headerphoto

SI TA DASHUROSH PUNËN

MANNA E SË HËNËS
16 Janar, 2012

Nga: Robert J. Tamasy

Janë fatlumë ata që bëjnë punët që u pëlqejnë, por, sipas studimeve, shumica dërrmuese e njerëzve nuk i pëlqejnë aspak, madje i urrejnë punët e tyre, duke i bërë ato “hatër bela”, thjesht sa për të fituar të ardhurat e nevojshme për jetesë. A je ti një prej tyre?

A do të pëlqente që të kishe mundësinë për të thënë me sinqeritet të plotë, “unë e dashuroj punën time!”? Sa mirë do të ishte sikur ta filloje çdo ditë me dëshirën e madhe për t’u përballur me sfidat dhe problemet që do të ofrojë puna dhe jo me bezdi dhe ankth? “Në rast se nuk na pëlqen mund të ndërrojmë vend pune”, mund të thonë disa. Ndoshta kanë të drejtë, por kohët e fundit dëgjova një histori intriguese që tregonte se një vend pune i ri nuk do të thotë medoemos se atë punë ti do ta dashurosh.

Në takimin e një grupi vullnetarësh që ndihmojnë të sëmurët me kancer (ime shoqe e ka kaluar këtë sëmundje), një grua po tregonte për një person që e kishte njohur gjatë kohës kur shkonte për kurim në spital. Fjalën e kishte për një punonjëse të parkingut te spitalit që ndihmonte të sëmurët të shkonin nga parkingu në pavijonin përkatës. “Ishte grua e mrekullueshme” tha ajo. “E donte me të vërtetë punën që bënte dhe tregonte dashuri për të gjithë ne, pacientët. Gjithmonë na priste më buzëqeshje dhe na thoshte fjalë inkurajuese.”

“Më bëri përshtypje të madhe,” vazhdoi diskutantja në takim. “Ishte aty përditë, në vapë e në të ftohtë, duke i përshëndetur pacientët me përzemërsi e duke i mbushur me optimizëm.”

Në fakt, diskutantja ishte administratore e një OJF-je dhe mendoi se gruaja e parkingut ishte personi ideal për të punuar në recepsionin e OJF-së. Nuk vonoi dhe ia bëri propozimin, por gruaja e parkingut, me atë buzëqeshjen e saj të zakonshme e plot edukatë, e refuzoi. Ajo i tha se nuk do ta braktiste kurrë punën që bënte, dhe jo për shkak se kishte ndonjë pagë kushedi, porse e ndjente se aty e gjente mirë veten. Çdo ditë mezi priste të gjendej te parkingu për të ofruar fjalët e saj inkurajuese, për t’i dhënë dikujt buzëqeshjen që i mungonte, për të hedhur një reze shprese te dikush tjetër që kishte rënë në dëshpërim. Thënë ndryshe, ajo e shikonte punën e saj si “shërbesë”.

Sa mirë do të ishte sikur edhe ne të bënim të njëjtën gjë, ta konsiderojmë punën si shërbesë dhe jo thjesht si burim të ardhurash! Po si t’ia arrijmë kësaj, sidomos në kushtet e sotme jo fort të favorshme? Ja si na këshillon Bibla:

Fokusohu te pozitivja. Padyshim, puna e gruas së parkingut ka plot aspekte të pakëndshme që ajo do të donte t’i evitonte, por gruaja në fjalë ka ditur të fokusohet te shërbesa ndaj të tjerëve dhe ta gjejë aty sadisfaksionin e përditshëm. “Së fundi vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat e mira, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto kërkoni” (Filipjanëve 4:8).

Mbaj gjithmonë parasysh se kujt i shërben në fund të fundit. Qëllimi i punës është që të kontribuojmë në diçka shumë më të madhe e të rëndësishme se vetvetja. Shekuj më parë, dikush pa një murator dhe e pyeti nëse ndihej i lodhur nga puna që bënte. “Jo,” u përgjigj muratori, “sepse po punoj për ndërtimin e një katedraleje.” “Ju shërbëtorë binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj të kësaj bote…Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin, dhe jo si për njerëzit,duke ditur se nga Zoti do ta merrni shpërblimin” (Kolosianëve 3:22-24).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.


CBMC INTERNATIONAL:
President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Çdo punë ka të metat e saj, megjithatë ka shumë njerëz që e dashurojnë punën që bëjnë. Njeh ndonjë të tillë? Çfarë e shtyn atë njeri që ta nisi ditën me entuziazëm për punën?
  2. Çfarë qëndrimi mban ti ndaj punës dhe cilat janë arsyet për atë qëndrim?
  3. Si e kupton shprehjen “ta shohësh punën si shërbesë”?
  4. A të duket se pasazhet e cituara nga Bibla ndihmojnë për të adoptuar një qëndrim të ri ndaj punës. Shpjegoje përgjigjen.

SHËNIM: Për më tepër në lidhje me këtë temë shiko edhe:

Fjalë të Urta 12:11, 13:9, 22:11; Predikuesit 9:10; Luka 6:27-31; Veprat e Apostujve 20:35; Jakobi 2:14-17

0 komente:

Post a Comment