headerphoto

BESIMI I SINQERTË DHE I VËRTETË NË MJEDISIN E PUNËS

MANNA E SË HËNËS
10 Tetor, 2011


Nga Rick Boxx

Kur shpreh besimin tënd shpirtëror në mjedisin e punës, ndeshesh me dy lloj reagimesh. Disa mendojnë se kjo gjë nuk duhet bërë, a thua se ekziston diku ndonjë ligj i shkruar që “ndan punën nga kisha”. Disa të tjerë mbrojnë idenë se, të shprehësh me fjalë besimin, është një e drejtë e çdo individi, pavarësisht nga mjedisi ku ndodhet. Cilët duhen dëgjuar?

Në një blog të vetin në internet, miku im, Preston Bouman, shprehu kohët e fundit pikëpamjen e tij në lidhje me “përzierjen e biznesit me besimin fetar”. Ja si këshillon ai me urtësi:

"Në qoftë se Perëndia është vërtet pjesë e pandarë e jetës tënde, mos e fsheh këtë gjë. Fol natyrshëm dhe lirshëm mbi jetën, vlerat dhe besimin tënd. Por mos e përdor kurrë Perëndinë dhe gjuhën e besimtarit për të bërë përshtypje te të tjerët ose për të zhvilluar biznesin”.

Ky këndvështrim përputhet më së miri me atë që paraqet apostulli Pal në Testamentin e Ri të Biblës kur shkruan: "Nuk shtrembërojmë fjalën e Perëndisë sikundër bëjnë shumë të tjerë për të fituar. Por flasim në Krishtin para Perëndisë me sinqeritet, si të ishim të dërguarit e vetë Perëndisë" (2 Korintasve 2:17).

A ke hasur me ndonjë që është përpjekur të përdorë besimin dhe intimitetin e jetës shpirtërore si mjete për të bërë marketing, duke vendosur, për shembull, ndonjë pasazh nga Bibla në kartëvizitë, në mënyrë që të identifikojë vetveten mes “besimtarëve” të tjerë? Nuk duhet të na vijë turp për besimin tonë, por ta shpallësh atë me qëllim marketingu, për të tërhequr klientë dhe për të bërë para, është njësoj sikur të bësh me atë çka kritikon apostulli Pal: “… të shtrembërosh fjalën e Perëndisë për të fituar”.

Ka momente që është e pranueshme të flasësh për çështje të besimit, por ka edhe momente që nuk duhet folur për to. Në rast se nuk të kanë marrë në punë si kapelan (prift) i firmës, atëherë detyra jote funksionale nuk përfshin predikime ose diskutime të gjata mbi besimin fetar në orarin e punës. Në këtë rast, një nga mënyrat më të mira për të shpallur besimin tënd te Perëndia, është që t’i kryesh mënyrë të shkëlqyer detyrat që të janë caktuar.

Në qoftë se, gjatë orarit të punës, të adresohet ndonjë pyetje për besimin tënd, duhet të jesh “…i gatshëm t’i japësh përgjigje kujtdo që të kërkon t’i shpjegosh arsyen për shpresën që ti ushqen…” (1 Pjetrit 3:15). Megjithatë, jo gjithmonë koha në të cilën bëhet pyetja, është edhe koha më e përshtatshme për të dhënë përgjigje. Biseda mund të lihet për t’u bërë gjatë pushimit të drekës, në mënyrë që askush të mos ketë gojë të thotë se ti bëhesh pengesë në punë.

Çështja tjetër ka të bëjë me faktin se sa i bashkon fjalët që thua me veprat që bën. Dikush ka thënë: “Jetojmë në një botë që nuk ta pranon mendimin. Sa më pak të flasësh aq më mirë është? Në fakt, jetojmë në një botë ku gjithsekush ka mendime dhe besime nga më të ndryshmet. Mënyra e vetme për të kuptuar nëse dikush beson vërtet në ato që thotë, është të shohësh se sa jeta e tij/saj përputhet me fjalët që shpreh. Jezusi ka thënë: “…le të shndritë drita juaj para njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mateu 5:16).

Përfundimisht, përgjigja ime për dilemën nëse është mirë apo jo që të shprehësh besimin tënd në mjedisin e punës, është kjo: Mos u druaj për të shpallur vlerat e tua, por vetëm nëse ato janë të sinqerta dhe të vërteta.

 

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Inegrity Resource Center ose për t’u rregjistruar tek shërbesa e përditshme e Rick-ut “Integrity Moments”, vizito www.integrityresource.org. Libri i tij me titull “Si të rritësh biznesin pa sakrifikuar integritetin” është një qasje me frymë biblike ndaj të bërit biznes sipas moralit të krishterë.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

 

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Ç’mendim ke për njerëzit që diskutojnë për besimin e tyre fetar në mjedisin e punës?
  2. A ke dëgjuar ndokënd që të flasë për besimin e vet në mënyrë e kohë të papërshtatshme? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A mendon se është e rëndësishme që njeriu të jetojë e të veprojë në përputhje me besimin e vet shpirtëror. Pse, ose pse jo?
  4. Si i përgjigjesh këshillës së z. Boxx: ”Mos u druaj për të shpallur vlerat e tua, por vetëm nëse ato janë të sinqerta dhe të vërteta”?

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe kërkon të dish më shumë mbi këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Mateu 28:19-20; Galatasve 6:9-10; Efesianëve 6:19-20; Kolosianëve 4:5-6; Jakobi 2:14-18

0 komente:

Post a Comment