headerphoto

NUK EGZISTOJNË PYETJE IDIOTE!

MANNA E SË HËNËS
19 Shtator, 2011


Nga Dr. Rick Warren

Të mësohesh të bësh pyetje - dhe të dish të bësh pyetjet e duhura - janë dy nga aftësitë më të rëndësishme që duhet të zhvillojë njeriu, në mënyrë që të bëhet i suksesshëm në jetë, në punë e kudo:

· Po nuk bëre pyetje, ti nuk bën dot dallime.

· Po nuk bëre dot dallime, ti nuk mund të marrësh vendime.

· Po nuk more vendime, ti nuk mund të hidhesh në veprime.

· Po nuk veprove, atëherë dështove!

 

Ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz, të bësh pyetje është shenjë inteligjence. Sa më inteligjent je, aq më shumë prirje ke që t’i vesh gjerat në dyshim dhe të bësh pyetje. Ky është procesi i të mësuarit, i të kuptuarit dhe i përparimit. Nuk ka pyetje idiote. Idiotësi është që të mos kërkosh sqarime për diçka që ti e ndjen se nuk po e kupton dot. Kur ti i jep prioritet jo procesit të të mësuarit, por imazhit tënd fals (“duhet të dukem sikur di shumë”), atëherë idiotësia bëhet e plotë.

 

Will Rogers, humorist dhe filozof i jetës, ka thënë: “Çdokush mund të paraqitet injorant në fusha të caktuara!” Por, me qenë se ne kemi përvoja të ndryshme, atëherë mund të mësojmë shumë nga njeri tjetri, mjafton që të dimë të bëjmë pyetjet e duhura.

Bibla thotë: “Megjithëse këshilla e mirë qëndron thellë brenda zemrës së të urtit, njeriu i mençur di se si ta nxjerrë prej andej” (Fjalë të Urta 20:5). Mënyra e vetme për të përfituar nga dituria e të tjerëve është të bësh pyetje.

 

Pyetjet janë disa llojesh. Ja një listë me disa prej tyre:

· Pyetje që ushtrojnë mendjen: “Çfarë mund të ndodhë sikur...? A ka ndonjë mënyrë më të mirë për…?”

· Pyetje përcaktuese: “Ku qëndron problemi?”

· Pyetje hulumtuese: “Cilat janë faktet? Çfarë duhet të dimë?”

· Pyetje që kërkojnë zgjidhje: “Cilat mund të jenë pesë mënyra për ta kaluar me sukses këtë situatë?”

· Pyetje që venë prioritete: “Çfarë është më e rëndësishme në këtë mes?”

· Pyetje që kërkojnë argumentim: “Pse është e gabuar kjo ide?”

· Pyetje ndihmëse: “Si do t’ja bëjmë tani?”

 

Të gjithë mësuesit e mëdhenj e dinë se, të bësh pyetje, është një nga mënyrat më efektive për të mësuar të tjerët. Në rast se je menaxher, shef apo prind, provo këtë qasje: Në vend që t’u thuash të tjerëve se ti po përpiqesh t’i udhëheqësh në punën e tyre, mundohu t’ia u angazhosh atyre mendjet duke iu drejtuar disa pyetje; kërko që të provokosh te ata procesin e të menduarit mbi veprimet që duhet të bëjnë nën udhëheqjen tënde.

 

Po deshe pastaj të bëhesh mjeshtër i vërtetë i kësaj pune, merr një Bibël dhe lexo katër librat e parë të Testamentit të Ri (ungjijtë e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit). Nënvizo aty çdo pyetje që bën Jezusi. Askush nuk ka qenë më i aftë se Ai në përdorimin e të pyeturit për të trajnuar, udhëhequr, frymëzuar dhe inkurajuar.

 

Po deshe të mësosh të bësh diçka mirë, atëherë mëso nga përvoja e më të mirit!

 

© 2010, Purpose Driven Life. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Adaptuar nga një shkrim i Dr. Rick Warren, autor i shumë librave, përfshirë edhe të shumëvlerësuarin “The Purpose-Drive Life”, i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe është shitur në mbarë botën. Ky libër afirmon rëndësinë e të pasurit të një qëllimi të qartë në jetën e përditëshme. Eshtë nominuar si një ndër 100 librat e krishtere që ndryshuan shekullin e XX. Ai ka shkruar gjithashtu edhe librin “The Purpose-Driven Church”.

 

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje ose kërkesa drejtohuni tek : www.cbmcint.org

Reflektim / Pyetje Diskutime

  1. Dr. Warren flet për rëndësinë e të pyeturit. Si e bën ti këtë? A të rastisin njerëz që të të bëjnë ty pyetje?
  2. Cilat janë arësyet që disa njerëz ngurrojnë të bëjnë pyetje?
  3. A e praktikon të pyeturit me qëllim që të përfitosh nga përvoja dhe mençuria e të tjerëve? Pse, ose pse jo?
  4. Cila është pyetja më e rëndësishme që ke bërë ndonjëherë? Shpjegoje përgjigjen.

 

Shënim: Ja edhe disa pasazhe të tjerë biblikë në që kanë lidhje me këtë temë:

Fjalë të Urta 6:20-23, 11:14, 13:13-14, 15:12,22, 19:27, 24:5-6, 27:9,17; Mateu 16:13-20

0 komente:

Post a Comment