headerphoto

PËRFITIMET NGA LUMTURIA E PUNONJËSVE

MANNA E SË HËNËS
8 Prill, 2013

Nga Rick Boxx

Një organizatë që quhet "Të përhapim lumturinë në punë" shpalos disa pikëpamje të rëndësishme mbi punëtorët e "lumtur". Sipas një studimi të bërë nga kjo organizatë, del se punonjësit e kënaqur nga kushtet e punës kanë një produktivitet 31 përqind më të madh, realizojnë 37 përqind shitje më shumë dhe janë 3 herë më tepër krijues se kolegët e tyre.

Unë do shtoja edhe diçka që nuk e thoshte studimi. Punëtorët që janë të kënaqur nga puna e tyre kanë një shkallë të lartë prezence në punë dhe aspak mungesa pa arësye serioze.

Studimi përcaktonte tre faktorë kryesorë që ndikojnë për të pasur punonjës "të lumtur".

1) Njerëzit e kanë të nevojshme që të shijojnë përgjegjësitë që kanë në punë.

2) Ata kanë dëshirë që të merren me atë që dinë ta bëjnë më mirë.

3) Ata e kanë nevojshme që të jenë realisht krenarë për punëdhënësin e tyre.

Bazuar në këtë studim, mund të thuhet se, në rast se kërkon produktivitet më të lartë, duhet të njohësh dhe të tregosh vëmendje për pasionet dhe talentet e punonjësve të tu. Një pasazh i Biblës, megjithëse është në kontekstin e blegtorisë, i përshtatet shumë mirë kësaj ideje: Sigurohu për gjëndjen e kopeve të tua, ki kujdes për kopetë e tua” (Fjalë të Urta 27:23).

Vënia në jetë e këtyre tre faktorëve do të ishte një hap i sigurtë përpara. Ne mund të mësojmë për nevojat e punonjësve duke organizuar takime me ta në grupe të vogla për të thithur mendimet e tyre që ata duhet t'i shprehin sa më lirshëm.

Por ideja e krijimit të sa më shumë punëtorëve të lumtur nuk duhet të ketë në sfondin e vet vetëm nevojat e rritjes së reputacionit të kompanisë. Ajo duhet të shoqërohet me krijimin e kushteve të përshtatëshme që punonjësit të ndjehen komodë në punën e tyre.

Imagjino një situatë kur rolet janë ndryshuar në të kundërt - dmth që vetë ti, pronari, je ai që raporton para punonjësve për nivelin me të cilin i ke kryer detyrat e tua. Si do deshe që ata të silleshin me ty? Çfarë plotësimi kushtesh do t'u kërkoje atyre në mënyrë që të kishe mundësinë për t'i realizuar me sukses detyrat e tua? Në atë që shpesh quhet Predikimi në Mal, Jezusi u tha kështu pasuesve të tij: Për çdo gjë, bëji të tjerëve atë që do deshe të të bënin ata ty” (Mateu 7:12).

Më të shumtën e rasteve ne mendojmë se punonjësit janë të motivuar nga rroga dhe të ardhurat e tjera shtesë. Por punonjësit më të mirë, ata që kontribuojnë më shumë për mbarëvajtjen e kompanisë janë njerëz që quajnë "të ardhura shtesë" edhe gjëra të tilla si kënaqësinë në punë, të ndjerit mirë në mjedisin e punës dhe të ndjerit të shpërblyer moralisht për kontributin që japin.

Mijra vjet më parë, Mbreti Solomon i Izraelit tha këto fjalë që gjënden te Predikuesit 5:19 - “Kur Perëndia i jep çdokujt pasuri dhe të mira materiale dhe mundësinë që t'i shijojë ato, ta marri pjesën e tij dhe të gëzojë mundin e tij; kjo është një dhuratë e Perëndisë."

Copyright 2012, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me leje nga "Integrity Moments with Rick Boxx," një komentar mbi çështjet që kanë të bëjnë me integritetin e njeriut në punë sipas këndvështrimit të krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Integrity Resource Center ose për t'u rregjistruar që të merrni artikujt ditorë të Rick-ut, Integrity Moments, vizitoni www.integrityresource.org. Libri i tij me titull "Si të Përparosh në Biznes pa Sakrifikuar Integritetin", na jep një qasje biblike ndaj biznesit të moralshëm

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo kërkesë a pyetje drejtohuni te: www.cbmcint.org

REFLEKTIM / PYETJE, DISKUTIME

  1. Si do ta shprehje me fjalët e tua konceptin "punonjës të lumtur"?
  2. Cilët janë faktorët që ndikojnë nivelin e lumturisë në punën tënde? A i bën me qejf detyrat që të ngarkojnë? A të ngarkojnë me gjërat që t'i di t'i bësh më mirë?
  3. A mendon se në vendin ku ti punon tregohet interes për mirëqënien morale të punonjësve?
  4. A pajtohesh me fjalët e Mbretit Solomon se aftësia të pranosh fatin tënd dhe të ndjehesh i kënaqur me punën që bën është dhuratë e Perëndisë? Pse ose pse jo?

SHËNIM: Po ta kesh Biblen dhe je i interesuar për pasazhe të tjerë që kanë lidhje me këtë temë, mund të shohësh si më poshtë:

Fjalë të Urta 21:5, 22:29, 27:18, 28:19; Efesianëve 6:5-9; Kolosjanëve 3:17,23

0 komente:

Post a Comment