headerphoto

NJE MESAZH FRYMEZUES PER KOHE TE VESHTIRA

Nga: Rick Boxx
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
14 Dhjetor, 2009

Kohët e fundit një i njohuri im po më fliste rreth një farë rritjeje të transparencës tek biznesmenët. “Dy vjet më parë,” tha ai, “ ishte gjë e rrallë që dikush të fliste për vështirësitë që haste në biznesin e tij. Por tani, problemet që po has shumica e biznesmenëve kanë bërë që ata të jenë më të predispozuar që të qajnë hallet me të tjerët.”

Kjo është diçka inkurajuese po të kemi parasysh se, për vite me radhë, biznesmenët dhe drejtuesit e lartë administrativë të tyre kishin adoptuar qëndrimin që shprehet me fjalët “I vetmuar në majë,” qëndrim që duket se u pëlqente. Megjithatë, në kërkim të zgjidhjeve për të përballuar rrënimin e ekonomisë dhe paqartësitë e së ardhmes, qëndrimi i mëparshëm po zëvendësohet me atë që shprehet me thënien: “ Fatkeqësia kalohet me shokë.” Dhe vërtet, këto kohë, ka pasur shumë fatkeqësi në lëmin ekonomik.

Një prej arsyeve që kjo lloj transparence konsiderohet si gjë pozitive, ka të bëjë me faktin se jeta në punë, në komunitet ose në familje, nuk kuptohet në vetmi. Tek Zanafilla, Zoti thotë,“Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zanafilla 2:18), dhe asgjë nuk ka ndryshuar megjithëse kanë kaluar mijëra vjet. Raca njerëzore është projektuar për marrëdhënie mes saj, punë të përbashkët dhe përkrahje reciproke. Lexoni pasazhet e mëposhtme:
  • “Hekuri mpreh hekurin, njeriu mpreh njeriun” (Fjalë të Urta 27:17).
  • “Dy vlejnë më mirë se një i vetë , sepse kanë një shpërblim më të mirë për mundin e tyre…Një litar tresh nuk këputet aq shpejt” (Predikuesit 4:9,12).
  • “Pa një udhëheqje të urtë populli rrënohet, por shumë këshilltarë sigurojnë fitoren” (Fjalë të Urta 11:14).
  • “Planet dështojnë nga mungesa e këshillimit, por me shumë këshilltarë ato realizohen” (Fjalë të Urta 15:22).
Më së paku, rritja e transparencës dhe e sinqeritetit në fushën profesionale dhe të biznesit në këto kohë të vështira ka bërë që njerëzit e këtyre kategorive të mund të marrin – dhe të japin – ngushëllim dhe mirëkuptim reciprok. Siç thuhet tek Korintasve 1:4, Zoti “na ngushëllon në gjithë shtrëngimin tonë që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin jemi ngushëlluar nga Perëndia, ne të mund të ngushëllojmë ata që janë në shtrëngim”. Gjatë kohëve të vështira nuk ka gjë më të keqe se sa të ndihesh sikur ti je i vetmi që po përjeton fatkeqësi.

Përfundimisht, për ata që në punën e tyre zbatojnë mësimet e Jezu Krishtit ky është një rast fatlum për të vënë në jetë mësimet e Tij se duhet bërë ç’është e mundur për të lehtësuar barrën e tjetrit. Tek Mateu 11:28-29, Jezusi thotë, "Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj”. Një nga kënaqësitë më të mëdha të Zotit është kur Ai u vjen ne ndihmë njerëzve të Tij duke ua lehtësuar hallet dhe duke iu dhënë paqe në shpirt.

Por Ai nuk u bën thirrje adhuruesve të tij që të rrinë duarkryq duke bërë sehir të tjerët që luftojnë e përpiqen. Vjen një kohë që ne na jepet rasti të ndihmojmë duke mbajtur barrën e të tjerëve në forma të ndryshme si ndihmë konkrete për çështje të caktuara, këshilla të dobishme ose edhe thjesht, dëgjimi i halleve të tjetrit. Ashtu sikundër ka shkruar apostulli Pal, “Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Ky nuk është idealizëm bosh apo retorike e pakuptimte. Është thirrje e vërtetë për veprim. Nëse takon dikë që po mban një barrë të rëndë, është tamam koha që të kujtosh mesazhin e Jezusit dhe ta zbatosh atë me vepër e jo vetëm me fjalë duke bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar barrën e tjetrit.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Sipas asaj që ke vënë re ti, a të duket se njerëzit në punë kanë më shumë dëshirë që të flasin hapur për sfidat dhe hallet që po përballojnë në këtë periudhë vështirësish ekonomike?
  2. Po ti vet: A e ke gatishmërinë që të hapesh me të tjerët, me miqtë e tu më të afërt të paktën, kur ke probleme që janë të vështira për tu zgjidhur. Shpjegoje përgjigjen.
  3. Bibla thotë plot gjëra mbi marrëdhëniet njerëzore dhe rëndësinë e të mos qenit i vetmuar, në “vakum”. Si e kupton ti domosdoshmërinë për të mbajtur barrën e tjetrit, në çfarëdo forme që të jetë ajo?
  4. Nëse ti i bashkohesh me gjithë zemër idesë se të punuarit bashkë me të tjerë, duke kërkuar dhe vlerësuar këshillat e tyre e duke dhënë e marrë ndihmë reciproke, çfarë ndryshimesh do të duhet të besh brenda vetes tënde?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do të dish më shumë për këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë:
Fjalë të Urta 12:15, 19:20, 20:18, 24:5-6; Amosi 3:3; Lluka 10:1-17

0 komente:

Post a Comment