headerphoto

KOHA PER TE SHPREHUR MIRENJOHJE

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e
Biznesmenëve të Krishterë
30 Nëntor, 2009

Si pa e kuptuar edhe ky vit po i afrohet fundit. Javën që sapo kaloi njerëzit në disa pjesë të botës festuan Ditën e Falënderimeve, ditë e cila lajmëron afrimin e Krishtlindjeve. Por para se të hyjmë në atmosferën plotë gjallëri të Krishtlindjeve të shekullit të 21-të, mirë do të ishte që të ndaleshim për një çast dhe të sillnim ndër mend gjithçka për të cilën duhet të jemi mirënjohës.
Ndoshta ti mund të jesh ndonjë prej atyre që ngrejnë pyetjen, “Mirënjohës? E për çfarë?”. Ndoshta gjatë këtij viti ti ke humbur punën ose të është prishur biznesi. Mbase ke bërë si ke bërë për të siguruar ndonjë të ardhur, por përgjithësisht ke parë se si vlera e investimit tënd profesional është pakësuar dukshëm etj.

Disa ekspertë të ekonomisë thonë se kriza e arriti kulmin e vet dhe tani do të fillojë rimëkëmbja, por ky është ngushëllim i pakët për ata që janë pa punë ose me punëra të pasigurta. Aq më pak vlen ky ngushëllim para faturave të taksave dhe tatimeve. Prandaj, për disa njerëz është krejt logjike pyetja, “Mirënjohës? E për çfarë?”

Por ka diçka. Nëse ty t’u dha mundësia ta marrësh këtë Manna të së Hënës nëpërmjet kompjuterit, atëherë ta dish se je shumë përpara miliona njerëzve të cilët jetojnë në këtë botë pa pasur mundësinë për të përfituar asgjë nga teknologjia moderne. Po qe se nuk je i shtruar në spital për të rimarrë veten pas ndonjë operacioni apo sëmundjeje të rëndë, atëherë ti je shumë më me fat se sa mijëra burra gra e fëmijë që dergjen të pashpresë. Fakti që ti po e lexon këtë material nëpërmjet eimalit tregon se ti je në avantazh në raport me të verbrit që nuk shohin fare.

Këtë nuk e them për te ulur vlerën e sfidave dhe betejave qe i është dashur te përballojë në jetë gjithsecili prej nesh. E them vetëm në funksion të krijimit të një këndvështrimi tjetër, nëpërmjet të cilit nuk fokusohemi tek gjërat që na mungojnë, por mësojmë të njohim dhe vlerësojmë të mirat dhe bekimet që kemi. Bibla jep shumë ide mbi atë se si mund të jemi mirënjohës edhe kur ndodhemi në vështirësi:
Tregoje mirënjohjen nëpërmjet punës. Puna është pjesë e rëndësishme e jetës dhe afirmim i njeriut si pjesë e komunitetit. Pavarësisht aftësive dhe talenteve tona, secili prej nesh mund të japë kontribute të rëndësishme për shoqërinë nëpërmjet punës se vet. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepra, ta bëni në emër të Zotit Jezus, duke falenderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë” (Kolosianeve 3:17).

Shpreh mirënjohjen edhe për vështirësitë. Shpesh mësimet më të rëndësishme në jetë ne i marrim nëpërmjet vështirësive dhe fatkeqësive që kalojmë. Fakt është se më shumë mësojmë nga dështimet se sa nga sukseset tona. “Jo vetëm kaq, por lumturohemi edhe në vështirësitë duke e ditur se vuajtjet prodhojnë durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4).

Ofro mirënjohje pavarësisht nga rrethanat e tua personale. Të besosh në një Zot që nuk të duket i largët, por i interesuar personalisht dhe i përfshirë brenda secilit prej nesh, kërkon të kesh bindjen se ai kontrollon edhe aspektet më të imta të jetës tënde, qofshin ato të mira ose edhe jo aq të mira. “Dhe ne e dimë se gjerat bashkëveprojnë më mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij” (Romakëve 8:28). “…duke falënderuar vazhdimisht për gjithçka Perëndinë, Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. (Efesianeve 5:20).

Nëse ky vit ka qenë ndër me te begatshmit e jetës tënde, ti duhet të jesh mirënjohës për këtë. Edhe sikur ai të ketë qenë i vështirë, përsëri besimi tek Zoti të jep sigurinë se Ai nuk të ka harruar dhe se e ka një plan për jetën tënde.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Duke i hedhur një vështrim pas, këtij viti, a ndjehesh mirënjohës? Pse, ose pse jo?
  2. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha të këtij viti për ty? Cilët kanë qenë momentet më të gëzuar dhe burimet e lumturisë?
  3. A ke menduar ndonjëherë se si i përdor ti talentet, aftësitë dhe përvojat e tua të punës ose jetësore për të shprehur mirënjohje. Shpjegoje përgjigjen.
  4. Si është e mundur që Zoti arrin të bëjë më të mirën për ata që e duan Atë, sidomos në rrethana kur njerëzit vuajnë? A të vjen ndërmend ndonjë rast kur ti personalisht je ndjerë mirënjohës në retrospektive për diçka?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe kërkon të dish më shumë në lidhje me këtë temë, drejtoju pasazheve si më poshtë:
Psalme 7:17, 9:1-2, 69:30-31; Jeremia 29:11-13; Danieli 2:23; Efesianeve 2:10; Filipianeve 4:19

0 komente:

Post a Comment