headerphoto

SI MUND TË BËNI QË T’JU DËGJOJNË?

MANNA E SË HËNËS
13 Gusht, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Jetojmë në një botë të zhurmshme. Konkurenca për të tërhequr vëmëndjen është e pafund dhe e pandërprerë: radio, TV, iPod-e, biseda televizive ku njerëzit i bërtasin njeri tjetrit. Por edhe komunikimi i qetë na e prish aftësinë përqëndruese: e-mail, Internet, SMS. Është e pamundur të mbarosh një punë me kaq shumë ndërhyrje nga jashtë.

Para gjithë këtyre pengesave, si mund të bësh që t’i tërheqësh vëmendjen dikujt? Ky problem nuk e ka të lehtë zgjidhjen. Bërtit më fort. Bëhu i pasjellshëm dhe ndërpritja fjalën tjetrit. Bëj diçka të veçantë, mjafton të jetë agresive: ndoshta t’ja heqësh tjetrit nga priza kompjuterin. Të kujtohet shprehja “nxirre gozhdën me gozhdë”? Sot ajo thuhet: “luftoje zhurmën me zhurmë.”

Në këtë situatë, kur gjithkush flet dhe askush nuk dëgjon, tingëllon absurde kur na thonë, madje na premtojnë, se ka një vend ku na dëgjohet gjithmonë fjala e ku nuk ndihemi kurrë të braktisur: froni hyjnor i Perëndisë.

Bibla na jep garanci të shumta se Perëndia i Gjithësisë na i dëgjon lutjet tona individuale – dhe u përgjigjet atyre. “Kjo është siguria që kemi te Ai: nëse kërkojmë gjithçka sipas vullnetit të Tij, Ai na dëgjon. Dhë nëse dimë se ai na dëgjon për çfarëdo që kërkojmë , dimë se ai na i plotëson kërkesat që i paraqesim” (1 Gjonit 5:14-15).

Kur duam të komunikojmë me Perëndinë asnjëherë nuk lihemi në pritje, nuk na kërkohet të dërgojmë paraprakisht mesazh etj. Ky është premtimi i Tij. Dhe s’ka nevojë të shkojmë në ndonjë kishë ose mjedis tjetër fetar; ne mund t’i flasim Perëndisë në çdo vend, në çdo kohë dhe për çdo çështje.

A të kanë lindur probleme të papritura në biznes? Fol me Perëndinë për këtë problem. Ke ndërmend të ndërrosh karierën? Pyete Perëndinë se ç’mendon për këtë? Ke probleme financiare? Konsultohu me Perëndinë për ndihmë. Ke një shef të sertë? Ankohu te Perëndia. Ja se çfarë thotë Bibla për komunikimin me Perëndinë:

Perëndia dëgjon lutjet e atyre që janë pasues të Tij. Një nga kushtet që të mund t’i lutesh Perëndisë është që të jesh pjestar i familjes së Tij, njeri i hirësuar prej Tij nëpërmjet Jezu Krishtit. “Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë në lutjet e tyre…” (1 Pjetrit 3:12).

Perëndia i dëgjon lutjet që kërkojnë të shfrytëzojnë urtinë e mençurinë e Tij. Njerëzit e biznesit kanë nevojë shumë të madhe për këshilla të urta e të mençura, të cilat vetëm Perëndia mund t’i japë, natyrisht, kur i kërkohen. “Por në qoftë se ndonjerit prej jush i mungon urtia, le ta kërkojë nga Perëndia që u jep të gjithëve pa ngurrim, dhe do t’i jepet. ” (Jakobit 1:5).

Perëndia dëgjon lutjet e atyre që besojnë te Ai. A mund t’i kërkosh ndihmë një njeriu që e quan mik, e pastaj të rrish me dyshimin se ai edhe mund të mos të ta japë ndihmën? Kështu është edhe me Perëndinë. “Po besuat, do të merrni gjithçka që kërkoni në lutje.” (Mateu 21:22).

Perëndia dëgjon lutjet që mbështeten në motive të drejta. Një tip lutjeje që Perëndia nuk e pranon është ajo që mbështetet në motive egoiste. “Ju kërkoni dhe nuk merrni për shkak se ju kërkoni për motive të gabuara, që, atë çka merrni, ta harxhoni për kënaqësitë tuaja.” (Jakobit 4:3).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej 40 vjetesh, ai është autor i “Tufting Legacies (iUniverse)”; “Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace” (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën “The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential” (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A e ke problem komunikimin me të tjerët? A të duket se të gjithë flasin, por pak syresh dëgjojnë? Cila është përvoja tënde në lidhje me këtë fenomen?
  2. Si ja bën me “zhurmat” në jetën tënde, me atë shumicë burimesh informacioni që duan të të tërheqin vëmëndjen?
  3. Çfarë do të thotë për ty që të kesh premtimin se Perëndia, Krijuesi i gjithësisë, gjen mundësinë që të merret me ty personalisht duke t’i dëgjuar lutjet dhe duke iu përgjigjur atyre? A të duket e vërtetë kjo gjë?
  4. Në punë ne bëjmë plane, bëjmë mbledhje, konsultohemi me specialistë të besuar etj., por a harxhon kohë edhe për t’iu lutur Perëndisë për mbarëvajtjen e atyre planeve? Pse ose pse jo?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të lexosh edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, kërko si më poshtë:

Fjalë të Urta 3:5-6; Mateu 7:7-8; Efesianëve 3:20; Kolosianëve 4:2; 1 Thesalonikasve 5:16-17

0 komente:

Post a Comment