headerphoto

NË PLAZH . . . DUKE MËSUAR PËR TEKNIKAT E INVESTIMIT

MANNA E SË HËNËS
30 Korrik, 2012

Nga Austin Pryor

Kur mendoj për të bërë ndonjë investim, i bëj vetes këtë pyetje: “Në qoftë se do të më priste një pushim i këndshëm në plazh, a do ta shtyja marrjen e vendimit për këtë investim? I kushtoj rëndësi plazhit prandaj edhe e përcaktoj atë si prioritet. Prioritetet janë të ndryshme në kohë të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht të lidhura me biznesin. Por nga jeta kam mësuar edhe ca gjëra të tjera që po i radhis më poshtë:

1.Sigurohu që gjërat kryesore të jenë të zgjidhura. Megjithëse më pëlqen shumë plazhi, nuk mund të shkoj atje sapo të më teket. Për t’u siguruar se pushimin do ta bëj të rehatshëm dhe nuk do të më duhet të kthehem para kohe, duhet të marr disa masa paraprake si, bie fjala, sigurimi i akomodimit dhe i paráve rezervë për gjëra të paparashikuara. Për të qenë sa më i qetë gjatë udhëtimit gjëra të kësaj natyre duhen menduar me kujdes që më parë. Kështu veprohet edhe kur do të bësh një investim – duhet të kesh siguruar pará të lirë që të përballosh risqet e mundshme.

2. Përcakto planin e udhëtimit dhe qëndroji sa më shumë besnik atij. Plani përfshin koordinatat e rrugës në hartë ose në GPS, nisjen në orarin e caktuar, udhëtimin brenda normave të sigurisë dhe mosshmangien nga rruga kryesore. Ky lloj planifikimi mund të duket i mërzitshëm, por çështja nuk qëndron te variacioni i rrugës, por te mbërritja në kohë e shëndoshë e mirë në destinacion. Kështu ndodh edhe me planin tim të pensionit për pleqërinë. Do ta shkëmbeja me gjithë qejf një udhëtim plot variacione me nje udhëtim të sigurtë në kohë dhe në destinacion. Me fjalë të tjera, plani im i pensionit synon destinacionin përfundimtar që është një e ardhur e mjaftueshme për të bërë një jetë të këndëshme dhe me variacion.

3. Ki durim kur kërkon të nxihesh në diell. Strategjia e nxirjes së shpejtë në diell nuk funksionon sepse ka shumë rrezik që, para se të nxihesh, të digjesh. Revista e specialistë të shumtë nga ekranet e televizioneve garantojnë strategji të tilla të dyshimta, por unë kam strategjinë time të thjeshtë – ashtu si nxirja në diell edhe investimi financiar nuk kërkojnë kushedi çfarë. Mjafton të kesh parasysh që të mos mundohesh të marrësh sa më shumë dhe sa më shpejt dhe je i mbrojtur nga gabimet.

4. Mos u bazo në dukuritë afatshkurtëra. Më pëlqen të lexoj ulur në shezlong në buzë të detit. Herë pas here më duhet ta çvendos shezlongun që të mos më lagen këmbët nga valët që përplasen në breg. Këtu ka një ligjësi të caktuar, por është e pamundur që të parashikosh kohën se kur mund të vijë një dallgë pak më e fortë se të zakonshmet, e cila mund të më bëj qull fare. Konkluzioni: në një mot të caktuar ecuria e dallgëve mund të jetë e parashikueshme, por ka edhe të papritura afatshkurtëra që nuk mund të merren si ligjësi. Ky fenomen duhet të kihet parasysh edhe në fushën e investimeve. Ato duhen bërë duke patur parasysh ecurite aftgjatë të tregut dhe jo trendet e momentit.

5. Mos e krahaso veten me të tjerët. Kjo është pak e vështirë. Unë nuk kam ndonjë paraqitje trupore kushedi në plazh. Do të më pëlqente t’i ngjaja ca të tjerëve që kanë trupa atletësh. Por kur kujtoj dietën që mbaj në raport me trupin tim, balancat që kam vendosur brenda tij etj., them se jam shumë mirë. Do të ishte gabim i madh që të filloja sforcime të panevojshme që nuk përshtaten me fizikun tim sepse, në fund të fundit, do të dëmtoja rëndë veten.

6. Do ketë edhe ca ditë me shi. Kur shkon në plazh për të kalur atje dy javë, duhet të jesh i përgatitur psikologjikisht që mund të ketë edhe nja dy tri ditë me shi. Dhe, kur fillon shiu, ne nuk largohemi nga plazhi sepse e dimë që, pas një ose dy ditësh, dielli do të dalë sërisht. Pra kemi një strategji të paracaktuar dhe, në bazë të saj, kemi marrë me vete letrat e bixhozit ose disa videokaseta me filma që t’i shohim gjatë kohës që jashtë bie shi. E dinim që më parë se kjo mund të ndodhte dhe, të sigurt se dielli do të dalë përsëri shpejt, shijojmë më së miri edhe ditët me shi.

Fjalët e Urta 21:5 thonë: “Planet e njeriut të kujdesshëm çojnë në bollëk me po atë siguri që planet e atij që nxitohet çojnë në varfëri.” Pra, si në përgatitjet për plazh ashtu edhe në përgatitjet në përgjithësi për jetën, kujdesi të nxjerr gjithmonë në dritë.

Në qoftë se do të krijosh mendimet e tua origjinale në lidhje me investimet, nisu për në plazh dhe shikoji gjërat me këtë sy. Do të habitesh edhe vetë me mësimet e shumta që do të nxjerrësh.

Austin Pryor ka një përvojë 30 vjeçare si këshilltar për investitorët. Ai është themeluesi “Sound Mind Investing Newsletter” dhe të vebsajtit përkatës. Austin jeton në Louisville, Kentucky, bashkë me Susie, bashkëshortja e tij 45 vjeçe.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Si të duket ideja për të mësuar mbi principet e investimit financiar duke u nisur nga diçka që, në pamje të parë, duket si pa lidhje, siç është pushimi buzë detit?
  2. Cili nga mësimet që jep Z. Pryor të duket më i përshtatshëm për ty në momentin e tanishëm? Pse?
  3. A gjen në këtë pjesë ndonjë koncept me të cilin nuk pajtohesh? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Ç’kuptim ka për ty pasazhi biblik nga Fjalë të Urta 21:5 ?

SHËNIM: Po qe se e ke Biblën, mund të shohësh edhe pasazhe të tjerë të lidhur me këtë temë:

Fjalë të Urta 11:24-26, 13:11, 15:16, 19:17, 22:7,9, 24:27; Mateu 6:19-21, 25-34

0 komente:

Post a Comment