headerphoto

A E KE BEZDI TË PYESËSH PËR TË GJETUR RRUGËN?

MANNA E SË HËNËS
28 Maj, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Sipas teje, cila nga shpikjet ka pasur më shumë ndikim te njerëzimi? Do të ishte shumë e vështirë që të hartohej një listë e plotë, por sigurisht, midis shpikjeve më të rëndësishme kanë qenë rryma elektrike, automobili, aeroplani, fibrat sintetike, kompjuteri, interneti, telefoni celular... Mund të radhisnim edhe të tjera, por një shpikje që ia vlen të përmendet, është padyshim GPS-ja ose “Sistemi Global i Pozicionimit”.

Për njerëzit si unë, që kanë nevojë të përditëshme për “orientim”, GPS-ja është një dhuratë nga Perëndia. Po më tregove mua 10 herë një drejtim se si të mbërrij në aksh vend, mos u habit po të të pyes edhe herën e 11-të. Për shumë arësye, mendja ime nuk i fikson mirë informacionet lineare siç janë drejtimet për në një vend të caktuar, të cilin nuk e frekuentoj shpesh. Prandaj të kesh një GPS është lehtësi e madhe, sidomos kur udhëton në një qytet të panjohur.

Është vënë re se shumë vetë e kanë për bezdi të pyesin për drejtimet e rrugëve – mburren me faktin se mund të arrijnë në destinacion pa ndihmën e askujt ose të asgjëje. Kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Nëse ke për qëllim që të shkosh në një vend të caktuar pse mos gjesh rrugën më të shkurter e më të mirë?

Po sikur të kishte një GPS që të na jepte drejtim edhe për problemet e vështira të jetës së përditëshme: për karierën që duhet të krijojmë, për kohën e përshtashme për të ndërruar llojin e punës, për çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e biznesit në një treg që ndryshon përditë, për gjetjen e bashkëpuntorëve të kualifikuar, për drejtpeshimin e saktë midis punës dhe jetës personale, për të dalë nga borxhet e për të orientuar investimet?

Një “pajisje udhërrëfyese” e tillë ekziston! Quhet Bibël. Më lejo të shpjegohem:

Beso te “udhërrëfyesi.” Kur përdorim GPS-në në makinë, ne i besojmë atij plotësisht për drejtimin që na tregon. Koha dhe përvoja më kanë mësuar se Perëndia ka dëshirë të na shërbejë si udhërrëfyes në jetë. Vite më parë kam mësuar këtë varg që shërben si një kujtesë e vazhdueshme: “Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd, pranoje në rrugët e tua dhe ai do të t’i drejtojë shtigjet e tua” (Fjalë të Urta 3:5-6).

Mos ngurro të ndërrosh drejtim. Kur përdorim GPS-në në makinë, po bëmë një kthesë gabim, do ta dëgjojmë atë që na thotë: “po bëj rillogaritje”. Pastaj na jep drejtimin e korrigjuar drejt destinacionit. Në mënyrë të ngjashme, në rast se i besojmë Perëndisë, Ai do të na riorientojë jetën tonë, do të na korrigjojë vendimet e gabuara dhe do të na i përpunojë planet që të mundim të përmbushim qëllimet tona në fushën personale e profesionale. “Zemra e njeriut planifikon drejtimin, por hapat ia përcakton Perëndia” (Fjalë të Urta 16:9).

Ki besim edhe kur mendon se ke humbur rrugën. Kur ngasim makinën duke u ndihmuar nga GPS-ja, ka raste që mendojmë me dyshim: “A është vërtet ky drejtimi i duhur?” Zakonisht mosbesimi te GPS-ja dhe mbështetja te intuita jonë ndodh kur kemi humbur krejt orientimin dhe gjëndemi shumë larg destinacionit të përcaktuar më parë. Prandaj është kaq e rëndësishme që të besosh deri në fund në udhërrëfimin e Zotit. “Unë i di mendimet që kam për ju”, thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë” (Jeremia 29:11).

Si po e bën aktualisht udhëtimin e jetës tënde? Nga e merr orientimin për rrugën që do ndjekësh?

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej 40 vjetesh, ai është autor i “Tufting Legacies (iUniverse)”; “Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace” (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën “The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential” (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Përshkruaj përvojën tënde – në rast se ke – nga përdorimi i GPS-së. Të është dukur e dobishme kjo pajisje? Pse ose pse jo?
  2. Çfarë mendon për idenë që Bibla është një lloj GPS-je speciale. Shpjegoje përgjigjen.
  3. Pse disa njerëz e kanë bezdi të pyesin për të gjetur rrugën si për udhetim ashtu edhe në përgjithësi për rrugët e jetës?
  4. Si mendon se mund të përdoret sa më mirë Bibla për të gjetur aty orientimet për punën e jetën?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe kërkon të mësosh më shumë mbi këtë temë, shiko edhe vargjet e poshtëshënuar:

Psalme 37:4-5; Fjalë të Urta 11:14, 15:22, 20:18; Jeremia 29:12-14, 33:2-3; Gjoni 10:1-15, 14:5-6

0 komente:

Post a Comment