neglizhuar një ose më shumë prej këtyre kategorive kyçe? Më lejoni t’ju nxis për të bërë një kontroll personal në këtë drejtim gjatë kësaj jave. Bëjini vetes këto pyetje:

  • A jam mendërisht më i mprehtë se pesë vjet më parë? Pse, ose pse jo? Nëse jo, a do të bëj diçka në këtë drejtim?
  • A ankohem shpesh për lodhje a për shëndet të dobët? Nëse po, çfarë plani kam për te ndryshuar?
  • A e kam të zhvilluar jetën shpirtërore?
  • Çfarë po bëj që ta kuptoj më mirë Zotin dhe qëllimet e Tij për jetën time?
  • A jam duke kultivuar marrëdhënie të atilla ku përkrahja jepet dhe merret? A mund të bazohem tek një mik i vërtetë?

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A e mban veten për njeri të ekuilibruar? Shpjegoje përgjigjen.
  2. A të vijnë ndërmend shembuj njerëzish krejtësisht të pa ekuilibruar në punë, në jetë, në të ngrënë, në të fjetur, në hobi-të e tyre apo në mënyrën se si i përkushtohen teknologjisë moderne (internet, kompjuter etj)?
  3. Si të duket vetja në raport me pyetjet që shtron Dr. Warren në lidhje me pjekurinë në sjelljen e përditshme? A gjen ndonjë prej pyetjeve nëpërmjet së cilës, kur detyrohesh t’i japësh përgjigje, zbulon mungesë ekuilibri në jetën tënde. Në rast se po, çfarë mendon se duhet të bësh?
  4. Dikush ka thënë,” I vetmi njeri që kam parë në ekuilibër perfekt është ai që ka qenë duke lëvizur nga njëri ekstrem në tjetrin”. Çfarë mendon për këtë thënie? A është “ekuilibri” në jetë një shënjestër e lëvizshme?


SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe dëshiron të lexosh pasazhe të tjera në lidhje me këtë temë, drejtohu si më poshtë:
Fjalë të Urta 21:17, 22:3, 23:19-21, 24:30-34; Predikuesit 3:1-8; Lluka 12:27-34; 1 Timoteu 4:8

0 komente:

Post a Comment