headerphoto

“MAJA E MALIT” DHE TREGU

MANNA E SË HËNËS
19 Mars, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Atë ka qëlluar ndonjëherë të ndjehesh si “në majë të malit”? Nuk është fjala thjesht për t’u ngjitur në mal. Fjala është për momente të veçanta, të kaluara ndoshta në mjedis natyror ose në ndonjë takim miqësor, apo në ndonjë konferencë, ku ti dëgjon fjalime te fuqishme nga njerëz që të kanë motivuar e frymëzuar për t’i bërë gjërat ndryshe, më mirë dhe me zell më të madh.

Përgjatë viteve e kam përjetuar disa herë ndjesinë e të qenit “në majë të malit”. Një rast i tillë ka qenë gjatë vizitës në mrekullinë natyrore Kanioni i Madh, ku u mahnita nga madhështia e tij e pakrahasueshme. Por më shpesh “majat” e mia i kam përjetuar nëpër konferenca dhe në takime të tjera pune dhe shpirtërore. Atje kam ndeshur në njerëz të mrekullueshëm që më kanë komunikuar mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe, të cilat pastaj, më kanë vënë para sfidës për të qenë më i mirë si njeri, si bashkëshort, baba, biznesmen, shkrimtar, botues, mik dhe mentor.

Nganjëherë kam përjetuar edhe kulme të asaj që e quaj “lartësim shpirtëror”, shoqëruar me ndjenja euforie dhe entuziazmi, të cilat më bënin të mendoja se, sapo të kthehesha në shtëpi apo në punë, nuk do të isha më i njëjti, se do ndryshoja për të qenë edhe më i mirë .

Vetëm se ka një problem. Ne nuk mund të qëndrojmë gjatë “në majë të malit”. Na duhet patjetër që të kthehemi sërish poshtë, në luginë, atje ku na presin afatet, klientët, shefat dhe streset e punës. Atje “në luginë” presionet e jetës së përditshme bëhen aq të forta sa habitemi dhe themi me vete, “Sa entuziast isha pak ditë më parë? Si ka mundësi?”

Atëherë, çfarë bëjmë kur tashmë jemi larg “majës së malit” dhe iu jemi kthyer telasheve të përditshme? Si mund të vazhdojmë të mendojmë për ndryshime për mirë brenda vetes edhe atëherë kur zbehen përshtypjet nga të qenit në majë të malit? Do të sugjeroja që të mbanim parasysh një gjë: që atje, në majë të malit, nuk kemi qenë vetëm:

Perëndia është gjithmonë me ty. Nëse je bindur se duhet të ndryshosh, është tamam koha, sepse Perëndia të flet nëpërmjet mesazheve të ndryshme. Mund ta kesh takuar Atë në majë të malit, por kjo nuk do të thotë se Ai nuk është me ty edhe poshtë, në luginë. Psalmi 138:7 na thotë: “Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë”. Kurse Psalmi 139:7-10 na siguron: “Ku mund të shkoj larg Frymës sate? Ku mund të iki larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se bëj shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë, dora jote e djathtë do të më mbajë fort.”

Bashkëshortja jote kërkon të të ndihmojë. Pavarësisht se bashkëshortja mund të mos ketë aftësitë dhe talentet e tua, Perëndia gjen gjithmonë një mënyrë që ta përdorë bashkëshorten si pasqyrë e juaja, si burim për sugjerime e kritika dashamirëse, si përkrahëse të flaktë. “Shtëpitë dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mençur vjen nga Zoti” (Fjalë të Urta 19:14),

Miqtë e besuar dhe bashkëpunëtorët mund të të përkrahin. Mentorimi është njëri prej pasioneve të mi; të takohem me njerëz dhe t’i ndihmoj ata në çështje personale e profesionale duke përdorur parimet biblike si udhëheqësí. Mund të kemi qëllime shumë të mira, por nganjëherë ndikimet nga jashtë ose dobësitë tona të brendshme mund të na shmangin nga rruga e drejtë. Një mentor i besuar, këshilltar ose mik, mund të na ndihmojë që të mos heqim dorë nga përkushtimet dhe të na japë mendje se si të kryejmë procesin e ndryshimit brenda vetes. ”Ashtu si hekuri mpreh hekurin, një njeri mpreh tjetrin.” (Fjalë të Urta 27:17).

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni cdo kerkese tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A ke përjetuar ndonjëherë ndjesinë e “majës së malit”? Çfarë efekti të ka krijuar?
  2. Duke e marrë të mirëqenë faktin se ke pasur të paktën një herë në jetë çaste të tilla frymëzimi, a ke qenë i suksesshëm në mbajtjen e premtimeve që i ke bërë vetes në ato çaste? Pse, ose pse jo?
  3. Autori na sugjeron se, kur përjetojmë çaste të tilla, kjo do të thotë se po na flet Perëndia. A pajtohesh me këtë? Pse, ose pse jo?
  4. Si mendon se mund të të ndihmojë një mentor ose një mik për të bërë përkushtime shpirtërore të cilat ia ke premtuar vetes në çastet kur je ndjerë “në majë të malit”?


SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të lexoje më tepër në lidhje me këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Fjalë të Urta 11:14, 12:15, 15:22; Predikuesit 4:9-12; Filipjanëve 4:9-17; 2 Timoteut 2:2

0 komente:

Post a Comment