headerphoto

RËNDËSI KA SE SI E BËJMË ATË QË BËJMË

MANNA E SË HËNËS
17 Tetor, 2011

Nga Jim Lange

A të ka rastisur të bësh ndonjë punë që ka qenë nën nivelin e aftësive të tua; punë të cilën e ke urryer? Të gjithëve na ka rastisur. Si duhet vepruar?

Po të jesh tipi im, ndoshta do të kesh punuar mekanikisht, duke mos dhënë as minimumin e mundshëm të energjive. Është e lehtë të mendosh: “Unë nuk e meritoj që të bëj këtë lloj pune!” ose “E urrej këtë punë!” Justifikimi për të dhënë edhe më pak se minimumi i mundshëm bëhet më i ligjshëm sidomos kur nuk gjen trajtim të mirë nga përgjegjsat. Megjithatë, po re në kurthin e këtij justifikimi, nuk ke bërë gjë tjetër veçse ke dëmtuar vetveten.

Tendenca jonë është që, “atë çka bëjmë”, “ku e bëjmë” dhe “sa paguhemi”, t’i quajmë si faktorët më të rëndësishëm të punës. Kjo mënyrë të menduari është e gabuar dhe, sigurisht që nuk e nderon emrin e Perëndisë. Ajo që bëjmë në punë, ku e bëjmë dhe sa fitojmë nuk janë aspak më të rëndësishme se sa mënyra se SI e bëjmë.

Shumë prej nesh kanë dëshirë të angazhohen me gjëra të rëndësishme. “Lajmi i mirë” në këtë rast është se, domethënia e punës që bëjmë, nuk ka të bëjë fare me titujt ose llojin e saj. Domethënia qëndron te statusi i zemrave tona. Sepse zemrat tona – motivet tona të brendëshme – janë ato që përcaktojnë cilësinë me të cilën e bëjmë punën.

Në rrjedhën e viteve kam punësuar shumë njerëz dhe e pranoj se, në këtë fushë, nuk kam punuar me cilësinë e duhur. Gjatë intervistave i kam trajtuar njerëzit me dashamirësi të tepruar duke menduar se ata kanë qenë pikërisht kandidatët e duhur që kërkonim. Po ta bëja sërish atë punë me mendësinë që kam sot, do t’iu kisha bërë të intervistuarve disa pyetje krejt ndryshe. Do të përpiqesha të gjeja se cili mund të ishte qëndrimi i tyre në rast se do t’iu kërkohej të bënin punë ordinere, madje fare të ulta, si pastrim tualetesh apo larje dyshemeje. Përgjigja që ata do të jepnin ndaj këtyre pyetjeve do të tregonte më saktësisht se sa dhe si do të përshtateshin ata me pjesën tjetër të kolektivit.

Njëri nga personazhet e mi më të dashur në Testamentin e Vjetër të Biblës ishte një burrë që e kishte kuptuar atë çka thashë më sipër. Jozefi (historia e tij fillon te Zanafilla 37) e pati të vështirë pjesën më të madhe të jetës së tij. Vështirësitë filluan që kur të vëllezërit e shitën si skllav. Megjithëse e burgosën padrejtësisht, ai u soll shumë mirë në burg, prandaj i dhanë aty një post me përgjegjësi të lartë që e mbajti deri ditën që u lirua.

Pas lirimit nga burgu Jozefin e graduan prapë. Kësaj radhe ai u bë i dyti në hierarkinë e Egjiptit dhe përgjigjej vetëm para Faraonit. Në të dyja këto raste Jozefi nuk do të ishte graduar në rast se nuk do të kishte punuar me përkushtim zemre “si për Zotin,” sikundër u thuhet te Kolosianëve 3:23 të gjithëve atyre që e besojnë dhe e ndjekin pas Perëndinë.

Prandaj, në rast se gjendesh në një pozicion pune që nuk të pëlqen ose që e ndjen se nuk i përshtatet aftësive të tua, ki parasysh se Perëndia po ta kqyr zemrën. Ai të do besnik në gjërat e vogla para se të të ngarkojë me përgjegjësira më të mëdha.

Mbaj në mend atë që Jezusi u tha ithtarëve të tij mbi rëndësinë e të qënit shërbyes të mirë jo vetëm për përfitime materiale, por edhe për t’iu hapur rrugë mundësive që na ofrohen: “Dhe i zoti i tha , ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik ; ishe besnik për pak gjëra, unë to të të ngarkoj me shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd!’” (Mateu 25:21).

 

© 2011 nga Xhim Lange. Xhimi është president seksioni në Truth@Work (www.christianroundtablegroups.com), një shërbesë për njerëzit në vendet e tyre të punës. Ai mban një blog të rregullt online www.5feet20.com dhe është autori i librit, Bleedership: Biblical First-Aid for Leaders. Ai dhe familja e tij jetojnë në Toledo, Ohio, U.S.A.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL:
info@cbmcint.org
Për çdo pyetje drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ke qenë ndonjë herë i detyruar të bësh punë që nuk ka qenë në përputhje me kualifikimin tënd, punë e cila nuk të ka pëlqyer aspak? Si ia ke dalë mbanë?
  2. Si është e mundur të krijohet dhe të ruhet entuziazmi kur bën një punë, e cila jo vetëm që nuk të sfidon profesionalisht, por është edhe punë krejt e palezetshme? A duhet bërë ajo pa përkushtim fare? Shpjegoje përgjigjen.A je ndodhur ndonjëherë në situatën kur të është dashur të lesh mënjanë egon tënde dhe të kryesh me përkushtim një punë, e cila ka qenë nën nivelin e aftësive të tua? Në rast se po, si ke arsyetuar?
  3. Ç’mendim ke për idenë se duhet të jesh i gatshëm për të bërë mirë “gjëra të vogla” që të japësh prova se je i aftë të bësh gjëra më të mëdha?

 

SHËNIM: Po ta kesh librin e Biblës dhe dëshiron të lexosh pasazhe të tjerë mbi këtë temë, mund të lexosh vargjet si më poshtë:

Fjalë të Urta 16:26, 21:5, 22:29, 27:18; Predikuesit 9:10; Kolosjanëve 3:17, 3:23-24; 2 Timoteut 2:15

0 komente:

Post a Comment