headerphoto

KUR NDJEHESH I VETMUAR

MANNA E SË HËNËS
23 Korrik, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Nuk e harroj kurrë udhëtimin tim të parë në Europë. Meqenëse do të merrja pjesë në Konventën Botërore të CBMC që mbahej në Rothenburg ob de Tauber, Gjermani, kisha menduar të nisesha për në Europë një javë më herët dhe të takoja xhaxhanë dhe hallën në Budapest, Hungari, ku ata kishin nisur udhëtimin e zakonshëm turistik sezonal. Unë jam me origjinë hungareze ndaj u mrekullova duke vizituar vendin ku kishin lindur prindërit e mi. Po kështu bëra një vizitë të shkurtër në qytetin gjerman të Giessen-it ku kisha lindur unë në kohën kur im atë shërbente në ushtrinë amerikane.

Fluturimi nga Atlanta, Georgia, U.S.A. nuk pati asgjë të veçantë, por kur mbërritëm në Shtutgart, piloti na njoftoi se, për shkak të disa problemeve teknike, avioni nuk do ta vazhdonte rrugën deri në Budapest. Na çuan me një autobus në Frankfurt ku do të organizohej një fluturim tjetër.

U ndjeva tepër i vetmuar. Nuk kuptoja asnjë fjalë gjermanisht nga ato që fliteshin në autobus. Fillova të vras mendjen se si do t’ja bëja për të marrë avionin për Budapest. Po xhaxhai si do ta merrte vesh mbërritjen time atje? Po të mos e takoj dot, çfarë mund të bëj një javë të tërë? Për më tepër nuk di as edhe një fjalë hungarisht!

Pra, përvoja ime e parë në një udhëtim jashtë shtetit më mbushi me ankth, por çuditërisht, të gjitha problemet gjetën zgjidhje njëri pas tjetrit. U kapa pas udhëtarëve që flisnin anglisht. Të gjithë së bashku mundëm të merrnim informacionin e duhur në lidhje me fluturimin dhe, më në fund, u gjënda në Budapest ku takova xhaxhain tim hungarofolës që më kishte pritur për orë të tëra.

A ju ka rastisur ndonjë eksperiencë e tillë? Mbase nuk ka pasur të bëjë me fluturime, por mund të ketë qenë e lidhur me ndonjë projekt ku, papritur, je gjëndur i vetëm dhe nuk ke pasur se kujt t’i drejtoheshe për ndihmë. Ose mund të ketë pasur të bëjë me ndonjë problem personal, problem në martesë, problem shëndetësor me fëmijën, problem financiar ose krizë në karierë. Si je ndjerë? Dhe, si e kalove këtë situatë?

Kam mësuar se Bibla na jep mësime të vlefshme se si duhet të veprojmë në të tilla momente kur ndjehemi të izoluar:

Realisht asnjëherë nuk je vetëm. Mund të ndodhesh mes një turme të madhe dhe sërisht ta ndjesh veten të vetmuar, por Perëndia u premton besnikëve të tij se kudo që ata ndodhen, Ai është pranë tyre. “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb toruan sepse unë jam Perëndia i yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë time” (Isaia 41:10).

Perëndia nuk të braktis kurrë. Gjatë jetës përballemi me pasiguri të ndryshme që, nganjëherë bëhen vërtet të frikshme. Por Perëndia premton se do të jetë pranë bijve të tij në çdo rrethanë. “Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë…sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty, ai nuk do të të lerë dhe nuk ka për të braktisur” (Ligji i përtërirë 31:6).

Asnjëherë nuk mund t’i shpëtojmë pranisë së Perëndisë. Një fjalë e urtë thotë: “Ti mund të vraposh e të ikësh, por nuk mund të fshihesh.” Bibla thotë se kjo është më se e vërtetë në mardhëniet me Perëndinë. Ne mund të humbasim nëpër labirintet e një qyteti të madh, të jemi krejt vetëm në një dhomë hoteli ose në tryezën e punës, por pavarësisht se ku ndodhemi, Perëndia na premton se do të jetë me ne. “Ku do të mund të shkoja larg Frymës tënde? Ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtroj jatak në Sheol (në thellësitë), ti je edhe aty” (Psalme 139:7-10).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej 40 vjetesh, ai është autor i “Tufting Legacies (iUniverse)”; “Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace” (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën “The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential” (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A je ndjerë ndonjëherë krejtësisht vetëm, pa patur as edhe një njeri të vetëm të njohur për t’i drejtuar ndonjë fjalë? Si je ndjerë?
  2. Je tip që të pëlqen vetmia apo ndjen nevojën të rrethohesh nga njerëz? Shpjego pse të pëlqen një nga këta dy variante.
  3. Si e kupton thënien biblike se anjëherë nuk je vërtet vetëm, se Perëndia është kurdoherë me ty? A e beson këtë? Pse, ose pse jo? Dhe në rast se është e vërtetë, të duket lajmi i mirë apo i keq?
  4. Bibla tregon shumë shembuj në të cilët Jezusi vendos të shkoj vetë e të flasë me Zotin. A ke caktuar ti kohë të posaçme për t’u lutur dhe për të qenë vetëm me Zotin? Në rast se po, si ndjehesh?

SHËNIM: Në Bibël ka edhe pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë. Ja disa:

1 Mbretërit 6:13; Mateu 4:1-11, 26:36-44, 28:20; Marku 1:35-37; Hebrejve 13:5

0 komente:

Post a Comment