headerphoto

TË PASURIT E HIRIT

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
22 Mars, 2010

Herë pas here dëgjojmë që njerëzit diskutojnë dhe krahasojnë aspekte të feve e sistemeve të ndryshme të besimit, por Krishtërimi paraqet një aspekt krejtësisht unikal, konceptin e hirit që përcaktohet si një favor i pamerituar ose si pranim i pakushtëzuar. Kuptimi i këtij koncepti lidhet me faktin se “hiri” nuk është diçka që mund ta “fitojmë” dhe as diçka që mund ta marrim sepse e “meritojmë”. Të kesh hirin, në fakt, është të kesh diçka që mund të ta japin vetëm të tjerët.

Hiri, në mënyrën se si shpjegohet më sipër paraqitet si një koncept i huaj për botën profesionale dhe të biznesit. Në këtë botë flitet me koncepte ekonomike e të fitimit. Shumë individë të kësaj bote sidomos ata që merren me procesin e shitjeve, marrin shpërblimin e tyre mbi bazën e sasisë dhe cilësisë së punës, d.m.th. mbi bazën e fitimit të kompanisë. Ky është kriteri kryesor në biznes e, megjithatë dëgjojmë shpesh për njerëz që mbahen në punë megjithëse, për nga cilësia e performancës së tyre, mund të duket se ata sikur s’para e meritojnë plotësisht një gjë të tillë.

Duke reflektuar mbi karierën time si gazetar, mund të kujtoj shumë raste kur kam përfituar nga hiri, në situata të atilla ku, po të isha në vendin e pronarit tim, ndoshta do ta kisha pushuar nga puna një punonjës si unë.
Për shembull, në vitin e parë të punës si redaktor gazete u ekzaltova aq shumë në një mbledhje të këshillit bashkiak të qytetit, sa u ngrita dhe bëra një diskutim tepër personal. Duke qenë se isha pa përvojë, nuk e kisha kuptuar se detyra ime ishte që të komunikoja nëpërmjet lajmit se çfarë u tha e u bë në atë mbledhje dhe jo t’i ndërtoja vetë faktet sipas këndvështrimit tim. Si përfundim, ata u ankuan tek shefi im. Me hir e finesë ai preferoi që të mos e bënte të madhe këtë çështje duke u mjaftuar me një justifikim para tyre se gjithçka kishte ardhur si pasojë e vrullit tim rinor dhe naivitetit të moshës. Por, nga ana tjetër, më paralajmëroi që këtë gabim të mos e përsërisja më kurrë.

Vite më pas, në një tjetër gazetë, hasa në vështirësi të pakapërcyeshme teksa isha përgjegjës për kontrollin e edicionit të mëngjesit të kësaj gazete. Në çastin e fundit vetë shefi m’u gjend pranë e më ndihmoi të dilja nga situata. Pas kësaj ndërhyrjeje, në vend që të më hakërrehej ose, më keq akoma, të më pushonte nga puna, ai më mori mënjanë, shprehu besimin për aftësitë e mia dhe më dha disa këshilla që të kisha më shumë kujdes në të ardhmen.

Një rast tjetër u paraqit kur më morën në punë si pjesëtar të stafit të CBMC megjithëse në disa drejtime nuk e kisha eksperiencën e duhur. Në një karakteristikë pune që më bënë në atë kohë, në kapitullin e saj psikologjik, më emërtuan si “gur të çmuar, por të palatuar”. Shefi kishte menduar që të vlerësohej më shumë potenciali im për të ardhmen se sa eksperienca ime e deriatëhershme. Edhe një herë akoma ndjeva se kisha përfituar “Hirin”.

Në Bibël gjenden shembuj të shumtë të marrjes së hirit: Jakobi që gënjeu të vëllanë, Esau që në lindjen e tij, Jozefi që mburrej se i ati e kishte më për zemër se sa vëllezërit e tjerë, Mojsiu që vrau një kryepunëtor egjiptian, Davidi, mbreti i Izraelit, i cili tradhtoi bashkëshorten dhe pastaj u mundua ta mbulonte këtë mëkat duke vrarë burrin e gruas me të cilën shkonte. Secili pra u përdor nga Perëndia në mënyra nga më të çuditshmet dhe nga më të jashtëzakonshmet.
Shpesh Jezusi iu fali hir bashkëpunëtorëve të tij. Tek Gjoni15:16, Ai iu kujtonte këtë gjë idhtarëve të tij, “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve dhe ju caktova të shkoni e të jepni frut.” Më vonë, pasi Simon Pjetri e pati tradhtuar tri herë, Jezusi e fali dishepullin e tij të zellshëm dhe e porositi, “Kulloti delet e mia”(Gjoni 21:17). Me këto pak fjalë të thjeshta, Pjetri iu rikthye shërbimit për kauzën.

Në rastet kur një punonjës çfarëdo dallohet fare qartë se nuk është i përshtatshëm për të bërë punën që i është ngarkuar për shkak të paaftësisë ose mungesës së plotë të etikës në qëndrimet morale, e vetmja zgjidhje është largimi i tij nga puna. Por nganjëherë, kur këto gjëra nuk janë fort të matshme dhe të qarta, pasja e hirit prej tij është vendimtare që ky individ të radhitet në grupin e njerëzve të vlefshëm për kompaninë.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Çfarë mendon për konceptin e “hirit” në mënyrën se si ai përcaktohet në këtë Manna të së Hënës?
  2. Në përvojën tënde të punës, a të kujtohet ndonjë rast kur ke dhënë hir, megjithëse e ke ditur se kjo gjë mund të të kushtonte shtrenjtë? Nëse po, cilat kanë qenë rrethanat dhe cilat ishin rezultatet?
  3. Performanca dhe produktiviteti, padyshim duhet të mbizotërojnë në punë sepse çdo kompani duhet të përballet me konkurrencën e tregut. Por si mendon se duhet të gjejë vend hiri në lidhje me drejtimin e përditshëm të punës së njerëzve?
  4. A ke rast të tregosh se si një koleg i yti apo edhe familjar ka përfituar nga hiri i ofruar prej teje?

SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe dëshiron të dish më shumë për këtë temë shiko pasazhet e mëposhtme:

Romakëve 4:4-8; Efesianëve 2:8-9; 1 Timoteut 1:12-16; Titusi 3:5; Hebrenjve 4:14-16; Jakobi 4:6.

0 komente:

Post a Comment