headerphoto

PËR KË – PËR ÇFARË – JE MIRËNJOHËS?

MANNA E SË HËNËS
21 Nëntor, 2011

Nga Robert J. Tamasy

Kësaj jave miliona njerëz nëpër botë do të kremtojnë Ditën e Falënderimeve, megjithëse mirë është që të ndihesh mirënjohës (ndaj Perëndisë) në çdo ditë të vitit. Për shumë vetë kjo është ditë pushimi dhe një nga karakteristikat e saj është se njerëzit gjejnë kohën dhe motivimin për të reflektuar dhe kujtuar gjëra dhe njerëz ndaj të cilëve janë mirënjohës.

Zakonisht, kur kujtojmë bekimet që kemi marrë, na vijnë në mend gjëra materiale: shtëpitë tona, ushqimi, veshja, të ardhurat, puna, shëndeti. Por, a keni menduar ndonjëherë që t’ia adresoni falënderimet atyre njerëzve që kanë pasur ndikime pozitive në jetën tuaj?

Kur më shkon mendja tek ata, lista më del shumë e gjatë. Ajo përfshin: prindërit; një xhaxha që m’u bë si baba, sidomos gjatë fëmijërisë time; një numër mësuesish të shkollës, disa prej të cilëve më ndihmuan të zgjedh rrugën e karrierës time. Pastaj vijnë ata njerëz që ndërmorën riskun për të më punësuar si redaktor nëpër gazetat e tyre duke më dhënë mundësinë të vazhdoja karrierën në gazetari.

Kujtoj gjithashtu edhe ata që më pranuan si staf i CBMC-së, gjë që rezultoi se ishte një bekim shpirtëror dhe profesional për mua. Puna në CBMC më dha mundësinë që të plotësoja qëllimet e mia për të shkruar artikuj dhe libra dhe më futi në procesin jetë ndryshues të të qenit mentor individual për njerëz të tjerë.

Gjatë 20 vjetëve si anëtar i skuadrës së CBMC, unë pata mundësinë të merrja pjesë në konferenca, në të cilat mësova shumë nga redaktorët dhe shkrimtarët e tjerë. U bëra mik me dhjetëra njerëz, të cilët i admiroja për përkushtimin që tregonin ndaj punës së tyre dhe ndaj Perëndisë. Ata më mësuan se si të integroja me sukses besimin me prirjet profesionale duke vërtetuar se Krishtërimi dhe puna nuk janë dy gjëra krejt të ndryshme, por kanë të përbashkëtën se ndaj tyre mund të përkushtohesh pa bërë asnjë kompromis. .

Po ti, ndaj kujt je mirënjohës për faktin se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tënde duke të ndihmuar të bëhesh ai që je sot?

Ja disa këshilla që jep Bibla në lidhje me Falënderimet:

Ji mirënjohës për GJITHÇKA. Shpesh ndodh që ndjenja e mirënjohjes të fokusohet vetëm ndaj “gjërave të mira”, gjërave që na falin kënaqësi. Por edhe sfidat e jetës, fatkeqësitë që ndeshim, të cilat ndikojnë në rritjen tonë profesionale dhe shpirtërore, meritojnë të vlerësohen “Jini gjithmonë të gëzuar…Falënderoni në gjithçka …” (1 Thesalonikasve 5:16-18).

Mirënjohje pa KUFI. Ata që besojnë në Jezu Krishtin mund të mbështeten te Ai për çdo aspekt të jetës. Nuk duhet pasur frikë nga e ardhmja sepse Perëndia do të kujdeset për nevojat tona dhe do të na udhëheqë në përballjen e çdo problemi. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh e përgjërimesh, me falënderim ” (Filipianëve 4:6).

Falëndero atë që E MERITON. Kur shprehin falënderimet, disa njerëz e kanë mendjen te fati dhe rastësitë fatlume. Bibla na mëson se fatin tonë e drejton Perëndia ndaj vetëm Ai duhet falënderuar. “Le të shkojmë pranë Tij me lavde, ta kremtojmë me këngë” (Psalme 95:2).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstah,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A e kremton Ditën e Falënderimeve apo ke mënyra të tjera për të shprehur falënderimet?
  2. Ndaj cilëve je veçanërisht mirënjohës për faktin se të kanë ndihmuar në formësimin tënd si njeri?
  3. A ke shprehur ndonjëherë falënderime për kohët e vështira që ke kaluar, për vështirësitë dhe sfidat me të cilat je përballur? Apo mendon se nuk ka asnjë kuptim që të jesh mirënjohës për vështirësitë?
  4. Në rast se do të shprehje falënderim për gjërat që po të ndodhin aktualisht, cila prej tyre do të të vinte ndërmend e para?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, shiko dhe pasazhet si më poshtë që lidhen me këtë temë:

Psalmet 100:1-5, 105:1-7, 106:1-2; 2 Korintasve 9:10-11; 1 Thesalonikasve 1:2; Kolosjanëve 2:6-7

0 komente:

Post a Comment