headerphoto

“TË ECËSH MBI TEL” NË VENDIN E PUNËS

MANNA E SË HËNËS
23 Janar, 2012

Nga Dr. Rick Warren

A keni dëgjuar ndonjëherë për Jean-François Gravelet?  Ai jetoi nga viti 1824 deri në 1897, përdorte si pseudonim emrin Blondin dhe ishte i mirënjohur në botë si akrobati i famshëm nga Londra që ecte mbi litar. Blondini kaloi disa herë mbi ujërat e vrullshme të kataraktit të Niagarës pranë Nju Jorkut, duke ecur në një litar 1,100 këmbë të gjatë, në një lartësi prej 160 këmbësh. Ai kryente numra shumë të rrezikshme mbi litar, ecte me sy të mbyllur, i futur në një thes, duke shtyrë një karrocë, duke mbajtur pesha, madje duke pasur edhe një person tjetër në kurriz.

Vërtet, ne nuk bëjmë të tilla gjëra, por të punosh sot, në shekullin e 21, në një vend pune, është më stresuese se të ecësh në litar mbi katarakt. Duhet mbajtur ekuilibri midis etikës së punës dhe fitimit, midis familjes dhe bashkëpunëtorëve, paqartësive financiare dhe ekonomike, duhet të nisesh vazhdimisht drejt së panjohurës në fushën e prodhimeve dhe shërbimeve të reja.

Kur lexoj për Blondinin, më vjen ndër mend një burrë, i cili ndërmori një mision vdekjeprurës. Emri i tij është Pjetër. Mund t’ju kujtohen pasazhet e Biblës ku tregohet se si Pjetri dhe dishepujt e tjerë të Jezusit ndodheshin në një varkë të vogël, në mes të një stuhie të fortë. Papritur ata panë Jezusin të ecte mbi ujë. Pjetri e pyeti, “Zot, po qe se je ti…më thuaj që të vij pranë teje përmes ujit” (Mateu 14:28). Përgjigja e Jezusit ishte e thjeshtë: ‘Eja.” Po kur Pjetri pa dallgët e mëdha u tmerrua e po mbytej.”Më shpëto o Zot!” thirri ai. (Mateu 14:30).

Unë nuk besoj se ne të gjithë do të ndërmerrnim të njëjtin veprim. A ia ke hyrë ndonjëherë ndonjë projekti me mendimin se ke marrë një vendim të drejtë dhe papritur gjithçka të përmbyset?

Simon Pjetri kreu shumë vepra gjatë jetës së tij, por episodi i ecjes mbi ujë ishte ndër më të famshmit. Nuk ishte rreziku i rënies nga litari dhe përplasjes mbi shkëmbinj, por mbytja e menjëhershme. Duke u ndodhur në pamundësi totale për rrugëdalje, Pjetri gjeti forcë në urdhrin e Zotit: “Eja.” Për pak çaste Pjetri ishte krah Zotit në sfidimin e ligjeve të natyrës.

Pastaj, në katër të mëngjesit, gjithçka sikur mori fund. Në një çast Pjetri, me sytë nga Jezusi, po ecte mes stuhisë; pak më vonë ai u zhyt në të. I lagur deri në palcë Pjetri u shpëtua nga Jezusi. Ai mësoi një të vërtetë të rëndësishme: Shenjti nuk është ai që s’gabon kurrë, shenjti është ai që me besim te Perëndia ngrihet sërish sa herë që rrëzohet.

“O Zot, më shpëto!” Fjalët e Pjetrit qenë të pakta; ai nuk kishte kohë as t’i mendonte gjatë dhe as t’i radhiste bukur. Por kjo ishte edhe mënyra më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë që ato fjalë të preknin zemrën e Perëndisë.

Ku gaboi Pjetri? Ai u ndëshkua: Jo se guxoi, por se dyshoi. Jo për dështimin, por për lëkundjen. Jo për mungesën e kurajës, por për mungesën e besimit.

Ti nuk je as Blondini dhe as Pjetri, por ti mund ta gjesh papritur veten në rrethanat e sotme të frikshme në punë, në terrin e natës, me erën e stuhisë që të vjen përballë. Mos i mat dallgët, mos shiko shpejtësinë e erës, mos iu frigo rrezikut dhe mbi të gjitha mos iu nënshtro rrethanave sado mbytëse qofshin ato.

Bibla ofron këtë këshillë: “Mbaji sytë nga Jezusi, udhëheqësi dhe mësuesi ynë…po deshe që të mos ndjehesh zemërthyer dhe i sfilitur…” (Hebrejve 12:1-3).

© 2010, Purpose Driven Life. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Adaptuar nga nje shkrim i Dr. Rick Warren, autor i shumë librave, përfshirë edhe te shumëvleresuarin “The Purpose-Driven Life”, i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe është shitur në mbarë botën. Ky liber afirmon rëndësinë e të pasurit të një qëllimi te qartë në jetën e përditëshme. Është nominuar si një ndër 100 librat e krishterë që ndryshuan shekullin e XX. Ai ka shkruar gjithashtu edhe librat “The Purpose-Driven Church” dhe “The Purpose of Christmas”.


CBMC INTERNATIONAL:

President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje ose kërkesa drejtohuni te : www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutime

  1. A kishe dëgjuar më parë për akrobatin Blondin? Cfarë mendon se i shtyn njerëzit si ai, si p.sh, familjen e fluturuesve “Wallandellas” nga Gjermani, që të guxojnë kaq shumë?
  2. Cilët janë “litarët e ekuilibrit” që gjen në vendin ku punon. Si ia bën me ta?
  3. Ç’mendim ke për vendimin e dishepullit të Jezusit, Pjetrit që të hynte në ujë. Ishte akt instiktiv, akt besimi apo të dy së bashku? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Dr. Warren thekson, “Shenjti nuk është ai që s’gabon kurrë, shenjti është ai që me besim te Perëndia ngrihet sërish sa herë që rrëzohet.” Cili është qëndrimi yt ndaj këtij pohimi?

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, shiko edhe pasazhet si më poshtë që lidhen me këtë temë:

Jozueu 1:5-9; Psalme 23:4; Isaia 26:3, 41:10; Jeremia 29:11, 33:3; Hebrejve 11:1, 13:5

0 komente:

Post a Comment