headerphoto

MBI BUDALLENJTË DHE BUDALLALLËQET

MANNA E SË HËNËS
1 Prill, 2013

Nga Robert J. Tamasy

Kur ka qenë hera e fundit që bëre një budallallëk në punë? Të gjithë kemi bërë një a më shumë të tillë. Por, po e formuloj pyetjen ndryshe: a të ka qëlluar të punosh me dikë të cilin e ke mbajtur për budalla?

Është interesant fakti se në shumë kultura njihet pozicioni i budallait dhe i budallallëqeve. Në SHBA 1 prilli, madje, konsiderohet si dita e tyre. (Te ne kjo eshte dita e gënjeshtrave). Në disa vende të tjera kjo quhet "Dita e gjithë budallenjve". Në këtë ditë njerëzit venë në lojë njeri tjetrin duke u dhënë informacione të gënjeshtërta etj.

Ka variante të ndryshme interpretimi për origjinën e kësaj dite, përfshi këtu edhe variantin e dhënë nga libri i vitit 1392 i Chaucer, Përrallat e Kanterburit. Po kështu, ka edhe dëshmi nga shekulli i gjashtë në gojdhënat europiane dhe të Lindjes së Mesme. Por një gjë është e qartë: budallenjtë dhe budallallëqet kanë egzistuar që në fillimet e kohës njerëzore.

Nje fjalë e Urtë thotë “ budallai ndahet shpejt nga paratë e tij". Një tjetër thotë, "budallenjtë nxitojnë të shkojnë aty ku engjëjt nuk guxojnë të shkelin". Shumica prej nesh ndjehen fajtorë për zgjedhjen e shoqërive të këqia, për investime të dyshimta, për vendime të gabuara që, më në fund, i kanë bërë të mendojnë: "Si munda ta bëj filan gjë?" Por ka një ndryshim midis budallallëkut rastësor dhe budallallëkut, ta quajmë "profesionist".

Nuk është e habitshme që në shkrimet me vlerë për të gjitha kohrat, të përmbledhura në atë që quhet Bibël, flitet për budallenjtë dhe budallallëkun. Shumica e konsideratave të shprehura atje, kanë vlerë edhe për shekullin e 21 -të. Ja disa prej tyre nga libri i Fjalëve të Urta:

Kostoja e lartë e budallallëkut. Mund të punojmë vite të tëra për të ndërtuar diçka me vlerë - një biznes, një martesë ose një familje, por ato mund të shkatërrohen nga një veprim i pandërgjegjshëm. "Gruaja e mençur e ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta" (Fjalë të Urta 14:1).

Veprimet e pamendta të budallait. Një njeri i mençur nuk merr vendime pa e pleqëruar mirë situatën, kurse një budalla bie pre e nxitimit dhe nuk merr parasysh pasojat. "Dituria e një njeriu të matur bën që ai të dallojë rrugët e tij, por marrëzia e e budallenjve është mashtrim" (Fjalë të Urta 14:8).

Dritshkurtësia e budallallëkut. Mençuria i nxit njerëzit që të fokusohen drejt qëllimeve fisnike, kurse budallenjtë shmangen kollaj nga objektivi i tyre. "Marrëzia e kënaq njeriun të cilit i mungon gjykimi, por njeriu me mend mban rrugën e drejtë" (Fjalë të Urta 15:21).

Fjala e papërgjegjëshme e budallait. Mençuria i bën njerëzit që të dinë të dallojnë atë që thuhet nga ajo që nuk thuhet. Budallenjtë i lëshojnë fjalët pa doganë dhe nuk i kanë parasysh pasojat që mund të shkaktojnë ato. "Buzët e budallait i sjellin atij telashe, kurse goja e bën që ta godasin. Goja e budallait është shkatërrim për të dhe buzët e tij janë lak për shpirtin e tij" (Fjalë të Urta 18:6-7).

Udhëheqësia e papërgjegjshme e budallait. Një i mençur i përdor mundësitë që i jepen me kujdes me kursim, kurse budallai nuk mendon për nevojat e së nesërmes. “Në shtëpinë e të mençurit ka plot sasi vaji e ushqimi, por një budalla përpin gjithçka që ka” (Fjalë të Urta 21:20).

Robert J. Tamasy është nënpresident i Leaders Legacy, Inc., një organizatë jo-fitimprurëse me qendër në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran i gazetarisë, ai ka shkruar Tufting Legacies (iUniverse); Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press); dhe është bashkëautor me David A. Stoddard për librin The Heart of Mentoring (NavPress). Për më shumë informacion, shiko www.leaderslegacy.com ose blogjet e tij, www.bobtamasy.blogspot.com and www.bobtamasy.wordpress.com.

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo informacion drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutim

Mendo për rastin kur ke bërë ndonjë budallallëk dhe për më tepër ke kërkuar që edhe të tjerët të bien dakord me të. Cilat qenë pasojat?

Si e bën dallimin midis njerëzve që bëjnë ndonjë budallallëk të rastit dhe atyre që budallallëkun e kanë "profesion"? Jep ndonjë shembull.

Cilat janë hapat praktike për të evituar veprimet budallaqe?

Nga citimet mbi budallenjtë dhe budallallëqet, cilat janë ato që të bëjnë më shumë përshtypje? Pse?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, mund të shohësh edhe pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë

Fjalë të Urta 1:7, 10:14-15, 15:7,20, 16:22, 17:12,16, 18:13, 19:3, 24:7, 26:4-5,11-12, 29:11

0 komente:

Post a Comment