headerphoto

Rreth nesh

Qendra Shalom lindi si vizion në vitin 1991 kur Z. Agron Shehu emigroi në Zvicër dhe atje iu dha mundësia të kontaktojë me vëllezër dhe motra anëtarë të Kishës së Lirë të Krishterë në Rot Kreus me pastor Joerg Suter. Pas një viti, kur Agroni kishte përqafuar moralin e krishterë protestant, ai u kthye në Shqipëri i shoqëruar nga pastori Joerg Suter dhe biznesmeni i krishterë Jarmo Laine, për të ndërtuar një qendër aktivitetesh që do t’i shërbente komunitetit të krishterë në Shqipëri. Ajo u quajt "Qendra Shalom".

Qendra Shalom shërbeu për 14 vjet si vatër e ngrohtë për komunitetin e varfër të banorëve në periferi të Tiranës. Ky komunitet i madh, i vendosur në afërsi të malit të Dajtit, ishte shpërngulur për aty nga zonat veriore të Shqipërisë. Qendra Shalom organizoi me dhjetëra aktivitete bamirëse dhe promovuese të besimit të krishterë duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe ambientet e saj. Kontributi i saj i madh në ndihmë të refugjatëve kosovarë në vitin 1999 ishte një moment tjetër kulmor për të shprehur besnikërinë e saj ndaj vizionit për të cilin ishte ndërtuar.

Qendra Shalom ishte njëkohësisht edhe selia e Unionit të Biznesmenëve të Krishterë Shqiptarë, që u krijua në vitin 1994, me kryetar Z. Agron Shehu. Anëtarët e kësaj organizate takoheshin rregullisht për të ndarë mes tyre vlerat e moralit të krishterë sidomos në biznes. Në këtë qendër janë organizuar shumë takime, seminare dhe aktivitete të tjera në bashkëpunim të ngushtë me Europartners, organizatë protestante që përfaqëson biznesmenët e krishterë të Evropës dhe që është në kontakt të drejtpërdrejtë me CBMC International me qendër në SHBA dhe me degë në Azi, Afrikë, Evropë, Amerikën Veriore e Jugore përfshirë Karaibet dhe ishujt e Paqësorit.

Vizioni dhe përvoja e vyer praktike e "Qendrës Shalom" dhe e "Unionit të Biznesmenëve të Krishterë Shqiptarë" çuan në zhvillime të reja në aplikimin e shërbesave të krishtera të lidhura me botën e internetit dhe multimedias.

Në vitin 2006, me iniciativën e Z. Agron Shehu dhe Z. Jarmo Laine, Qendra Shalom u transformua në "Shalom Media", një agjenci e krishterë multimediale, e cila vuri në përdorim elementet audio- vizuale dhe mundësitë e internetit për të shpërndarë mesazhe të krishtera në një numër më të madh besimtarësh dhe në publikun e gjerë. Brenda një kohe të shkurtër u ndërtua një sistem efikas i përshtatjes në gjuhën shqipe dhe shpërndarjes nëpërmjet internetit të buletinit të përjavshëm të CBMC, "Manna e së Hënës".

Gjithashtu filloi përkthimi në gjuhën shqipe dhe post produksioni i një numri dokumentarësh me frymëzim të krishterë, të cilat janë shpërndarë dhe transmetuar nga shumë stacione televizive lokale dhe kombëtare si dhe janë vënë në dispozicion të kishave dhe publikut anë e mbanë vendit. Të tillë janë: Jozueu – në 5 seri, Mateu – në 4 seri dhe Rreze drite në errësirë – në 1 seri. Veprat e Apostujve – në 4 seri. Botimi i vëllimit të parë “Manna e së Hënës”.