headerphoto

DY (OSE ME SHUME) VLEJNE ME MIRE SE NJE

Nga: Robert J. Tamasy
MANNA E SE HENES
Shërbim për Komunitetin e Krishterë
09 Nëntor, 2009


Bashkë me nipin tim deshëm të bënim ca punime në shtëpi, të cilat në fillim na u dukën të lehta, por dolën se qenë të vështira për t’u kryer po të mos kishim qenë dy veta. Nipi im ia thoshte për punë mekanike dhe mund ta kishte bërë gjithçka edhe vetëm fare, por ndihmesa ime bëri që punimet të mbaronin shumë më shpejt. Për sa më takon mua, pak më vjen dorës për punë të tilla dhe, pa prezencën dhe dijenitë e Davidit, do ta kisha humbur fare toruan.

Gjatë karrierës time profesionale ky fenomen më është përsëritur vazhdimisht. Duke qenë botues i një reviste, merresha me grumbullimin e lajmeve e shkrimeve dhe me redaktimin e tyre. Kishte të tjerë njerëz që siguronin fotografitë, bënin marketingun, faqosnin gazetën, e shpërndanin atë tek lexuesit dhe merreshin me financën.

Si botues i revistës isha përgjegjës për përmbajtjen në tërësi, por edhe shkruaja diçka vetë. Shumë të tjerë kontribuonin me artikuj dhe foto, dikush bënte ilustrimet, një grup dizajnerësh bashkonte përfundimisht gjithçka për të nxjerrë një produkt sa më tërheqës, asistenti im administrativ përqendrohej në detaje dhe, më në fund, një tipograf merrte lëndën e parë për ta shtypur e lidhur në formë reviste. Shumë herë, kur e shikoja revistën për se pari, nuk me rrihej pa thënë me vete, “E tera është më e madhe se sa shuma e pjesëve.”

Po ta mendosh këtë thënie, del se ajo vlen edhe në vendin ku punon. Ti mund të kesh përgjegjësitë e tua të veçanta, por janë të shumtë ata që, në një mënyrë ose në një tjetër, kontribuojnë për arritjen e rezultatit përfundimtar të dëshiruar. Bibla e shpreh këtë me fjalë të thjeshta: “Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim më të mirë për mundimin e tyre. Në fakt, nëse rrezohen, njeri ngre tjetrin, por mjerë ai që rrezohet dhe s’ka njeri ta ngrejë. Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i qëndrojnë. Një litar tresh nuk këputet kaq shpejt” (Predikuesit 4:9-12).

Ka një fjalë që e përcakton këtë: Sinergji. Ajo i referohet forcave plotësuese, kombinimit të aftësive, talenteve dhe përvojave të disa njerëzve për arritjen e një qëllimi të përbashkët. Shumë shpesh bota e biznesit fokusohet tek individët “yje” të cilët shquhen mbi të tjerët për sa i takon performancës së tyre. E megjithatë, edhe njerëzit më të aftë e të talentuar kanë nevojë për mbështetje administrative të llojeve të ndryshme. Ja disa përfitime të tjera nga puna kolektive të paraqitura ne Bibël:
Ne mprehim njëri-tjetrin. Ashtu si thika që mprehet me anë të gurit edhe ne mprihemi nga ndërveprimi me njëri-tjetrin, pavarësisht se ndonjëherë kjo mund të shkaktojë fërkime dhe konflikte. “Hekuri mpreh hekurin, kështu një njeri mpreh tjetrin” (Fjalët e Urta 27:17).

Ne ndajmë ngarkesën midis njëri-tjetrit. Kur punon i vetëm, detyrat dhe përgjegjësit të duken të papërballueshme. Duke punuar me të tjerë ngarkesa lehtësohet dhe bëhet më e menaxhueshme. “Mbani barrën e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Ne i ngremë moralin njëri-tjetrit. Puna kolektive ka vlera të mëdha emocionale dhe psikologjike – solidaritet, ndjenjë përfaqësimi – por edhe avantazhe fizike. “Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin...” (Hebrejve 10:24-25).

Ne shtyjmë në të njëjtin drejtim. Idealja është kur punojmë me njerëz me të cilët ndajmë të njëjtën përgjegjësi për misionin, të njëjtin vizion dhe të njëjtat vlera. “Mos u bëni bashkë me jobesimtarët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë të përbashkët ka drita me errësirën?” (2 Korintasve 6:14).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Shumicën e rasteve punon kolektivisht apo i vetëm? Si do të dëshiroje të punoje?
  2. Mendo për një punë të cilën nuk do ta kishe përfunduar dot i vetëm. Kush të ndihmoi dhe cili ishte kontributi konkret që ai dha?
  3. Si reagon ndaj njerëzve që nuk e pranojnë ndihmën kur iu ofrohet? A beson se shprehja “dy janë me mire se një” vlen gjithmonë? Pse, ose pse jo?
  4. Cilat nga avantazhet e punës kolektive që është përmendur në këtë ese është më domethënës për ty. A mund të përmendësh edhe ndonjë avantazh tjetër.

SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do të dëshiroje të shikoje disa pasazhe të tjera lidhur me këtë temë, referohu si më poshtë:
Fjalët e Urta 11:14,15:22, 19:20, 20:18; Mateu 11:30; Galatianeve 6:1-6; Hebrejve 12:1

0 komente:

Post a Comment