headerphoto

JETA: TA ÇOSH DËM, TA HARXHOSH APO TA INVESTOSH?

MANNA E SË HËNËS
24 Tetor, 2011

Nga Rick Warren

Përditë marr email-e reklame të cilat më ftojnë të marr pjesë në ndonjë investim financiar me interes. Megjithëse investimi financiar është përgjithësisht gjë e mirë, kam vënë re se shumë njerëz që janë të shkathët në këtë punë, asnjëherë nuk kanë menduar se si do ta investojnë jetën e tyre.

Kur vjen koha, pra kur ti mbërrin në fund të jetës, si do ta përcaktosh nëse jeta ia vlente që ta jetoje? Me çfarë kriteresh do ta vlerësosh atë? Për ta bërë pyetjen më të drejtpërdrejtë: Si po e investon tani jetën tënde? Çfarë lloj “dividenti” pret të marrësh prej saj?

Ke vetëm tre mundësi kur mendon se çfarë do bësh me pjesën e jetës që të ka mbetur:

Mund ta çosh dëm. Ka plot mënyra për ta bërë këtë. Mjafton të hedhësh një sy rreth e rrotull dhe të shikosh se shumë njerëz nuk bëjnë absolutisht asgjë me jetën e tyre. Ata thjesht egzistojnë duke zënë vendin dhe duke thithur ajrin. Nuk japin asnjë kontribut. I kalojnë orët ose pa aktivitet fare ose me aktivitet të pakuptimtë.

Mund ta harxhosh.  Ka plot mënyra edhe për ta harxhuar jetën. Mund të bësh një karrierë, të zhvillosh një hobi, të ndërmarrësh udhëtime - pra mund të bësh gjithçka që e ke dëshirë dhe që të zë pjesën më të madhe të kohës duke të harxhuar edhe pjesën më të madhe të energjisë. Një individ i zakonshëm jeton rreth 29,962 ditë. Pyetja për secilin nga ne është kjo: për çfarë duhet t’i harxhojmë këto ditë?

Mund ta investosh. Bibla na mëson se përdorimi më i mirë që mund t’i bëjmë jetës është ta investojmë atë në diçka që i qëndron kohës. Kjo ka të bëjë me vështrimin afatgjatë për perspektivën e saj. Habitesh se sa ndryshojnë gjërat kur i shikon ato nga perspektiva e përjetësisë.

Bibla flet shpesh mbi vlerën dhe rëndësinë e të pasurit këtë lloj këndvështrimi perspektiv ndaj jetës sonë të përkohshme. Shumë nga mësimet e Jezusit lidhen me temën e investimit (të jetës). Te Mateu 25:14-30, ai tregon historinë e tre shërbëtorëve të cilëve iu ngarkua përgjegjësia për paratë e zotit të tyre. Dy prej tyre bënë investime të mençura dhe u shpërblyen. I treti nuk mundi dhe mori dënim. Nga histori të tilla biblike ne nxjerrim pesë mësime për mënyrën se si duhet investuar jeta:

 

  1. PRONËSIA: Gjithçka që kam, në të vërtetë është e Perëndisë. Ai më jep në përdorim pjesën që më takon përsa kohë do të jem mbi këtë tokë.
  2. DHËNIA: Perëndia na jep talente dhe aftësi të veçanta që në lindje.
  3. LLOGARIDHËNIA: Perëndia pret që ne t’i vëmë në punë talentet që na ka dhënë. Një ditë ne do të japim llogari para Tij se çfarë bëmë me ato që ai na dha.
  4. PËRDORIMI: Përdorimi i talenteve tona kërkon të rriskosh, prandaj është i nevojshëm besimi te Perëndia.
  5. MOTIVIMI:  Ajo që na frenon që t’i përdorim talentet tona është frika, mungesa e guximit për të kaluar përtej “zonës së sigurisë”.
  6. KUJDESI:  Po nuk i përdorëm talentet, ato humbasin.
  7. SHPËRBLIMI:  Po i përdorëm talentet ashtu siç e ka menduar Perëndia për ne, Ai do të na shpërblejë. Vargu te Romakëve 2:6 na siguron: “Perëndia do ta shpaguajë gjithsecilin sipas veprave që ai ka bërë.”

 

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Inegrity Resource Center ose për t’u rregjistruar tek shërbesa e përditshme e Rick-ut “Integrity Moments”, vizito www.integrityresource.org. Libri i tij me titull “Si të rritësh biznesin pa sakrifikuar integritetin” është një qasje me frymë biblike ndaj të bërit biznes sipas moralit të krishterë.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

 

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ke menduar ndonjëherë se si do ta përcaktosh nëse ia ka vlejtur që jetove? Me çfarë kriteresh do ta bësh këtë vlerësim?
  2. A njeh ndokënd që po e çon jetën e vet dëm me ndërgjegje të plotë? Përshkruaj shkurtimisht pse mendon se ai person nuk është në gjëndje që ta përdorë mirë jetën e tij/saj?
  3. Si mund të bësh dallimin midis dikujt që po e “harxhon” jetën e vet dhe dikujt tjetër që po e “çon dëm” atë? Çdo të thotë ta shohësh jetën në perspektivën e përjetësisë?
  4. Bazuar në përshkrimin e Dr. Warren-it, a mund të thuash se ti po e investon jetën tënde? Pse ose pse jo? Cilat mund të jenë mënyrat që të fillosh ta shndërrosh jetën në investim dhe të kërkosh shpërblimin e këtij investimi?

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, shiko dhe këto pasazhe që kanë lidhje me këtë temë:
Fjalë të Urta 11:23, 14:12, 17:24, 27:23-27; Mateu 24:42-51, 25:31-46; Kolosjanëve 3:22-24

0 komente:

Post a Comment