headerphoto

TË MËSOSH NGA GABIMET E TË TJERËVE

MANNA E SË HËNËS
11 Shkurt, 2013

Nga Robert J. Tamasy

“Pse mendon se ke nevojë për mentorim?” Këtë pyetje i bëra djaloshit që qëndronte ulur përballë meje në tryezën e një restoranti. Një mik i përbashkët i kishte rekomanduar Todit që të takohej me mua për të gjetur një mentor si për jetën e vet shpirtërore ashtu edhe për atë profesionale.

Përgjigja e tij më habiti: “Dua të mësoj nga gabimet e tua.” Buzëqesha, duke menduar se para meje ndodhej një 20 vjeçar që kishte mënçurinë të mendonte se njeriu nuk ka pse të mësojë vetëm nga gabimet e veta. Mund të mësosh edhe nga gabimet e atyre që e kanë përshkuar para teje rrugën që ke zgjedhur në jetë duke përfituar nga mësimet që kanë nxjerrë vetë ata.

Doli se ky nuk ishte takimi i parë i tij i kësaj natyre. Ai kishte takuar edhe persona të tjerë që kishin aftësi mentoruese. Duke e krahasuar me shumë të rinj që nuk bënin të tilla takime, mendova se Todi e kishte ndihmuar së tepërmi vetveten, por fjalët e tij më mbetën në mendje dhe më bënë të kujtoja se sa herë vërtet unë jam përpjekur të mësoj nga gabimet ose sukseset e të tjerëve.

Nuk do ta kisha pasionin që kam sot për t'i ndihmuar njerëzit që të integrojnë besimin e tyre shpirtëror me punën e përditshme sikur të mos kisha mësuar nga të tjerët se kjo është një gjë që realizohet. Ata, madje, më kanë folur hapur për dështimet e tyre, për manovrat që kanë bërë ndonjëherë për t'i "rënë shkurt" rrugës drejt suksesit duke qenë të ndërgjegjshëm se kjo cënonte integritetin e tyre moral.

Por, pikërisht, nëpërmjet dështimeve, ata mësuan rëndësinë e vendosjes së kufijve, rëndësinë e respektimit të parimeve të meritokracisë dhe ndershmërisë para se të merren vendime të rëndësishme. Ata më kanë mësuar se vendimet e vështira duken më të lehta kur ato merren shumë kohë para ardhjes së momentit të krizës.

Këta njerëz më kanë dhënë mësime të vlefshme edhe për çështje të tilla si martesa, prindërimi, financat, menaxhimi i zemërimit dhe i emocioneve të tjera negative dhe deri te tundimi seksual. Pra, unë kam pasur privilegjin të mësoja prej gabimeve të të tjerëve

Bibla tregon për karaktere të njerëzve të ndryshëm, të cilët u përpoqën ta ndiqnin pas e t'i shërbenin Perëndisë, por që u penguan e rrëzuan në rrugën e tyre. Historitë e tyre më janë dukur tepër inkurajuese jo vetëm se mësoja detajet e dështimeve të tyre, por sepse kuptoja se Perëndia nuk kërkon përkryeshmëri, por vetëm dëshirë të sinqertë për t'i shërbyer Atij dhe gatishmëri për t'u penduar kur dështon në këtë mision. Kreu i X i 1 Korintasve e shpjegon këtë vetëm me dy vargje:

Njihi gabimet e të tjerëve dhe përvetësoji ato. Një fjalë e urtë thotë se nëse nuk mësojmë nga historia atëhere jemi të dënuar që ta përsërisim atë. Miqtë dhe shokët nuk vlejnë për asgjë të mirë në rast se ne, i lejojmë vetes të përsërisim gabimet e tyre. “Të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembuj dhe u shkruan për të na qortuar ne” (1 Korintasve 10:11).

Mos i mbivlerëso forcat e tua. Një nga dobitë e të mësuarit prej gabimeve të të tjerëve është se kuptojmë që edhe ne mund të bëjmë po të njëjtat gabime. Po të jemi të mençur, marrim masa paraprake që të mos na ndodhi një gjë e tillë. “Kështu, në rast se mendon se je i patundshëm, ki kujdes se mos biesh!”

(1 Korintasve 10:12).

Robert J. Tamasy është nënpresident i Leaders Legacy, Inc., një organizatë jofitmiprurëse me qendër në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran i gazetarisë, ai ka shkruar Tufting Legacies (iUniverse); Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press); dhe është bashkëautor me David A. Stoddard për librin The Heart of Mentoring (NavPress). Për më shumë informacion, shiko www.leaderslegacy.com ose blogjet e tij, www.bobtamasy.blogspot.com and www.bobtamasy.wordpress.com.

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo informacion drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutim

  1. A ke pasur raste të mësosh prej gabimeve të të tjerëve? Jep një shembull dhe konkluzionet që ke nxjerrë me atë rast.
  2. A di që ndokush të ketë mësuar nga gabimet e tua?
  3. A ke pasur ndonjëherë mundësi të mësoje nga gabimet e dikujt tjetër, por megjithatë ke vazhduar në rrugën tënde po njësoj të gabuar? Cilat kanë qenë pasojat?
  4. Kjo "Manna” thekson se në Bibël përmenden shumë raste të njerëzve që kanë bërë gabime të mëdha por që janë falur dhe janë miqësuar sërisht me Perëndinë. A ke ti ndonjë shembull nga jeta dhe shoqëria jote? A merr kurajo nga fakti se, meqë Perëndia të fal, atëhere edhe ti mund të korrigjohesh në gabimet e tua? Pse ose pse jo?

Shënim: Ja edhe disa pasazhe të tjerë nga Bibla që trajtojnë të njëjtën temë:

Psalmet 119:9-11; 1 Korintasve 10:13; 2 Korintasve 4:7-10; Jakobit 1:12-15; 1 Pjetrit 2:18-25

0 komente:

Post a Comment