headerphoto

VLERAT E ZELLIT NË PUNË DHE VENDOSMËRISË

MANNA E SË HËNËS
5 Nëntor, 2012

Nga Rick Boxx

Në qoftë se dikush do t’ju pyeste se kush është faktori kryesor për arritjen e suksesit, cila do të ishte përgjigja juaj?

Këtë pyetje i bënte vetes edhe Kent Humphreys, një konsulent për drejtuesit ekzekutivë të bizneseve. Gjithkush kërkon të arrijë sukses, por, për shumë vetë, ai është i pakapshëm. Çfarë iu mungon atyre që nuk e kapin dot suksesin në biznes?

Në librin e tij, Letra për Liderat e Biznesit, Humphreys i referohet një anketimi, në të cilin njerëzve iu bëhej kjo pyetje: “Te njerëzit e suksesshëm që ke hasur, cila është arësyeja kryesore për suksesin e tyre?” Dy nga përgjigjet ishin në numër shumë më të madh se të tjerat: zelli në punë dhe vendosmëria.

Puna e zellshme ishte përgjigja më e shpeshtë, e zgjedhur nga më shumë se 40 përqind e të intervistuarve. Vendosmëria vinte fill pas saj, e zgjedhur nga 38 përqind e tyre. Interesante ishte se faktorët e tjerë që mundësojnë suksesin si dituria, fati dhe pasja e lidhjeve të duhura, mbeteshin larg këtyre dy të parave.

Me këtë lloj anketimi me siguri do të kish qenë dakord edhe shpikësi amerikan Thomas Edison, i cili ka thënë kështu në lidhje më suksesin: "Shumë njerëz nuk e venë ré suksesin sepse ai paraqitet i veshur me kominoshe dhe ka pamjen e punës.”

Jetojmë në një epokë kur jo pak njerëz nuk kanë dëshirë ta mundojnë shumë veten duke punuar dhe duke shprehur vendosmëri të madhe për të arritur suksesin. Ata pastaj habiten kur shohin se të tjerët shkëlqejnë. Ata e shohin veten sikur e kanë për hak dhe jo për detyrim për punë që t’i fitojnë gjërat që dëshirojnë si statusin social, karieren, ndikimin mbi të tjerët, shpërblimet monetare e materiale.

Vlerësimi i madh për zellin në punë dhe vendosmërinë nuk është i tanishëm. E shkruar mijra vjet më parë, Bibla flet gjerësisht për të dyja. Në Testamentin e Vjetër, në Librin e Fjalëve të Urta, gjënden shumë thënie mbi vlerat dhe përfitimet nga puna, vendosmëria dhe përkushtimi.

“Kush punon tokën e tij do të ketë ushqim të bollshëm, por ai që shkon pas fantazive është pa mend” (Fjalë të Urta 12:11)

“Duart e zellshme do të sundojnë, por dembelizmi përfundon në punë prej skllavi” (Fjalë të Urta 12:24).

“Oreksi i punëtorit e nxit atë të punojë, uria e tij e ve në lëvizje” (Fjalë të Urta 16:26).

“Synimet e njeriut të zellshëm çojnë drejt fitimit, ashtu sikundër ngutja çon në varfëri” (Fjalë të Urta 21:5).

Lidhja midis zellit në punë dhe vendosmërisë përmendet edhe në Testamentin e Ri. Apostulli Jakob ka shkruar: "I bekuar është njeriu që tregohet i vendosur kur vihet në provë, sepse pasi t’i ketë qëndruar provës, ai do marrë kurorën e jetës që Perëndia ua ka premtuar atyre që e duan Atë" (Jakobit 1:12).

Këmbëngulja gërsheton zellin në punë me vendosmërinë duke krijuar një formulë fituese. Në rast se të ndodh të vihesh në provë në vendin ku punon, ki parasysh se provën mund ta kalosh me sukses vetëm me punë të zellshme dhe me vendosmëri.

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Integrity Resource Center ose për t’u rregjistruar tek shërbesa e përditshme e Rick-ut “Integrity Moments”, vizito www.integrityresource.org. Libri i tij me titull “Si të rritësh biznesin pa sakrifikuar integritetin” është një qasje me frymë biblike ndaj të bërit biznes sipas moralit të krishterë.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl.

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Sill ndërmend disa njerëz të suksesshëm që ti i njeh. Kujt ia dedikon suksesin e tyre?
  2. A mund të sjellësh ndonjë shembull të ndonjë personi ose të ndonjë grupi që kanë arritur suksese pa punë këmbëngulëse dhe pa vendosmërinë e duhur?
  3. Sipas mendimit tënd, a ekzistojnë njerëz të cilët shpresojnë të arrijnë suksesin duke qenë alergjikë ndaj “punës këmbëngulëse”?.
  4. Ç’kuptim kanë për ty fjalët e Jakobit: "I bekuar është njeriu që tregohet i vendosur kur vihet në provë, sepse pasi t’i ketë qëndruar provës, ai do marrë kurorën e jetës që Perëndia ua ka premtuar atyre që e duan Atë.”

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, mund të shohësh edhe pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë:

Fjalë të Urta 10:4, 13:4, 14:23, 18:9, 20:4; Lluka 14:28-30, Romakëve 5:3-5; Jakobit 1:2-4

0 komente:

Post a Comment