headerphoto

A DO TË DESHE TË MOS MENDOJE FARE?

MANNA E SË HËNËS
15 Tetor, 2012

Nga Ken Korkow

Ime shoqe, Liz, thotë që unë nuk di ta stakoj mendjen. Unë i them se mendjen e kam aq delikate sa, po ta stakoj, vështirë se vihet prapë në punë, prandaj e mbaj gjithmonë aktive.

Në të vërtetë, ajo ka të drejtë. Unë bëj plane, shqetësohem, stresohem dhe jam gjithë ankthe para situatave reale dhe atyre imagjinare. Ndoshta kjo më ndodh sepse nuk kam besim te Perëndia dhe se ndruhem se, po të mos bëj përpjekje për të kontrolluar dhe manipuluar situatat, ato mund të përkeqësohen fare.

Me kalimin e viteve kam mësuar se ka një zgjidhje praktike për këtë problem të cilën mundohem ta përdor sa më shpesh. Po filloj me nje analogji: Çdo ditë unë ha mëngjes. Im vëlla, Xhimi, thotë se ky është vakti më i rëndësishëm i ditës sepse, po të mos ndodhesh në shtëpi në këtë vakt, do të thotë se je në telashe. Për më tepër, na kanë thënë se një vakt i bollshëm mëngjesi të pajis me energjinë e duhur që duhet për ta përballuar ditën.

Megjithatë, ka diçka që është më e rëndësishme se vakti i mëngjesit ose, ta themi ndryshe, se sa ushqimi fizik i trupit.

Çdo ditë para se të ushqehem fizikisht, unë ushqehem shpirtërisht. Pse e bëj këtë? Sepse unë nuk jam thjesht një trup fizik me një shpirt, por një njësi shpirtërore brenda një trupi fizik. (Mendoje pak këtë).

Për mua, kjo do të thotë se pavarësisht se sa ngarkesë pune do të kem gjatë ditës, unë e filloj atë duke lexuar pjesë nga Bibla në mënyrë që ta çoj mendimin në drejtimin e duhur. Një udhëheqës i madh shpirtëror ka thënë se ai e fillonte ditën duke harxhuar një orë të tërë për t’u lutur dhe, nëse ishte tepër i zënë me punë, atëhere do t’i kushtonte lutjes plot dy orë!

Një mëngjes, krahas leximit nga Bibla, iu referova edhe devocioneve ditore të Oswald Chambers me titull “Çmosi im për lartësimin e Tij”, ku ai citonte një pasazh nga Shkrimet dhe më pas bënte një koment:

" ‘…mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani e do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni‘ (Mateu 6:25).

“Jezusi e përmblodhi logjikën e përcaktimit të kujdesjes për gjërat materiale si mungesë besimi. Në rast se kemi marrë frymën e Perëndisë, Ai do të futet drejt e në jetën tonë duke bërë pyetjen: ‘Ku e kam unë vendin në pushimin që ke panifikuar të bësh dhe në librat që do lexosh?’ Ai do t’i mëshojë kësaj pyetje deri në momentin që ne do ta kemi vendosur Atë si prioritetin tonë. Po priorizuam gjëra të tjera, do të kemi një konfuzion të paparë.

" ‘…mos u shqetësoni për jetën tuaj ….’ Mos merrni përsipër stresin e të menduarit për egzistencën tuaj. Të shqetësohesh është jo vetëm gabim, por mungesë besimi. Të shqetësohesh do të thotë se nuk beson se Perëndia mund të merret me hollësitë e jetës sonë, hollësi që na shqetësojnë me të vërtetë. A e keni parasysh atë që ka thënë Jezusi se cila forcë do të ishte ajo që to të pengonte Fjalën e tij të depërtonte te ne? Djalli? Jo – vetëm kujdesi për të pasur të “mirat” e kësaj bote. Ne themi: ‘Nuk besoj në atë që s’e shoh’ – pikërisht këtu e ka burimin e vet mosbesimi. I vetmi ilaç kundër tij është bindja ndaj Shpirtit.”

Mendoj se kjo është një këshillë e mençur dhe praktike për ta pasur parasysh në sfidat e ditës së sotme.

Ken Korkow jeton në Omaha, Nebraska, U.S.A., ku shërben si drejtor rajonal për CBMC. Kjo pjesë është adaptuar nga rubrika “Fax of Life” që ai e shkruan çdo fundjave. Përdoret me leje.

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për çdo kërkesë drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A e vret shumë mendjen për problemet e tua personale ose ato të punës? Si ndikon kjo te ty dhe te të tjerët rreth teje?
  2. Të planifikosh është gjë e mirë, por çfarë ndodh kur planifikimi shoqërohet me ankthe, frikë dhe dyshim?
  3. Z. Korkow sygjeron se ilaçi më i mirë kundër të menduarit e tepërt dhe ankthit është meditimi dhe lutja e studimi i Biblës. Si të duket kjo këshillë?
  4. Çfarë mendon për thëniet e Jezusit dhe komentin pas tyre. A janë të aplikueshme ato në shekullin e XXI? Pse, ose pse jo?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, mund të lexosh edhe pjesë të tjera që lidhen me këtë temë:

Fjalë të Urta 16:3,9, 19:21, 20:24; Isaia 26:3, 41:10; Mateu 6:26-34; Filipjanëve 4:6-7

0 komente:

Post a Comment