headerphoto

TË MPOSHTËSH TIRANINË E FRIKËS

MANNA E SË HËNËS
26 Mars, 2012

Nga Jim Lange

Në tryezën e rrumbullakët për lidershipin që unë drejtoj në zonën tonë, një prej pikave të diskutimit ishte frika dhe ndikimi i saj tek ne si lidera. Në boten e sotme janë të panumurt faktorët që shkaktojnë frikë: që nga pasiguria e vazhdueshme ekonomike e deri te ndryshimet e paparashikuara klimatike që sjellin fatkeqësira natyrore.

Diskutuam për faktin se egziston edhe një frikë pozitive – frika nga Zoti; ajo frikë që na pengon të rrëzohemi në humnerë; ajo frikë që na shtyn të kërkojmë strehë mbrojtëse gjatë një furtune me rrufe. Por ka edhe një frikë negative, e cila mund të ndikojë shumë keq te ne si në punë ashtu edhe në familje.

Frika negative mund ta ndryshojë ose ta frenojë vendimmarrjen tonë. Ajo mund të na pengojë veprimin dhe të na pakësojë aftësinë për të udhehequr me vendosmëri. Frika negative shkakton stres të panevojshëm, i cili na paralizon mendërisht dhe emocionalisht.

Prandaj Bibla na e përsërit vazhdimisht: “Mos ki frikë!” Ja disa shembuj që tregon se si frika ushtron një ndikim negativ te ne:

Frika të zëvëndëson besimin.

Frika të shkatërron ëndrrat.

Frika të grabit gëzimet dhe bekimet.

Frika t’i errëson fitoret.

Frika t’i zvjerdh kujtimet

Frika të ngurtëson për shkak të mungesës së besimit.

Në kuadrin e diskutimeve, anëtarët e grupit tonë përmendën vargje biblike që i konsiderojnë frymëzuese , mbasi ato nxisin për qetësi e gjakftohtësi në momente frike. Te Romakëve 12:2 thuhet:“transformohu duke rinovuar mendimin.” Në rast se ndjehesh i frikësuar, një nga mënyrat për të rinovuar mendimin është ajo nëpërmjet meditimit mbi Shkrimin e Shenjtë. Ja disa nga vargjet që u përmendën në atë takim:

Të përjetosh qetësinë e Zotit. “Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; shpëtimi im vjen prej Tij; Ai është kështjella ime, unë nuk do të tronditem kurrë”(Psalme 62:1-2).

Të besosh në planet e Zotit. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të tij”(Romakëve 8:28).

Të kesh besim në rrugën e Zotit.“Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do t’i bëjë të drejta të gjitha shtigjet e tua”(Fjalë të Urta 3:5-6).

Siguria te kujdesi i Zotit. “Por, para së gjithash, kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”(Mateu 6:33).

Mbështetja në fuqinë e Zotit. “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb toruan, sepse unë jam Perëndia yt. Unë te forcoj dhe të ndihmoj; unë do të të mbajë në dorën time të djathtë të drejtësisë. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ze nga dora e djathtë dhe të thotë: ‘Mos ki frikë, unë të ndihmoj’”(Isaia 41:10, 13).

Çlirohuni nga ankthi.“Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me lutje e përgjërime, me falenderim. Dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo hamendësim, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7).

Kurajo përballë fatkeqësisë.“A nuk të porosita unë? Ji i fortë dhe trim; mos u tremb e mos u thyej sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9).

© 2012 nga Jim Lange. Jim është president seksioni te Truth@Work (www.christianroundtablegroups.com), njw shërbesë për njerëzit që punojnë. Ai shkruan rregullisht në blogun e tij www.5feet20.com, dhe është autori i librit Bleedership: Biblical First-Aid for Leaders. Ai dhe familja e tij jetojnë pranë Toledos, Ohio, U.S.A.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl.
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për çdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Cilët janë disa nga faktorët që të shkaktojnë ndjenjën e frikës?
  2. Si reagon zakonisht kur ndjehesh i frikësuar? Shqetësohesh, stresohesh, futesh në ankth?
  3. Në Bibël, Perëndia na mëson që “të mos kemi frikë.” Ç’kuptim ka kjo për ty në këto kohra të turbullta që jetojmë? Në rast se për ty s’ka asnjë kuptim, pse mendon se s’ka?
  4. Cili nga pasazhet biblikë që janë cituar nga Z. Lange të duket më i përshtashëm për veten tënde? Shpjegoje përgjigjen.

SHËNIM: Po qe se e ke Biblën, shiko edhe disa pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë:

Psalme 34:8-14, 115:11; Isaia 26:3; Jeremia 29:11-13; Mateu 10:26-28; 1 Gjoni 4:18

0 komente:

Post a Comment