headerphoto

TË NGREMË LART VLERAT E KRIJIMTARISË

MANNA E SË HËNËS
28 Nëntor, 2011

Nga Jim Mathis

Një nga dallimet më të mëdha midis qenies njerëzore dhe qenieve te tjera te gjalla është aftësia jone krijuese. Bibla thotë se Perëndia na krijoi sipas imazhit të Tij; qysh në fillim Ai na përcaktoi si veten, pra si krijues.

Para pak kohësh po bisedoja me një mikun tim piktor, mbi dallimet midis artit individual dhe atij kolektiv. Duke qenë piktor, miku im punon kryesisht vetëm, ashtu sikundër edhe unë. që jam fotograf. Kur në procesin e fotografisë hyjnë të tjerë njerëz, ata janë vetëm subjekte për t’u fotografuar. Megjithëse ata luajnë rol të rëndësishëm, procesi krijues kalon nëpërmjet meje, nëpërmjet syve e zemrës sime. Për sa i takon kamerës, ajo është vetëm një vegël sikundër janë furça për piktorin dhe skalpeli për skulptorin.

Profesionin e muzikantit që zotëroj e shoh si një kontribut më të përshtatshëm për krijimtari kolektive. Ka muzikantë që parapëlqejnë të punojnë vetëm si kompozitorë ose thjesht ekzekutues, por, për mendimin tim, muzika del më mirë kur luhet në grup. Grupi mund të jetë i vogël sa një duo – John Lennon dhe Paul McCartney, për shembull – por mund të jetë edhe një orkestër e madhe simfonike.

Të njëjtat parime vlejnë edhe për botën e biznesit. Një drejtues i lartë kompanie shpesh duhet të punojë vetëm e të marrë vendime për gjëra që vetëm ai ka kompetencën t’i marrë. Shitësit shëtitës udhëtojnë vetëm për të takuar klientët me shpresën për t’i bindur ata që të kontraktojnë mallrat ose shërbimet e ofruara nga firma. Në të tilla raste ata vënë në përdorim krijimtarinë vetjake për të gjetur variantin më të mirë për të tërhequr klientët.

Por shumicën e rasteve trajtimi kolektiv i çështjeve të biznesit është më i frytshëm. Formulimi i strategjive për të ardhmen, përpunimi i planeve specifike për iniciativa të reja ose vlerësimi i performancës së ndërmarrjes janë procese ku kërkohen medoemos kontribute dhe këndvështrime sa më të shumta.

Pavarësisht nga madhësia e grupit, “magjia” ndodh kur njerëzit e kuptojnë se e tëra është më e madhe se shuma aritmetike e pjesëve të saj. Thënë ndryshe, ti arrin së bashku me të tjerët pikërisht atë që nuk e arrin dot i vetëm. Këtë të vërtetë e shohim shpesh edhe në botën e sporteve. Kur anëtarët e skuadrës luajnë mirë në grup, kanë gjithmonë shanse për të arritur rezultate që nuk mund të priten prej individëve veç e veç.

Grupi muzikor ku unë bëj pjesë, Sky Blue, u krijua vite më parë sepse ne deshëm të bënim art në formën e muzikës. Kur luajmë, spektatorët shohin katër artistë që dëgjojnë njeri tjetrin, që i përgjigjen asaj çka luan a këndon tjetri dhe që krijojnë një bisedë muzikore të pëlqyeshme për veshin. Nuk jemi grup xhazi, por edhe muzika xhaz kështu funksionon.

Shumicën e rasteve e lemë skenën me fytyra të qeshura e plot gëzim sepse kemi prodhuar diçka që nuk ishte dëgjuar më parë dhe që ndoshta nuk do të dëgjohet kurrë më në të njëjtën mënyrë.

Bibla flet shpesh për vlerën e punës në grup. Në Testamentin e vjetër, te Predikuesi 4:9-12 theksohet: “Dy vlejnë më shumë se një i vetëm sepse kanë një shpërblim më të mirë për punën e tyre. Në fakt, nëse rrëzohen, njeri ngre tjetrin, por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet!...Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është i vetëm, dy veta mund t’i qëndrojnë; një litar tresh nuk këputet aq shpejt.”

Falët e Urta 27:17 thonë, “Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh imazhin e shokut të tij.” Secili prej nesh zotëron talente dhe aftësi unike, por për të dhënë maksimumin, duhet të bashkëpunojmë me njeri tjetrin.

Jim Mathis është pronar i një studioje fotografike në Overland Park, Kansas, të specializuar për profile teatrore dhe tregëtare dhe drejton një shkollë për fotografi dixhitale. Më parë ai ka qenë menaxher i një kafeneje dhe drejtor ekzekutiv i CBMC në Kansas City, Kansas dhe Kansas City, Missouri.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstah
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni cdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Si mund ta përshkruash kreativitetin në punën që bën? Jep disa shembuj.
  2. Nga përvoja që ke, cilat punë të kanë rezultuar më të suksesshme, ato që i ke bërë krejt vetë apo ato në të cilat ke qenë pjesëtar i një grupi?
  3. A të ka ndodhur që, kur sheh pas punët që ke bërë dhe arritjet e tua, të mendosh ashtu siç thekson Jim Mathis: “ E tëra është më e madhe se shuma aritmetike e pjesëve të saj përbërëse? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Sipas mendimit tënd, cilat janë avantazhet e punës në grup përsa i takon krijimtarisë në fusha të ndryshme të jetës?

Nëse dëshiron të shohësh apo të diskutosh mbi pasazhe të tjera të Biblës të lidhura me këtë temë, referohu si më poshtë:

Eksodi 4:10-17, Numrat 13:1-31; Mateu 10:1-16; Marku 6:7; 1 Korintasve 1:1; 2 Korintasve 1:1; 2 Thesalonikasve 1:1

0 komente:

Post a Comment