headerphoto

A MUND TË BËSH NJË ‘MULLIGAN’ – NJË PËRSËRITJE?

MANNA E SË HËNËS
26 Dhjetor, 2011

Nga Robert J. Tamasy

Megjithëse nuk jam lojtar golfi, më tërheq së tepërmi një aspekt i kësaj loje: ajo që quhet “mulligan”. Në ndeshjet miqësore të golfit nganjëherë lojtarët lejohen që të gjuajnë sërisht një top, gjë që ndryshe quhet “të bëjnë një mulligan”. Mulligani bëhet me lejen e lojtarit kundërshtar për të përsëritur ndonjë goditje të gabuar. Sido që të jetë, në një aspekt më të përgjithshëm, mulligani është një mundësi e dytë për të korrigjuar një gabim të caktuar.

Do të ishte mirë që, herë pas here, jeta të na ofronte mulliganë të tillë për të rivlerësuar një veprim a vendim që nuk ka pasur pasojat e dëshiruara. Sigurisht që do të ishte diçka e bukur!

Teksa po mbyllet ky vit kalendarik, ti mund të duash që të të jepet mundësia për një “mulligan” për të ribërë diçka që s’të ka pëlqyer ashtu siç e ke bërë më parë: për një vendim financiar të gabuar, për një marrëdhënie të prishur, për një strategji ekonomike të dështuar ose për një rast

të pashfrytëzuar. “A ka mundësi ta ripërsëris?” do pyesje veten.

Fatkeqësisht, të paktën për sa kohë ndokush nuk ka shpikur “makinën e kohës”, ne nuk mund t’i kthejmë gjërat mbrapsht. Jeta nuk na ofron mulliganë. Na duhet të përballemi me pasojat e veprimeve dhe vendimeve tona të gabuara, ashtu sikurse të korrim frytet e atyre që i kemi bërë mirë. Megjithatë, ndërsa një vit po mbaron dhe një tjetër përgatitet të fillojë, ne kemi mundësi që të bëjmë një “bilanc vjetor”, për të parë se çfarë e kemi bërë mirë dhe çfarë e kemi bërë keq gjatë 12 muajve të shkuar.

Nëpërmjet një vështrimi retrospektiv, ne shohim qartë në të shkuarën. Retrospektiva është e dobishme në rast se i japim mundësinë vetes që të mësojmë nga e kaluara në mënyrë që të marrim vendime më të mençura për të ardhmen. Por vështrimi retrospektiv është i dëmshëm në rast se mbetemi robër të së kaluarës duke vajtuar për gabimet që nuk i zhbëjmë dot më. Prandaj, teksa u gëzohemi arritjeve tona gjatë vitit të kaluar dhe përpiqemi të çlirohemi nga gabimet që kemi bërë, mirë është të kemi parasysh disa parime që dalin prej letrave të shkruara nga apostulli Pal e që ndodhen në Bibël:

Mos u shpërqendro. Sot njerëzit kënaqen kur marrin mbi shpinë disa detyra njëherësh, por, sikurse thotë një fjalë e urtë, po u more me shumë zanate nuk bëhesh mjeshtër në asnjërin prej tyre. Merru me atë që di të bësh më mirë. Aty përqendrohu. “Duro pjesën tënde të vuajtjeve si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punët civile - ai kënaq vetëm komandantin e tij.” (2 Timoteut 2:3-4).

Fokusohu në qëllimin kryesor. Pse je këtu (në këtë botë)? Cili është qëllimi i ekzistencës tënde? Këto pyetje të çojnë drejt fokusit të duhur. “Jo se unë tashmë e fitova ‘çmimin’ dhe jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për të kapur atë në të cilën Jezusi më kapi mua’” (Filipjanëve 3:12).

Shiko gjithmonë para, jo pas. Një vrapues që e mban vazhdimisht kokën pas, nuk mund të vrapojë drejt. Po ashtu, në rast se ne shohim për nga e kaluara dhe nuk fokusohemi te ajo që na rezervon e ardhmja, ka shumë gjasa që të shmangemi nga objektivi kryesor. Më së paku, ritmi ynë i ecjes në jetë do të ngadalësohet “…Por një gjë e bëj: harroj ato që kam lënë pas dhe prirem drejt atyre që janë para” (Filipjanëve 3:13).

Mbaj gjithmonë në shënjestër objektivin e dëshiruar. Një dështim nuk do të thotë fund i gjithçkaje; ai mund të na bëhet mësim për të ardhmen dhe ndihmë në arritjen e suksesit. “Po rend drejt synimit për të fituar çmimin për të cilin Perëndia më ka thirrur drejt qiellit në Krishtin Jezus” (Filipjanëve 3:14).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

 

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Në rast se do të kishe mundësinë për të bërë një “mulligan”, të ndryshoje një gjë nga ato që ke bërë gjatë vitit të kaluar, cila do të ishte ajo dhe pse do të deshe ta ndryshoje?
  2. Si e pret zakonisht ndërrimin e viteve? A bën bilance, bën plane, vendos objektiva? Si të ndihmojnë konkretisht këto gjëra?
  3. A të ka qëlluar që të mbetesh rob i së kaluarës për një kohë të gjatë? Në rast se po, çfarë efekti ka pasur tek ty aftësia për të shikuar drejt së ardhmes me plane dhe objektiva të reja?
  4. Bibla thekson: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; e vjetra shkoi e vate, ka ardhur e reja(2 Korintasve 5:17). Ç’kuptim kanë për ty këto fjalë në lëmin shpirtëror dhe profesional?

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të shohësh edhe pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë, referohu si më poshtë:

Psalme 40:3; Fjalë të Urta 3:9-10; Isaia 43:18-19; Ezekieli 18:30-31; Mateu 9:16-17

0 komente:

Post a Comment