headerphoto

FORCA SHËRUESE E NJË GJESTI TË MIRË

Nga: Rick Boxx

Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
15 Mars, 2010


Kohë më parë unë dhe ime shoqe festonim përvjetorin e martesës në një restorant tonin të preferuar. Sapo mbaruam pjatat kryesore, kamarieri na solli një ëmbëlsirë shumë të mirë. Ishte porositur nga Lili, një e njohura jonë, të cilën e kishim vënë re që kur hymë në restorant.


U habitëm së tepërmi nga ky gjest i papritur bujarie i Lilit sepse prej saj nuk kishim kujtime të mira nga e kaluara. Këtë herë, duke dalë nga restoranti, morëm me vete edhe ndjesinë e rizbulimit të natyrës së mirë të Lilit, karakteristikë kjo e saj për të cilën nuk kishim qenë fort të ndërgjegjshëm.


Në vendet ku punojmë shumica prej nesh ka venë re se në kohën e sotme nuk është e vështirë të krijohen tensione në marrëdhëniet midis njerëzve, madje, për një sërë çështjesh, edhe ndjenja zemërimi.


Nganjëherë tensioni konsiderohet si produkt pozitiv i atij që quhet “konflikt krijues”, por ai nuk është i tillë kur vjen nga zilia, konkurrenca, xhelozia ose, thjesht, nga ndërveprimi jo korrekt midis njerëzve që janë të ndryshëm për nga personaliteti, vlerat individuale dhe objektivat që ka gjithsecili. Pavarësisht se në rrjedhën e zakonshme të punëve, të tilla probleme mund të duken normale, ato nuk duhen anashkaluar. Po nuk u trajtuan ashtu siç duhet, ato mund të bëhen të dëmshme dhe negative. Duhet të mësojmë se si të përballemi dhe t’i zgjidhim këto probleme në mënyrë që të sigurojmë marrëdhënie të shëndosha afatgjate në punë.


Duke pasur në mend situatën me Lilin, m’u kujtua një pasazh nga Testament i Vjetër i Biblës. Tek Fjalët e Urta 21:14 thuhet, "Një dhuratë që jepet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë nën dorë qetëson zemërimin më të madh”.


Mund të tingëllojë pak e thjeshtëzuar, por ngandonjëherë demonstrimi i bujarisë dhe dashamirësisë nëpërmjet një dhurate, ndihmon së tepërmi për paqësimin e zemërimeve. Kur ndodhesh në një situatë ftohjeje me dikë dhe dëshiron t’i përmirësosh marrëdhëniet, ki parasysh forcën çudibërëse të dhuratës.


Kjo nuk do të thotë se në çdo situatë ne mundemi ose duhet të çajmë rrugën e zgjidhjes së konflikteve ndërpersonale nëpërmjet “blerjes së miqësisë”. Shpesh mënyra më e mirë e veprimit është që t’i përqasesh personit me të cilin ke një lloj konflikti me qëllimin për ta zgjidhur problemin duke diskutuar në mënyrë të civilizuar e me takt, ashtu sikundër na mëson një tjetër pasazh biblik, “Një njeri i ditur i mat fjalët e veta, dhe një njeri i matur ka një frymë qetësie” (Fjalët e Urta 17:27). Një varg tjetër e zgjeron më tej këtë ide, “Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet, dhe kur nuk ka thashemthnajë, grindja merr fund” (Fjalët e Urta 26:20). Në rast se dimë ta trajtojmë një problem mosmarrëveshjeje ose grindjeje pa i hedhur benzinë zjarrit, atëherë ne kemi gjetur mundësinë për ta shëndoshur një marrëdhënie të dëmtuar.


Ekziston një maksimë sipas së cilës “veprat flasin më shumë se fjalët”. Paralel me shprehjet verbale të kërkesës së faljes ose të dëshirës për paqësim, është me vend edhe një lloj veprimi i cili shërben për të konfirmuar dëlirësinë e qëllimit tonë. Ky veprim, ashtu si në rastin e Lilit, mund të jetë një dhuratë e vogël surprizuese, por mund të jetë edhe diçka më e thjeshtë, një kartolinë ku mund të shprehësh me shkrim preokupimin tënd për ta kaluar situatën konfliktuale.


Pa një gjest paqësimi konflikti mund të zgjasë pafundësisht. Këtë na e kujton edhe kjo fjalë e urtë, "Një vëlla i fyer është më i paepshëm se një qytet i fortifikuar dhe grindjet janë si dyert e veshura me hekur të një kalaje" (Fjalë të Urta 18:19).

Në rast se ke me dikë probleme të pazgjidhura, tani mund të jetë koha e përshtatshme për të ndërmarrë zgjidhjen e tyre.



Reflektim/ Diskutim/ Pyetje


  1. A ka bërë dikush për ju një gjest paqësues si ai që bëri Lili përkundrejt Rick Boxx-it dhe së shoqes duke iu porositur atyre një ëmbëlsirë pas buke? Si ke reaguar ose si do të reagoje ndaj një gjesti të tillë.
  2. Ji i sinqertë: A të vjen ndërmend ndonjë bezdisje apo ndonjë konflikt i pazgjidhur që ke aktualisht me dikë – pjesëtar familjeje, shok apo koleg pune? Në rast se po, si ka lindur ky konflikt dhe çfarë mund të bësh për ta zgjidhur atë?
  3. A të duket e pranueshme ideja për t’i bërë ndokujt dhuratë – pavarësisht nga vlera e saj – që të shërbejë si “degë ulliri” (për të paqësuar një grindje)? Pse, ose pse jo?
  4. A mendon se është e rëndësishme të paktën të përpiqesh për të zgjidhur çdo konflikt ndërpersonal apo e konsideron ekzistencën e disa marrëdhënieve të pakëndshme si realitet të pashmangshëm të jetës? Shpjegoje përgjigjen.


SHENIM: Në rast se e ke Biblën dhe kërkon të dish më shumë për këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Fjalët e Urta 15:17, 16:24, 17:1,14, 18:16, 28:2; Mateu 5:21-26, 18:15-19.

0 komente:

Post a Comment