headerphoto

SEKRETET E FITORES MBI MËRZITJEN

Nga: Rick Warren
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
8 Mars, 2010

A të shkon mendja gjithnjë tek më e keqja? A të zënë të dridhura kur merr një letër nga zyra e taksave apo ndonjë zyre tjetër ku paguhen detyrime? A ndjehesh i/e frikësuar kur dëgjon thashetheme për pushime nga puna? A shqetësohesh përgjithësisht edhe kur e sheh se nuk ka ndonjë gjë reale për t’u shqetësuar - thjesht nga një lloj bindjeje se, herët a vonë, diçka e keqe ka për të të ndodhur?
Dije pra se shqetësimi i vazhdueshëm, mërzitja, nuk është gjë tjetër veçse një lloj vetëvrasjeje e ngadaltë.

Në Predikimin e famshëm në Mal, që ndodhet në Dhjatën e Re të Biblës, sikundër përshkruhet tek Mateu 6:25-34, Jezusi ka dhënë 4 arsye për të mos u mërzitur dhe 2 mënyra se si ta mundim mërzinë:

Mërzitja është diçka e paarsyeshme. Të mërzitesh për diçka që ti nuk e ndryshon dot është pa dobi. Të mërzitesh për diçka që ti mund ta ndryshosh është budallallëk! Sa më shumë t’i kthehesh një shqetësimi që të ka pushtuar mendjen, aq më i madh e më i rëndë bëhet ai. Shqetësimi i zmadhon përmasat e problemeve. "Mos u shqetësoni për atë që do të vishni. A nuk është vallë trupi më me vlerë se veshja?" (Mateu 6:25).

Mërzitja nuk është e natyrshme. Ti nuk ke lindur i mërzitur. Mërzitja një ves që e ke mësuar në jetë. Shumë njerëz, duke e praktikuar këtë ves, janë bërë profesionistë të tij. Të vetmet krijesa të Perëndisë që mërziten janë njerëzit sepse shumë prej tyre nuk besojnë se Perëndia kujdeset për ta. Por, për fat, mërzitja mund të çmësohet. "Zogjtë e qiellit nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare (ata nuk kanë banka e financa. Shënim i red.) e megjithatë Ati i juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata?" (Mateu 6:26).

Mërzitja nuk e zgjidh problemin. Ajo nuk ka asnjë funksion. Ajo nuk mund ta ndryshojë të kaluarën. Ajo nuk mund ta kontrollojë të ardhmen. Ajo vetëm t’a nxin të sotmen. Nuk e zgjidh problemin duke u mërzitur për të. "Cili nga ju, me gjithë përkujdesjen e tij, ka mundur t’i shtojë qoftë edhe pak centimetra shtatit të tij?" (Mateu 6:27).

Mërzitja është e panevojshme. Perëndia ka premtuar se do të kujdeset për ty në qoftë se ti ia beson Atij jetën tënde deri në hollësi. Fëmija, kur i kërkon para prindit për të blerë diçka, nuk e vret mendjen se nga dalin këto para. Ky është problemi i prindit. Vendoseni pra jetën tuaj në duart e Perëndisë."Ati juaj qiellor e di mirë se për çfarë ju keni nevojë..” (Mateu 6:32).

SI MUND TA ÇLIROJMË VETEN NGA VESI I TË MËRZITURIT?

Së pari, besoje Perëndinë në çdo aspekt të jetës tënde. Një nga faktorët kryesorë të të mërziturit është ai që ka të bëjë me ekzistencën e shumë problemeve që janë jashtë kontrollit tonë. Ndjenja e mërzitjes na krijon iluzionin sikur po bëjmë diçka në lidhje me zgjidhjen e këtyre problemeve, por në fakt, thjesht humbasim energji mendore dhe emocionale. Vetëm Perëndia i ka gjërat nën kontroll, ndaj besimi në Të na çliron nga ky mundim. "Ati juaj qiellor e di mirë për çfarë ju keni nevojë, pra kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij...(Mateu 6:32-33).

Së dyti, jetoje jetën çdo ditë. Shpesh shqetësohemi se çfarë mund të na ndodhë nesër ose javën tjetër, në një kohë kur dita e sotme ka sfidat e veta për t’u përballuar. Fokusohu tek ajo që “po ndodh” dhe jo tek ajo që “ndoshta mund të ndodhë”. "Mos u brengosni pra për të nesërmen sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për veten. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet" (Mateu 6:34).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A të duket vetja si njeri që merakoset, njeri që harxhon shumë kohë duke vrarë mendjen për shqetësimet e sotme dhe për ato që mund të vijnë nesër? Pse, ose pse jo?
  2. Kur ka qenë hera e fundit që mërzitja të ka ndihmuar për të zgjidhur ndonjë problem që ke pasur? Kur të del ndonjë problem, është e kuptueshme që të duhet të ndërmarrësh disa veprime për ta përballuar atë, por, a është mërzitja pjesë e këtyre veprimeve? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A mendon se këshilla e Dr. Warren për “të mos u mërzitur” është realiste dhe praktike?
  4. Cila nga pikat që ai trajton në lidhje me mërzitjen është më dobiprurëse për ty? Çfarë mendon në lidhje me thëniet e Jezusit mbi mërzitjen?

SHENIM: N.q.s e ke Biblën atëherë shiko edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Psalmet 46:1-3, 118:5-7; Isaia 36:3, 41:10; Filipianëve 4:6-7; 1 Pjetri 5:7; 2 Timoteut 1:7; 1 Gjoni 4:18

0 komente:

Post a Comment