headerphoto

KËSHILLË PËR ARROGANTËT

MANNA E SË HËNËS
2 Janar, 2012

Nga Rick Boxx

Një studim i cituar nga revista periodike prestigjioze e biznesit Wall Street Journal, tregon se, kur marrin vendime, njerëzit që mbajnë poste të larta i nënvleftësojnë këshillat e vartësve të tyre. Studimi tregon gjithashtu se vendimet finale të tyre shpesh janë më pak efektive se ç’mund të ishin në rast se sa do t’i kishin marrë parasysh këshillat e të tjerëve.

Arsyeja kryesore për mospërfilljen e këshillave qëndron te vetëbesimi i tepruar i këtyre liderëve, gjë që ndryshe quhet arrogancë. “Askush nuk është më i ditur se unë ,” mendojnë ata. Në disa raste liderët nuk kërkojnë këshillat e të tjerëve sepse kanë frikë se mos duken si ‘të dobët” ose të paaftë për të përmbushur përgjegjësitë që kanë. Iu duket se humbasin kontrollin mbi situatat. A keni hasur në njerëz të tillë?

Është interesant fakti se studimi në fjalë zbulon se femrat janë më të predispozuara që të marrin këshilla se sa meshkujt. Duket se meshkujt, teksa ngjiten në majat e larta të hierarkisë, bëhen më arrogantë dhe iu rritet tej mase besimi te vetja. Besimi në forcat e tua është gjë e mirë, por vetëbesimi i tepruar çon në humbjen e vigjilencës për kontroll ndaj vetes dhe në shkatërrim.

Ndoshta femrat e dinë me intuitë atë që meshkujt kanë për tendencë ta harrojnë shpejt: faktin se edhe njeriu më i mençur ka nevojë për këshilla. Megjithatë, nuk duhet ndonjë intuitë e veçantë që të kuptohet se është e nevojshme këshilla e të tjerëve për të marrë vendime me efektivitet të lartë. Bibla e përsërit këtë shumë herë. Ja disa shembuj:

Rreziku i vendimeve të precipituara. “Unë e kam ndarë mendjen. Mos më ngatërroni me ide të tjera!” Nganjëherë kjo është qasja që bëjmë kur marrim vendime, qasje që tregon se duam të bëjmë atë që duam dhe në mënyrën se si e mendojmë ne, pavarësisht se vartësit dhe bashkëpunëtorët na këshillojnë të bëjmë ndryshe. Fjalët e Urta 12:15 e përshkruajnë kështu këtë situatë: "Rruga e vet i duket e drejtë budallait, por ai që dëgjon këshillat është i mençur."

Problemi i të vepruarit në izolim. Krenaria është problem më vete që na mundon në një mënyrë ose në një tjetër. Shpesh krenaria na bën të mos kërkojmë të mbështetemi te të tjerët. Kjo çon në dështim e shkatërrim. Prandaj te Predikuesit 4:10-11 thuhet: “Nëse rrëzohen, njeri ngre tjetrin, por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet sepse nuk ka kush ta ngrejë…Nëse dy vetë flenë bashkë ata kanë mundësi që të ngrohen, por ai që është vetëm, si do t’ia bëjë që të ngrohet?”

Çmimi për besimin tek të tjerët. Kur ne marrim mendimin e të tjerëve, jo gjithmonë ata na thonë atë që ne duam të dëgjojmë. Por këndvështrimet e ndryshme dhe zgjidhjet alternative ndaj problemeve që kemi, japin gjithmonë rezultate më të mira. “Pa udhëheqje populli rrënohet, por shumë këshilltarë garantojnë fitoren” (Fjalë të Urta 11:14). “Planet dështojnë për mungesë këshillimi, por realizohen kur ka një mori këshilltarësh” (Fjalë të Urta 15:22).

Forca e punës në grup. Numrat kanë rëndësi, prandaj urtësia popullore na kujton vlerat e punës në grup ku ndahen talentet dhe përvojat e shumë vetëve për realizimin e një qëllimi të përbashkët. “Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira” (Hebrejve 10:24).

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Inegrity Resource Center ose për t’u regjistruar tek shërbesa e përditshme e Rick-ut “Integrity Moments”, vizito www.integrityresource.org. Libri i tij me titull “Si të rritësh biznesin pa sakrifikuar integritetin” është një qasje me frymë biblike ndaj të bërit biznes sipas moralit të krishterë.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl.

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A pajtohesh me mendimin se refuzimi për të pranuar këshillat e të tjerëve përbën shfaqje të arrogancës? Pse, ose pse jo?
  2. Kur je para ndonjë problemi të vështirë ose para marrjes së një vendimi të rëndësishëm a të shkon mendja që të këshillohesh me të tjerë njerëz? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A ke punuar ndonjëherë nën urdhrat e ndonjë shefi arrogant? Si je ndjerë kur ke parë se ai i ka shpërfillur mendimet e të tjerëve dhe për këtë shkak ka marrë vendime të gabuara?
  4. Në ç’mënyrë do ta edukosh veten që të jesh më i hapur ndaj këshillës së të tjerëve. Në rast se është e vërtetë që femrat janë më të hapura ndaj këshillës se sa meshkujt, pse mendon se ndodh kjo?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të lexosh edhe më shumë për këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Fjalë të Urta 19:20,27, 20:18, 24:5-6, 27:17; Predikuesit 4:9,12; 2 Timoteut 2:2-7; Jakobit 1:5-7

0 komente:

Post a Comment