headerphoto

LIDERAT MË TË MIRË KANË ZEMËR BARIU

MANNA E SË HËNËS
3 Tetor, 2011

Nga Robert J. Tamasy

Çfarë dini mbi delet? Përgjithësisht shumë pak, me përjashtim të informacionit se prej deles marrim leshin e qumështin dhe se të vegjlit e saj quhen qengja. Sigurisht, në Zelandën e Re, ku numri i deleve është më i madh se i njerëzve, dinë më tepër. Vite më parë, ndërsa punoja me mikun tim Ken Johnson për të shkruar një libër, mësova shumë gjëra në lidhje me këto kafshë konfuze.

Keni kishte vite që merrej me rritjen e deleve në fermën e tij “amatore” ndërsa punonte me kohë të plotë në një vend tjetër. Ai shfaqi dëshirën që të më jepte disa ide për librin, të cilit ia ndërroi titullin: nga “Reflektime Nga Tufa” në “Të jetosh jetën me zemrën e një bariu”. Ja se çfarë kishte mësuar ai dhe familja e tij nga delet:

Bari nuk është më i gjelbër atje se sa këtu. Një aforizëm i njohur thotë: “Bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër të gardhit”. Kështu mendojnë edhe delet. Këtë gjë Keni e pa me sytë e tij kur tufa e deleve të tij e shpërfilli dhe e shkatërroi barin e grumbulluar në vathë në përpjekje për të shijuar barin e një lëndine jashtë saj. A nuk na ndodh edhe ne që të heqim dorë nga puna apo rruga që kemi nisur për shkak se na duket më e mirë një alternativë tjetër dhe pastaj zbulojmë me keqardhje se nuk ia vlente?

Jo gjithmonë është mirë “të ndjekësh pas udhëheqësin”. Një mëngjes, teksa delet po dilnin nga vatha, Keni ia pengoi rrugën të parës duke i nxjerrë para një bisht fshese. Delja kërceu mbi të dhe vazhdoi rrugën. Keni nuk ia vuri më shkopin para deles së dytë, por ajo kërceu si e para megjithëse shkaku për të kërcyer nuk ekzistonte më. A ke bërë edhe ti ndonjëherë diçka pa kërkuar arsye, por vetëm sepse dikush tjetër po bënte të njëjtën gjë? A të ka ndodhur që të vazhdosh të mbash qëndrime tradicionaliste pa e vrarë mendjen nëse atyre mund t’iu ketë kaluar koha?

Po ngeli e vetme, delja krijon probleme. Ka raste kur dele të veçanta shkëputen nga tufa dhe, rrjedhimisht, nga syri vëzhgues i bariut. Rezultatet mund të jenë fatale – ndonjë gjymtyrë e thyer, bllokim në shkurre e deri te rrëzimi dhe mbetja shtrirë në kurriz me këmbë përpjetë. Po të mos jetë ndërhyrja e shpejtë e bariut, delja e aksidentuar mund të ngordhë.

Raste të tilla ka plot, por historitë e Kenit vërtetojnë një pasazh nga Bibla që thotë: ”Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet…” (Isaia 53:6). Pa kujdesin e një bariu të zellshëm delet mund ta pësojnë keq.

Në botën e profesioneve dhe të biznesit një nga detyrat kryesore të liderëve është që të kryejnë funksionin e bariut. Ata duhet të sigurojnë një mjedis pune të sigurt, të parashikojnë mundësitë e aksidenteve dhe të marrin masa për eliminimin e tyre duke u siguruar punëtorëve kushte sa më të mira.

Në planin shpirtëror, një bari-lider i mençur, përpiqet që t’i shëmbëllejë Jezu Krishtit, i cili e përshkruan veten si “bariu i mirë; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua” (Gjoni 10:14). Në të njëjtin pasazh Jezusi thotë: “Bariu i mirë jep jetën për delet e tij” (Gjoni 10:11). Kur liderët tregojnë me vepra se venë gjithmonë në plan të parë interesat e punonjësve, ata me siguri do të kenë pas vetes pasues besnikë.

Ti je lider. A je i gatshëm të kryesh misionin e vështirë të bariut nën udhëheqjen e BARIUT? (Jezusit)

 

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL:
info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A të ka rastisur të merresh me delet ose të vëzhgosh se si merren të tjerët? Në rast se po, mundohu të përshkruash ndonjë ngjashmëri midis deleve dhe njerëzve.
  2. Si ndjehesh kur e sheh veten tënde të krahasuar me një dele? Të duket gjë si fyerje? Pse, ose pse jo?
  3. A të ka ndodhur që të të jetë dukur “më i gjelbër bari matanë gardhit”. Sipas teje, pse intrigohemi nga ideja se ajo që nuk e kemi është më e mirë se ajo që kemi?
  4. A e sheh ndonjëherë veten në rolin e “bariut”? Në rast se po, si e kryen këtë rol? Ç’mendim ke për këshillën që t’i shëmbëllesh Jezusit, i cili e përshkruan veten si “Bariu i mirë”. Shpjegoje përgjigjen.

 

Për më shumë në lidhje me këtë temë, mund të shfletosh Biblën te:

Psalme 23; Isaia 53:7; Marku 6:34; Luka 15:1-7; Gjoni 10:1-18, 21:16-17; Veprat e Apostujve 8:32; 1 Pjetrit 2:21-25

0 komente:

Post a Comment