headerphoto

KËSHILLË: SHMANGI ORTAKËRITË

MANNA E SË HËNËS
12 Dhjetor, 2011

Nga Ken Korkow

Kam qenë me shumë fat që krijova marrëdhënie të suksesshme ortakërie me tre miq: Shan Burke, Don Smith dhe Ron Young. Statistikat tregojnë se vetëm një në 35 marrëveshje ortakërie ka sukses; të tjerat dështojnë. Duke u bazuar në këto shifra, kuptohet se ortakëria përgjithësisht nuk duhet inkurajuar. Pyetja që del është kjo: pse dështojnë kaq shpesh ortakëritë? Përgjigja është e thjeshtë: sepse problemeve që mund të lindin nuk u jepet zgjidhje që në fillim, para se të bëhen letrat dhe të shtrëngohen duart.

Ja disa parime bazë që duhen pasur parasysh para se të përfundohet një marrëveshje ortakërie:

Mos u ver në pozita të pabarabarta. Si fillim, Bibla na jep këtë paralajmërim të fuqishëm: "Mos u mprih nën zgjedhë me një jobesimtar; sepse ç’kanë të përbashkët drejtësia me paudhësinë? Dhe, çfarë afrie kanë drita me errësirën?" (2 Korintasve 6:14) Ashtu sikundër nuk do të mprihje nën të njëjtën zgjedhë kalin me kaun, ashtu edhe besnikët e Jezu Krishtit nuk duhet të lidhen ngushtë me ata që nuk janë ende të krishterë. Edhe nëse të dyja palët përbetohen se janë të krishterë, barazia nuk mund të quhet e vendosur. Një kalë pony nga Shetlanda dhe një kalë i racës klajdesdeil janë që të dy kuaj dhe, sigurisht që kanë shumë gjëra të përbashkëta, por ndryshojnë si nga madhësia e trupit ashtu edhe nga temperamenti. Ata nuk do të mprihen njësoj nën zgjedhë.

Po ndëshkimi? Edhe sikur të “mpriheni nën zgjedhë” në mënyrë të barabartë me dikë, mund të ndodhë që, për një arsye ose për një tjetër, njërin prej jush ta ndëshkojë Perëndia. Si do t’ia bëjë tjetri në këtë rast?

Cili është qëllimi i ortakërisë? Secila palë duhet të shkruajë të zezë mbi të bardhë se çfarë pret nga ortakëria. Pritshmëritë nuk duhet të jenë doemos të njëjta, por, të paktën, ato duhet të plotësojnë njëra tjetrën. Për shembull: Çfarë mund të ndodhë kur ka fitim? Po kur ka humbje? A mund të arrihen disa objektiva të përbashkëta edhe pa qenë e nevojshme të firmosen dokumente ortakërie?

Kush e ka autoritetin për të vendosur? Kur vjen puna për të marrë vendime të rëndësishme, cila është pala që ka fjalën e fundit? A je i gatshëm t’ia nënshtrosh autoritetin tënd personit tjetër?

Çfarë tipash janë secili nga ortakët? Ju mund të jeni miq dhe të ndani mendime të njëjta për shumë gjëra, por nëse tipat tuaj dhe stilet e punës janë të ndryshëm, konflikti është i pashmangshëm.

A bini dakord për parimet biblike? Në rast se në ortakëri lindin mosmarrëveshje për çështje nga më të ndryshmet, cilat do të ishin mekanizmat e zgjidhjes së tyre? A jeni dakord që ta përdorni Biblën dhe parimet e saj të të bërit biznes për të zgjidhur konfliktet?

Shkruajini të gjitha hollësitë e bashkëpunimit. Thuhet se një laps i shkurtër është më i mirë se një kujtesë e gjatë. Bëja të qartë partnerit se të gjitha gjasat e mundshme duhen parashikuar në letër. Duhen parashikuar divorci, tetraplegjia, mospërputhja e interesit, vdekja, borxhi dhe rastet e mungesës së transparencës nga njëra ose tjetra palë.

GJITHMONË bëj marrëveshje të tipit shit-blerje. Kjo është një lloj marrëveshje të cilën mund ta ekzekutojë secila nga palët në çdo kohë. Në rast se ortakëria nuk funksionon, gjithsekush mund të shkojë në punën e vet pa shkaktuar probleme.

Përfshije bashkëshorten në këtë proces. Duke qenë se jam një tip që nuk ia përtoj t’iu futem risqeve, nuk para e përfshija time shoqe në çështjet e biznesit. Në fakt, unë kam përvojë të gjatë si dhe një gradë shkencore në menaxhimin e biznesit, kurse Liza, ime shoqe, është vetëm një mësuese. Por bëra shumë gabime derisa kuptova se, në çdo fazë të jetës, kam qenë praktikisht i partnerizuar me Perëndinë si “drejtues i biznesit” tim dhe me gruan time si “partner i barabartë”. Dhe pranova përfundimisht se ishte ajo që duhej të ushtronte “të drejtën e vetos” mbi vendimmarrjen. Fillimisht u tremba sepse, për shkak të vërejtjeve të shumta të Lizës, më dukej se nuk do të kisha më asnjë sukses në biznes, por dalëngadalë e kuptova se Perëndia e kishte pajisur me atë “radarin intuitiv” që mua më mungonte. Si rezultat, ne mundëm t’iu shmangeshim shumë partnerizimeve që do të kishin qenë të dëmshme për biznesin tonë.

Ken Korkow jeton në Omaha, Nebraska, U.S.A., ku shërben si drejtor rajonal i CBMC. Kjo pjesë është adaptuar nga shkrimet e rubrikës së tij të përjavshme me titull “Fax of Life”. Botohet me leje.

CBMC INTERNATIONAL: President James Firnstahl
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Kërkesat e ndryshme ose njoftimet për ndryshimin e adresave i njoftoni te www.cbmcint.org

Reflektime/Diskutime Pyetje

  1. A je aktualisht i përfshirë në ndonjë ortakëri? A ke qenë më parë? Çfarë mësimesh ke nxjerrë?
  2. Çfarë mendon për paralajmërimin biblik që të “mos mprihesh në zgjedhë” në mënyrë ta pabarabartë? A pajtohesh me këtë parim apo të duket si pengues për zhvillimin e biznesit? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Cilët nga parimet e tjerë biblikë të duket i dobishëm në lëmin praktik?
  4. Reflekto mbi këshillën që jep Mr. Korkow për të përfshirë edhe bashkëshorten në vendimmarrjet kryesore për biznesin tënd. A të duket realiste kjo këshillë sidomos në rastin kur bashkëshortja nuk është specialiste e fushës së atij biznesi. Cilat mund të jenë avantazhet që dalin nga zbatimi i kësaj këshille?

Shënim: Po ta keni Biblën dhe dëshironi të lexoni pasazhe të tjerë që kanë lidhje me këtë temë, ju sugjerojmë si më poshtë:
Fjalë të Urta 12:15, 15:22, 19:20, 27:17; Predikuesit 4:9-12; Kolosjanëve 3:17,23-24

0 komente:

Post a Comment