headerphoto

NGA SE KE FRIKË?

MANNA E SË HËNËS
31 Tetor, 2011

Nga Robert J. Tamasy

Në 31 tetor, ditën e festës së Halloween-it, në SHBA, miliona fëmijë dhe prindërit e tyre vishen me kostume që përfaqësojnë personazhet më të frikshëm të filmave vizatimorë, fantazmat dhe shtrigat. Në këtë ditë, qëllimi kryesor i gjithsecilit është që të paraqitet sa më tmerrues që të jetë e mundur.

Por ne nuk kemi nevojë për Halloween-in që të përjetojmë frikën. Jeta dhe puna e përditshme nganjëherë janë më se të frikshme. Shkaqet për këtë janë të shumta duke filluar nga tërmetet, cunamet, krizat ekonomike e kështu me radhë.

Kohët e fundit ka qenë pikërisht frika ajo që ka shkaktuar ulje e ngritje marramendëse në tregun e bursave. Ulja ose ngritja e treguesve të bursave brenda një dite, shpesh nuk ka të bëjë me atë që ndodh atë ditë, por me fenomene ekonomike negative të së ardhmes së afërt. Jo vetëm lajmet e vërteta, por edhe thashethemnajat e ndryshme bëhen shkak për ngjalljen e frikës te investitorët në të gjithë botën.

Herë pas here të gjithë përjetojmë momente frike. Nga se kemi frikë më shumë: nga humbja e vendit të punës? Nga dështimi në biznes? Nga fakti që dikush promovohet dhe ne nuk na jepet kjo mundësi? Nga konkurrenca, qoftë kjo edhe e ndershme? Nga largimi i një specialisti të mirë dhe nga pamundësia për të gjetur një tjetër që ta zëvendësojë atë?

Kur vemë re se gjërat janë jashtë kontrollit tonë dhe në horizont cfaqet dështimi, atëherë frikësohemi. Por çfarë ndodh në rast se kemi dikë që na udhëheq në besimin se gjërat i kemi nën kontroll? A nuk do ta pakësonte frikën, në mos do ta zhdukte fare atë? Hidhi një sy atyre që thotë Bibla në lidhje me frikën dhe mënyrat për mposhtjen e saj:

Nuk jemi vetëm. Kur vijnë vështirësitë, frika jonë kryesore vjen nga ideja se përballë tyre jemi të vetëm. Atyre që besojnë në të, Perëndia iu ka premtuar se do t’iu qëndrojë pranë kudo që të ndodhen, në punë, në udhëtim madje edhe në shtëpi: “ Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb (toruan) sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10). “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Hebrejve 13:5).

Kemi një udhëheqje në kohë të vështira. Është lehtësuese kur ke pranë dikë që i njeh rrethanat dhe përmbajtjen e sfidave që je duke përballuar, ashtu sikundër bariu e njeh mirë shtegun nëpër të cilin i drejton dhentë e tij. “ edhe sikur të eci në luginën e hijes së mortit, nuk do të frikësohesha nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua…” (Psalmi 23:4).

Frika nuk është zgjidhje. Të besosh në mbrojtjen hyjnore të Perëndisë do të thotë të kesh sigurinë se, pavarësisht nga sa e frikshme mund të duken e sotmja ose e ardhmja, nuk ke pse të pushtohesh nga frika dhe dëshpërimi. “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por fuqi dhe dashuri dhe mëndjekthjelltësi” (2 Timoteut 1:7).“ Ejani tek unë, o të gjithë të munduar e të rrënuar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstah,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Kur mendon për javën e ardhshme, nga se trembesh më shumë? Çfarë problemi të le pa gjumë?
  2. A pajtohesh me idenë se frika ushtron një ndikim të madh në vendimet që marrim në punë? Pse, ose pse jo?
  3. Si reagon kur ndjehesh i trembur për çështje të punës ose të familjes?
  4. Cilët prej këndvështrimeve biblike të paraqitur në këtë “Manna të së Hënës”, të duket më i vlefshëm për ty? Shpjegoje përgjigjen.

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të thellohesh në këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Fjalë të Urta 3:5-6, 16:4,9, 20:24; Jeremia 29:11-13; Mateu 8:23-27, 14:22-31; Hebrejve 10:30-31

0 komente:

Post a Comment