headerphoto

S’TË MJAFTON KOHA?

MANNA E SË HËNËS
13 Shkurt, 2012

Nga Jim Lange

Koha. A të mjafton ajo? Në rast se je si gjithë të tjerët, kësaj pyetje do t’i përgjigjeshe duke thënë “Jo!” Megjithatë, e ke gabim. Koha na mjafton të gjithëve. Fakti është se secili nga ne ka një sasi të barabartë kohe çdo ditë: 24 orë. Askush nuk ka më shumë dhe askush më pak.

Per shumicën prej nesh problemi qëndron në faktin se jemi mësuar që ta mbushim kohën me gjëra pa rëndësi. E mbushim me zgjidhjen e halleve të punës. E mbushim duke harxhuar orë të tëra në rrjetet sociale Facebook ose Twitter; e mbushim duke marrë dhe shpënë fëmijët në shkollë ose në aktivitete të ndryshme; e mbushim duke parë televizor. Vazhdimisht jemi në lëvizje duke humbur orë dhe minuta shumë të vlefshme.

E kemi zënë pothuajse të gjithë kohën e jetës aktive dhe vazhdojmë ta ngjeshim këtë dëng të madh. Mirëpo, në fund të ditës konstatojmë me dëshpërim se kemi lënë pas dore atë që ka vërtet rëndësi: marrëdhëniet me njerëzit.

Kam tre pyetje për ty:1) Si e shfrytëzon kohën? 2) Si funksionon koha për ty? 3) Kur të jesh në shtratin e vdekjes, a do të ndihesh i kënaqur me mënyrat se si e ke shfrytëzuar kohën tënde?

Këtë temë e kam dëgjuar së fundi dhe zura të mendoj për jetën time dhë për faktin se ndihem tepër i okupuar. Nuk mendoj se Perëndia do që unë të jem kaq i zënë me punë, madje, besoj se Ai do që unë të bëj ca pushim në rrugëtimin e jetës dhe ta shijoj këtë rrugëtim, por shpesh kjo gjë më duket e vështirë për t’u realizuar.

Sidoqoftë, kam vendosur që të dalë nga kjo rutinë duke e pyetur sa më shpesh veten se çfarë është vërtet e rëndësishme në jetë. E kam zakon të mirë që di se si t’i thjeshtoj gjërat, por përgjithësisht kam qenë tepër i orientuar nga puna gjë që m’i ka dëmtuar disi marrëdhëniet me njerëzit sepse kam lënë pas dore kujdesin ndaj disave që i dua shumë.

Në këtë vazhdë, kam filluar të rivlerësoj atë çka bëj nëse është vërtet ajo që duhet të bëj. Po ti, a do deshe që ta bëje një gjë të tillë?

Shumë vetë nuk janë në gjendje që ta përballojnë psikologjikisht këtë proces rivlerësimi, madje kanë frikë prej tij. Por realiteti është ky: Në rast se vazhdojmë që të veprojmë ashtu sikundër kemi vepruar, gjithmonë edhe rezultatet do t’i kemi të njëjta me ato që kemi pasur. Këtu hyn edhe mënyra e shfrytëzimit të kohës.

Ditët tona janë me numër të caktuar. Ashtu sikundër nuk mund t’i shtojmë as edhe një minutë të vetme ditës 24 orëshe, ashtu edhe jetëgjatësisë sonë nuk mund t’i shtojmë qoftë edhe një ditë. Koha është kapitali më i çmuar që kemi, prandaj bashkohuni me mua që të përfitojmë maksimumin nga ditët që na kanë mbetur. Kjo bëhet jo duke zgjatur kohën, por duke krijuar sa më shumë çaste me vlerë gjatë ditëve tona. Në rast se përqendrohemi te rritja e vlerës së çdo minute, kjo do të na çojë në forcimin e marrëdhënieve midis nesh mbi bazën e një qëllimi të përbashkët. Duhet t’u dedikojmë kohë marrëdhënieve sepse këtu krijohet vlera e shtuar e çdo minute të jetës sonë. Por kjo kërkon përkushtim dhe sakrificë.

Në librin e Psalmeve të Testamentit të Vjetër gjejmë këtë këshillë: “Na mëso të kuptojmë se sa e shkurtër është jeta, në mënyrë që të mençurohemi” (Psalme 90:12).

© 2012 nga Jim Lange. Jim është president seksioni te Truth@Work (www.christianroundtablegroups.com), njw shërbesë për njerëzit që punojnë. Ai shkruan rregullisht në blogun e tij www.5feet20.com, dhe është autori i librit Bleedership: Biblical First-Aid for Leaders. Ai dhe familja e tij jetojnë pranë Toledos, Ohio, U.S.A.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl.
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për çdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ke menduar ndonjëherë se nuk të del koha? Sa shpesh?
  2. Jim Lange bën tre pyetje. Si u përgjigjesh dy të parave?
  3. A ke bërë përpjekje për të dalë nga rutina sikundër bën thirrje Jim Lange? Cilat kanë qenë rezultatet?
  4. Sipas teje, ku qëndron ndryshimi midis “ çasteve me vlerë” dhe “ t’i rritësh vlerën minutit”?

SHËNIM: Po qe se e ke Biblën, shiko edhe vargjet e mëposhtme:
Psalme 89:47; Predikuesi 3:1-8,11, 8:5-6, 9:11-12; Efesianëve 5:16; Kolosianëve 4:5

0 komente:

Post a Comment