headerphoto

TË KËQIAT DHE TË MIRAT QË VIJNË NGA PASIGURIA

MANNA E SË HËNËS
5 Dhjetor, 2011

Nga: Rick Boxx

Shumë biznesmenë besojnë se një nga arsyet që ekonomia globale vazhdon të përpëlitet dhe ka pak gjasa që ta marrë veten është pasiguria. Taksat janë një barrë për këdo. Shumë tregues ekonomikë janë në rënie, kurse panorama politike në pjesën më të madhe të botës është plot të panjohura. Si pasojë, biznesmenët ngurrojnë të ndërmarrin iniciativa të reja, të hapin vende pune ose të futen në aktivitete me risk të lartë.

Nga një pikëpamje, qëndrimet e kujdesshme sjellin siguri. Dhe vërtet, a mund të vazhdohet përpara kur ve re se kushtet e ekonomisë nuk janë të favorshme? Në librin e Fjalëve të Urta, që ndodhet në Testamentin e Vjetër të Biblës, flitet shumë për kujdesin që duhet patur në çdo veprim. Ja si thuhet aty: “Njeriu mëndjemprehtë e shikon rrezikun dhe fshihet, por naivët shkojnë më tej dhe e pësojnë” (Fjalë të Urta 27:12). Me fjalë të tjera, moskuptimi i situatave të rrezikshme dhe mosveprimi në përputhje me to, mund të çojë në pasoja shkatërruese.

Por edhe të presësh deri sa situata të bëhet perfekte nuk është mirë sepse mund të humbasësh kohë shumë të vlefshme. Një fjalë e urtë thotë: “Krimbin e kap zogu që del më herët në gjueti”. Nganjëherë, koha më e mirë për të nisur diçka është pikërisht atëhere kur gjithë të tjerët ndodhen ende në inercinë e pritjes. Ndërsa të gjithë janë shtangur nga frika për të ardhmen, më të guximshmit, me ide të qarta dhe largpamësi, ia dalin që të ngrenë e të zhvillojnë biznese të suksesshme.

Po ku qëndron sekreti? Si mund të dallosh se kur është momenti që duhet pritur dhe kur është koha për t’u hedhur me guxim në veprim pavarësisht se situata duket ende e paqartë?

Askush nuk ta thotë këtë gjë, përveç Biblës, e cila përmban disa udhëzime që duhen marrë parasysh. Libri i Fjalëve të Urta ka disa të tilla që na mësojnë:

Të mbledhim gjithë informacionin e nevojshëm. Një nga shkaqet kryesore të dështimit është mungesa e vullnetit për të studjuar me hollësi situatat para se të hidhemi në veprim. “Zemra e njeriut të matur përfton dituri; veshi i të urtëve e kërkon atë” (Fjalë të Urta 18:15).

Të kërkojmë këshillën e partnerëve të besuar. Një mënyrë për t’u informuar saktë është të këshillohesh me kolegët në lidhje me iniciativën që dëshiron të ndërmarrësh. Ata mund të të thonë gjëra që ti nuk i ke menduar kurrë. “Pa udhëheqje kombi bie, por shumë këshilltarë e bëjnë të sigurtë fitoren” (Fjalë të Urta11:14). “Planet dështojnë kur mungon këshillimi, por realizohen kur ka shumë këshilltarë” (Fjalë të Urta 15:22).

Të hidhemi në veprim me qëllimin për të nderuar dhe kënaqur Perëndinë. Shpesh planet e njerëzve motivohen nga qëllime egoiste. Kjo mund të shmanget vetëm në rast se ata i venë detyrë vetes që të ndjekin rrugën që ua ndriçon Perëndia. Në Testamentin e Ri të Biblës, te Romakëve 8:5 thuhet: "Ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës (e çojnë mendjen) në gjërat e Frymës."

Planifikimi i kujdesshëm dhe parashikimi i rreziqeve janë të domosdoshme në biznes, por kur e ndjen me të vërtetë se Perëndia të prin në rrugën tënde, gjëja më e mençur që mund të bësh është t’i nënshtrohesh frymës hyjnore.

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments ëith Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Inegrity Resource Center ose për t’u rregjistruar tek shërbesa e përditshme e Rick-ut “Integrity Moments”, vizito ëëë.integrityresource.org. Libri i tij me titull “Si të rritësh biznesin pa sakrifikuar integritetin” është një qasje me frymë biblike ndaj të bërit biznes sipas moralit të krishterë.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl.
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Si trajtohet në ndërmarrjen ku ti punon çështja e planifikimit për të ardhmen nën presionin që ushtron pasiguria e theksuar në ekonominë lokale dhe atë globale?
  2. Dihet se duhet të jemi të kujdesshëm në ndërmarrjen e iniciativave të reja, por a mbart ndonjë rrezik të qenit “tepër i kujdesshëm”? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Kur e ndjen se duhen zbatuar ide të reja, çfarë metode ndjek zakonisht? A ke përdorur ndonjë nga metodat e sygjeruara nga Mr. Boxx? A mendon se ato mund të jenë të frytshme në të ardhmen?
  4. Në botën e sotme pragmatike të biznesit, çfarë do të thotë të kesh dëshirën dhe qëllimin për të kënaqur Perëndinë gjatë bërjes biznes? Si kuptohet kjo në lidhje me pasiguritë që paraqet ekonomia në përgjithësi? A është e logjikshme ta bësh? Pse, ose pse jo?

 

SHËNIM:Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të lexosh më shumë në lidhje me këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Psalme 37:4-5, Fjalë të Urta 10:17, 11:2,14, 12:15, 14:15, 15:14, 16:3,9, 27:17; Kolosjanëve 3:17

0 komente:

Post a Comment