headerphoto

PARIMI: ZOTËRIA - SHËRBËTOR

MANNA E SË HËNËS
9 Janar, 2012

Nga Randal Walti

Mund të duket e habitshme por, pavarësisht nga sa thuhet për suksesin e drejtimit “nga poshtë lart” të praktikuar nga disa kompani gjatë viteve ’80, mënyra tradicionale e menaxhimit të bizneseve mbetet po e njëjta si në SHBA ashtu edhe gjetkë.

Një numër i madh specialistësh të menaxhimit dhe lidershipit e kanë kritikuar rëndë sistemin menaxherial “nga lart poshtë” që ka mbizotëruar ne biznes që prej viteve 1950. Megjithatë pak ndryshime janë bërë. Ka ardhur koha që praktikat e dikurshme të ndryshojnë rrënjësisht, nga “lart-poshtë”, në drejtimin “poshtë-lart”.

Pse u dashka kaq kohë që të kuptohet se njerëzit janë më të rëndësishëm se numrat? Që, në rast se sillemi ashtu siç duhet me punonjësit dhe klientët tanë, morali përmirësohet dukshëm, prodhimi fuqizohet dhe biznesi lulëzon; që kapitali më i rëndësishëm janë ata punonjës që ndodhen më pranë veprimit dhe që janë të ndërgjegjshëm për objektivat e kompanisë?

A nuk ju kërshëron fakti se fjala “lidership” përmendet në Bibël vetëm 6 herë, kurse fjala “shërbëtor” përmendet 46 herë vetëm në librin e Zanafillës në Testamentin e Vjetër?

Fjala “shërbëtor” në Testamentin e Vjetër dhe fjala “shërbesë” në Testamentin e Ri (sipas të cilave duhet ta konceptojnë veten e tyre drejtuesit dhe pronarët e bizneseve që nderojnë Jezu Krishtin) janë shumë afër idesë së “rremtarit nën kuvertë”. Në të kaluarën, për të shmangur vdekjen nga vapa, tavanet e anijeve bëheshin prej shufrash metalike poshtë të cilave vozisnin rremtarët skllevër. Të lidhur në vendet e tyre të vozitjes ata nuk iu shmangeshin dot mbeturinave që iu binin mbi kokë kur pastrohej kuverta e anijes.

Ndonëse e zymtë, kjo tablo flet për kulmin e përulësisë së një shërbëtori. Ata që i shërbejnë Perëndisë, autoritetit më të lartë, nuk presin që t’iu shërbehet, por që të shërbejnë, pavarësisht se çfarë gjërash të pakëndshme mund t’iu ndodhin gjatë shërbimit. Çuditërisht, është kjo vetia që i bën liderat të besueshëm dhe të respektuar nga punonjësit e tyre.

Ja disa nga mendimet që ofron Bibla në lidhje më shërbesën dhe lidershipin:

Shërbesa i paraprin madhështisë tënde shpirtërore. “Ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, duhet të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, duhet të jetë skllavi i të gjithëve.” (Marku 10:43-44).


Udhëheqësia kërkon që të kujdesesh në radhë të parë për të tjerët.
“Përkushtojuni njeri tjetrit me dashuri vëllazërore. Nderoni njëri tjetrin përmbi veten tuaj” (Romakëve 12:10). “Asnjeri të mos kërkojë interesin e tij, por atë të të tjerëve” (1 Korintasve 10:24).


Përulësia është cilësi kryesore e udhëheqësit.
“Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do ta përulë veten, do të lartësohet” (Mateu 23:11-12). “Më mirë të kesh frymë përulësie me të mjerët se sa të ndash pré me krenarët” (Fjalë të Urta 16:19).


Liderat e vërtetë njohin mirë vlerat e tyre dhe të të tjerëve.
Duke pasur dhunti të ndryshme, sipas hirit që na u dha…ai që nxit le t’i kushtohet nxitjes, ai që ndihmon të tjerët le të japë me bujari, ai që kryeson, le të qeverisë me zell.” (Romakëve 12:6-8).

Adaptuar me leje nga një artikull Randal Walti-it, konsulent biznesi që jeton në Melbourne, Florida, U.S.A. Është autor i e-mail newsletter, “Business Life Today.” Vebsajti i tij është www.buslifetoday.com.

CBMC INTERNATIONAL: Jim Firnstahl, President
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje dhe kërkesa drejtohuni te: www.cbmcint.org


Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Cili është stili i menaxhimit atje ku punon, nga lart poshtë apo nga poshtë lart? Si e shikon këtë në jetën e përditshme?
  2. Mr. Walti thekson se udhëheqësit e vërtetë duhet ta konsiderojnë veten shërbëtorë. A pajtohesh me të? Pse ose pse jo?
  3. Pse shumë lidera mendojnë se vartësit e tyre egzistojnë vetëm për t’u shërbyer atyre dhe jo të kundërtën?
  4. A mendon se liderat mund ta shfaqin përulësinë para vartësve të tyre? A mendon se t’u shërbesh të tjerëve me përulësi e dëmton rolin e udhëheqësit? Shpjegoje përgjigjen.

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të dish më shumë për këtë temë, shiko vargjet si më poshtë:
Fjalë të Urta 12:9, 15:33, 18:12; Mateu 5:16, Marku 10:45; Gjoni 10:11-18; Filipjanëve 2:3-4; 1 Pjetri 5:5-6

0 komente:

Post a Comment