headerphoto

SUKSESI SIGUROHET DUKE PËRBALLUAR PRESIONET E PËRDITËSHME

MANNA E SË HËNËS
26 Shtator, 2011

Nga Robert D. Foster

Si ia del shqetësimeve të jetës së përditshme, atyre kërkesave dhe vështirësive që dalin gjatë një dite të zakonshme pune? Ekziston një thënie:”Jeta nuk do të ishte e keqe po të mos ishin njerëzit në mes.” Thënë ndryshe: “Puna nuk do të ishte e keqe, sikur të mos kishte telashe.”

Si ilustrim për këtë shërben historia fantastike e Ervin Nyiregyhaz-it, pianistit me origjinë hungareze. Në moshën dy vjeç ai arrinte të krijonte melodi në një piano të vogël. Në tre vjeç, arriti një nivel të lartë perfeksioni, kurse, në moshën katër vjeçare, i shkruante vetë notat e kompozimeve të tij.

Në moshën 12 vjeçare Ervini luante në orkestrën simfonike të Berlinit. Ishte 15 vjeç kur debutoi para mbretit dhe mbretëreshës së Norvegjisë dhe 17 vjeç kur dha koncert në Carnegie Hall në New York, U.S.A. Disa autoritete të botës muzikore filluan ta krahasonin atë me Moxartin.

Pas moshës 20 vjeçare Ervini u zhduk në mënyrë misterioze. U duk sikur nuk ekzistonte më. Për vite me radhë askush nuk dinte se çfarë kishte ndodhur me këtë gjeni të dikurshëm të muzikës.

Sot, po të shohësh ndonjë listë të pianistëve më të mëdhenj të botës, nuk do ta gjesh aty emrin e Ervin Nyiregyhaz-it. Shumë pianistë të njohur nuk kanë dëgjuar ndonjëherë të flitet për të. Ai u shfaq sërish vetëm kur ishte bërë 75 vjeç. Ndodhej në San Francisko, Kaliforni, jetonte në varfëri, në një hotel të lirë dhe jepte koncerte pa pagesë në një kishë të periferisë.

Ervini pohon se ka të mikrofilmuara partiturat e rreth 700 kompozimeve të pa botuara. Më në fund, në moshën 75 vjeçare ai ka filluar që t’i regjistrojë këto kompozime. Tashmë kanë kaluar 55 vjet që kur i ka shkruar ato.

Lind pyetja: "Çfarë i ngjau Ervinit?" Thjesht: ai nuk qe në gjendje të përballonte presionet e jetës së përditshme: presionet e jetës bashkëshortore dhe të marrëdhënieve njerëzore, peshën e rëndë të famës dhe suksesit. Ai nuk deshi të paguante çmimin për to, ndaj u zhduk nga sytë e publikut.

Në Bibël, apostulli Pal përdor fjalën greke THLIPI, që do të thotë “presion i shkaktuar nga stresi fizik dhe emocional”. Ky term përdorej për të përshkruar procesin e “shtrydhjes së rrushit”.

Duket se pianisti virtuoz, Ervin, mendonte se ai ndodhej krejt i vetëm përballë këtyre presioneve. Besimtarët në Krisht kanë një qasje tjetër. Duke pohuar praninë e Perëndisë në jetët tona, Apostulli Pal ka thënë: "Ne mburremi në shtrëngimet, duke e ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën" (Romakëve 5: 3,4).

Shumë njerëz, biznese apo edhe kauza fisnike shkatërrohen më shumë për mungesë durimi se sa për mungesë aftësish, dijenish apo energjish. Kur humbasim durimin ne humbasim besimin te Perëndia, te vetja dhe te të tjerët. Mungesa e durimit pjell dekurajim, veprime të gabuara dhe apati vdekjeprurëse.

Bibla na këshillon: "Hidhe mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të ta mbajë. Ai nuk do të lejojë që i drejti të rrëshqasë ose të bjerë" (Psalme 55:22).

 

Marrë dhe adaptuar nga “Take Two on Monday Morning”, shkruar nga Robert D. Foster. Riprodhimi inkurajohet. Për pyetje ose komente shkruani në: 29555 Goose Creek Rd, Sedalia, CO 80135, U.S.A., fax: (303) 647-2315. Tashmë Z. Foster ka festuar ditëlindjen e tij të 91.

CBMC INTERNATIONAL: President Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje ose kërkesa drejtohuni te: www.cbmcint.org

 

Reflektim / Diskutim, Pyetje

  1. Cilat janë presionet më të shpeshta që të duhet t’i përballosh?
  2. Si reagon zakonisht ndaj presioneve? E ndjen veten më produktiv kur je nën presion apo ai të lodh e të dekurajon. Shpjegoje përgjigjen.
  3. A je përballur ndonjëherë me ndonjë problem apo me rrethana jetësore që të të kenë tunduar për “ tërheqje të plotë” sikundër bëri Ervin Nyiregyhazi? Ndoshta po përballesh tani. Shpjego se si ke reaguar ose si ke ndërmend të reagosh.
  4. A të duket me kuptim ajo që thotë apostulli Pal që të “gëzohemi në shtrëngimet dhe vështirësitë”? Pse, ose pse jo?

Më poshtë paraqiten disa vargje të tjera të Biblës që kanë lidhje me këtë temë:

Isaia 41:10; Mateu 11:29-30; Filipianeve 4:6-9; 2 Timoteut 1:7; Jakobit 1:2-5; 1 Pjetri 5:7

0 komente:

Post a Comment