headerphoto

SI E MENAXHON ZEMËRIMIN TËND?

MANNA E SË HËNËS
17 Dhjetor, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Nga të gjithë emocionet që shfaqim ose ndeshim në një ditë të zakonshme pune, më i përhapuri nga të tërë është zemërimi. Ka shumë shkaqe për të, por meqenëse nuk jam psikolog, nuk mund t'i trajtoj të gjitha me kompetencën e duhur. Besoj se jeni në një mendje me mua se nëpër punëra sot vijnë vërdallë plot njerëz të nevrikosur. Ndoshta edhe ti mund të jesh njëri prej tyre.

Nganjëherë afate planifikuese të paarësyeshme dhe presionet e punës i acarojnë njerëzit. Objektiva dhe plane të paplotësuara na ngrenë nervat. Inati ynë shkon në kulm kur kemi grindje me kolegët. Ka raste kur i mbartim konfliktet nga shtëpia në punë ose anasjelltas duke demostruar sjellje acaruese. Disa rriten me inatin përbrenda dhe mezi presin rastin që ta shfryjnë atë.

Në shumicën e rasteve zëmërimi i pakontrolluar është tepër dëmtues për njeriun dhe shkakton pasoja të rënda që është vështirë të riparohen. Pyetja shtrohet: Si ta menaxhojmë zemërimin? Çfarë duhet të bëjmë kur dikush na acaron nervat?

Kohët e fundit lexoja për një biznesmen, i cili mendonte se kishte pasur sukses me realizimin e një kontrate të majme. Kjo do kishte qenë kontrata me vlerë më të madhe në gjithë historinë e kompanisë së tij. Ajo do ta rriste prodhimin si kurrë më parë. Fatkeqësisht, para se kontrata të firmosej, klientët ndërruan mendje dhe bashkëpunuan me një kompani tjetër.

Kuptohet që biznesmeni në fjalë u mërzit jashtë mase. Madje shkoi edhe më larg. Aq shumë zjente nga inati, sa mendoi të shkonte në zyrat e klientëve "tradhëtarë" dhe të bënte atje, një sherr të madh. S'la njeriu pa i thënë se sa keq ishin sjellë ata. Sikur inati i tij të përbëhej prej plumbash pushke, shumë vetë do ta kishin pësuar keq.

Megjithatë, para se të fillonte sherrin e madh, ai u ul të mendonte e të reflektonte dhe, më në fund, hoqi dore. Vendosi të rrinte në heshtje e të mos ndihej fare. Arësyetoi kështu: pavarësisht se sherri i madh do ta çlironte disi nga zemërimi, në fund të fundit nuk do fitonte gjë. Duke qenë se zemërimi është kaq i përhapur, Bibla flet shumë për të. Ja disa këshilla të Saj:

Mundohu t'i zgjidhësh konfliktet aty për aty. Është normale që të krijohen konflikte, por po lejuam që ndjenja e zemërimit të na pushtojë plotësisht, konfliktet mund t'i kalojnë caqet e normalitetit. “Mos mëkatoni në zemërimin tuaj. Mos e lini diellin të perëndojë duke qenë ende të zemëruar …” (Efesianëve 4:26).

Mos lejo që zemërimi të shndërrohet në hidhërim. Mosmarrëveshjet zakonisht zgjidhen, por akumulimi i zemërimit mund të çojë në thartim dhe prishje të marrëdhënieve. “Çlirohuni nga çdo hidhërim, zemërim, inat, trazim dhe shpifje bashkë me çdo formë ligësie” (Efesianëve 4:31).

Duke dëgjuar shumë e duke folur pak, zemërimi mund të fashitet. Kur ndodh një provokim, është më mirë të qëndrosh i qetë dhe të dëgjosh se sa të reagosh me agresivitet. Nganjëherë bëhemi agresivë pikërisht sepse nuk e kuptojmë mirë atë që po na thotë tjetri. Edhe kur nuk biem dakord, pikëpamjet e kundërta duhen diskutuar me qetësi dhe pa u nxehur. “Çdonjëri të jetë i shkathët në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i përmbajtur në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk realizon jetën e drejtë që dëshiron Perëndia"(Jakobit 1:19-20).

Robert J. Tamasy është nënpresident i Leaders Legacy, Inc., një organizatë jofitmiprurëse me qendër në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran i gazetarisë, ai ka shkruar Tufting Legacies (iUniverse); Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press); dhe është bashkëautor me David A. Stoddard për librin The Heart of Mentoring (NavPress). Për më shumë informacion, shiko www.leaderslegacy.com ose blogjet e tij, www.bobtamasy.blogspot.com and www.bobtamasy.wordpress.com.

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo informacion drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutim

  1. A ke problem me zemërimin? Si të shfaqet ai zakonisht? Cili është rezultati i këtyre shfaqjeve?
  2. Thuhet rëndom, “Më bën mirë të shprehem e të mos i mbaj gjërat brenda!” Atëhere pse është gabim që të shfaqësh me tepëri inatin dhe zemërimin?
  3. A të ka qëlluar të jesh i pranishëm në situata kur zemërimi është plasur në mënyrë të papërshtashme në vendin e punës duke shkaktuar pasoja të rënda? Mundohu t'i shpjegosh këto pasoja.
  4. Çfarë mendon për rekomandimet biblike në lidhje me zemërimin dhe mënyrat e menaxhimit të tij?

SHËNIM: Më poshtë janë shënuar disa pasazhe të tjerë nga Bibla që kanë lidhje me këtë temë:

Fjalë të Urta 12:16, 14:16,29, 15:18, 16:32, 17:27, 19:19, 22:24-25, 25:28, 26:21, 29:11

0 komente:

Post a Comment