headerphoto

TË KRIJOSH MJEDISIN IDEAL PËR PUNONJËSIT

MANNA E SË HËNËS
23 Prill, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Në ndërmarrjet prodhuese përdoret një term që quhet “ergonomí” dhe që është “studimi i marrëdhënieve midis punonjësve dhe mjedisit të punës”, dhe, në mënyrë të veçantë, i marrëdhënieve midis punonjësve dhe veglave e maqinerive që ata përdorin. Në këtë studim shqyrtohet gjithçka, që nga zhurmat e mjedisit e deri te komoditeti i ndejtjes para kompjuterave.

Këto lloj studimesh kanë rëndësinë e tyre, por meriton vëmëndje edhe një tip tjetër “mjedisi” – ai ku punonjësit mund të shprehin në maksimum talentet, dhuntitë, përvojat dhe pasionet e tyre.

Kur isha botues i një gazete lokale, kishim një kolege pune që i ngjante personazhit të historisë së njohur me gozhdën e rrumbullaket që deshte të hynte në një vrimë katrore. Po e quaj Meri. Kolektivi ynë ishte i vogël në numër, kështu që secili kryente disa detyra . Meri merrej me artikujt për problemet shoqërore dhe ato të grave. Provoi të shkruante për sportet. Ishte punonjëse e zellshme, por nuk e kishte me qejf këtë punë.

Dikur m’u desh të largoja nga puna fotografin dhe e pyeta Merin nëse donte që ta provonte edhe këtë sektor. Duhej të bënte fotografi në vende e situata të ndryshme. Merit iu ndez fytyra si llampë 1000 vatëshe. E gjeti punën që e kishte me pasion.

Mbetëm me Merin si fotografe për një kohë të gjatë deri sa i gjetëm një vend pune ku vërtet mund të lulëzonte. Ajo u bë nëpunëse. U desh shumë kohë por më në fund zbuluam se ku ajo mund t’i shërbente më mirë grupit tonë. Për mua ishte shumë shpërblyes fakti qe e shihja atë të kënaqur me detyrat që kryente.

Një nga përgjegjësitë kryesore të një drejtuesi është që t’u mundësojë punonjësve që të gjejnë “mjedisin” e tyre, atë zonë të interesave dhe aftësive në të cilën ata të mund të sjkëlqejnë. Motua e vjetër e ushtrisë amerikane ka qenë: “Ji tërësisht ai që mund të jesh!” Edhe Bibla afirmon rëndësinë e kësaj përgjegjësie të drejtuesve:

Secili prej nesh është i veçantë dhe ka talentet e veta. Nuk ka dy individë të ngjashëm plotësisht, jo vetëm nga pikëpamja fizike, por edhe nga ajo e interesave, aftësive dhe pasioneve.. “Unë do të të përlëvdoj sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullishme” (Psalmet 139:14).

Kemi të gjithë nga një qëllim për të përmbushur. Bibla na thotë se Perëndia ka përcaktuar nga një qëllim për secilin dhe, ata që janë lidera, duhet të ndihmojnë që ta gjejmë këtë qëllim dhe ta përmbushim. “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar” (Jeremia 1:5).

Liderat dhe drejtuesit më të zotë arrijnë të nxjerrin maksimumin nga aftësitë e punonjësve të tyre. Jezusi ka folur për “parabolën e talenteve”, në të cilën një pronar i vuri në provë shërbëtorët e tij për aftësitë që ata kishin në menaxhimin e pasurive të tij. Në mënyrë të ngjashme, liderat janë përgjegjës jo vetëm për pronën e pasurinë, por edhe për përdorimin efikas të burimeve njerëzore që zotërojnë. “...’Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të ngarkoj me shumë gjëra...” (Mateu 25:21).

Liderat e zotë e kanë prioritet kujdesin për punonjëit e tyre. Në rast se punonjësit nuk japin rezultat në punë, duhet të bëjmë pyetjen pse. Ndoshta presim që ata të jene “gozhda katrore që ne duam t’i fusim në vrima të rrumbullakta!” “Përpiqu të njohësh mirë delet e tua, kujdesu për kopetë e tua” (Fjalë të Urta 27:23).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej 40 vjetesh, ai është autor i “Tufting Legacies (iUniverse)”; “Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace” (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën “The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential” (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

1. Ç’mund të thuash për “mjedisin” tënd – a mendon se je vënë në rolin e atij që i ndihmon të tjerët për të shprehur tërësisht talentet dhe aftësitë?

2. Pse shpesh njerëzit mendojnë se bëjnë punëra që nuk u përshtaten aftësive të tyre? Pse vazhdojnë t’i bëjnë ato punëra edhe kur e kuptojnë se nuk iu përshtaten?

3. A pajtohesh me thënien biblike se Perëndia e ka krijuar të veçantë secilin prej nesh, përfshi këtu edhe aftësitë për punë të caktuara? Pse, ose pse jo?

4. Si mund ta njohin drejtuesit “gjëndjen e kopeve të tyre” në kuptimin që t’i japin gjithsecilit mundësitë që të lulëzojë në punën e vet?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe kërkon të dish më shumë për këtë temë, shiko pasazhet që vijojnë:

Eksodi 35:30-35; Fjalë të Urta 22:29; Efesianëve 2:10; Kolosianëve 3:17,23-24; 2 Timoteut 3:17

0 komente:

Post a Comment