headerphoto

“PUNA” KËRKON MË SHUMË PROMOVIM

MANNA E SË HËNËS
5 Shtator, 2011

 

Nga Robert J. Tamasy

Ky edicion i Manna-s është llogaritur që të mbërrijë në postën tuaj elektronike, kudo ku ndodheni nëpër botë, në ditën që në SHBA kremtohet si “Dita e Punës. Kjo ditë kremtohet njëkohësisht edhe në disa vende të tjera si në Australi, Kanada, Xhamajkë, Zelandën e Re, Trinidad & Tobago dhe Siri. Festa u krijua për të promovuar rëndësinë e punës dhe përpjekjeve për zhvillimin e këtyre vendeve. (Nga kjo pikëpamje tingëllon pak ironik fakti që në Ditën e Punës njerëzit bëjnë pushim!)

Koncepti “punë” nuk e ka fort të mirë namin. Në shumë raste puna konsiderohet si një “e keqe e domosdoshme”. Njerëzit mezi presin që të mbarojnë javën e punës dhe të shfrytëzojnë fundjavën për të bërë atë që zgjedhin vetë, duke qenë të çliruar nga afatet, disiplinat dhe sidomos nga humori i shefave.

Një miku im ka pas thënë: “E dua punën, mund të rri gjithë ditën e të shoh se si punojnë të tjerët.” Përkthimi: Puna është diçka që më mirë ta bëjnë të tjerët se sa ta bësh vetë. Megjithëse i kuptueshëm, ky lloj qëndrimi ndaj punës është i pashpresë sepse ai mohon lavdinë që vjen prej saj dhe virtytin e të qënit punëtor

Aspektet më pozitive në lidhje me punën i trajton Bibla, libri përherë aktual. Ja disa nga këndvështrimet që na jep ai:

· Puna krijon një mënyrë produktive për të harxhuar kohën dhe energjitë. Në rast se nuk do të ishte puna, si do të mund të kalohej pjesa e 24 orëshit që nuk zihet me gjumë e me të ngrënë? Mendo pastaj se sa kënaqësi ndjen pasi ke kryer më së miri një punë të caktuar. Prandaj: “për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë e të gjejë gëzim në punën e tij” (Predikuesi 2:24).

· Puna na jep mundësinë që të shfrytëzojmë talentet dhe dhuntitë tona. Secili prej nesh është i përshtatur për të bërë një gamë të caktuar punësh, të cilat jo kushdo mund t’i bëjë aq mirë sa ai që është i përshtatur për to. “Të përlëvdoj (o Zot)sepse jam krijuar si një mrekulli e frikshme” (Psalme 139:14). “Trupi është një dhe ka shumë gjymtyrë dhe, megjithëse gjymtyrët janë shumë, ato formojnë një trup” (1 Korintasve 12:12).

· Puna na jep mundësi të plotësojmë nevojat tona dhe ato të të dashurve tanë. Gjithnjë e më shumë shoqëria njerëzore kujdeset për njeriun, por mbetet ende aktuale thënia se “Bota nuk ta ka borxh të jetuarit në begati”. Ne duhet të mbajmë mbi shpatulla përgjegjësinë për të plotësuar nevojat tona dhe për të përmbushur detyrimet financiare. “Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe, për më tepër, për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.” (1 Timoteut 5:8).

· Puna na jep mundësi t’u shërbejmë të tjerëve. Kudo që punojmë - shesim kompjutera, shërojmë sëmundje, shkruajmë libra, ndërtojmë shtëpia, rrisim pemë apo riparojmë makina – puna jonë ndikon në përmirësimin e jetës së të tjerëve. “Sigurisht, ju o vëllezër e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë; punuam natë e ditë që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush teksa ju shpallnim ungjillin e Perëndisë ” (1 Thesalonikasve 2:9).

· Puna i sjell lavdi Perëndisë. Në punë e sipër ne njohim Perëndinë si burimin e gjithçkaje – intelektit tonë, aftësive tona, mundësive që na ofrohen dhe motivimit që kemi. Nëpërmjet punës ne e nderojmë Perëndinë. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë e me vepra, bëjeni në emër të Zotit Jezus…Dhe çdo gjë që të bëni, bëjeni prej shpirtit, si për Zotin dhe jo për njerëzit…sepse ju i shërbeni Zotit Krisht (Kolosianëve 3:17,23-24).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan, 1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A. TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

 

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Çfarë qëndrimi mban ndaj punës? Pozitiv apo negativ? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Sipas teje, pse shpesh fjala “punë” ngjall reaksione negative? Cilat janë disa nga aspektet më të mërzitshme të punës që bën ti?
  3. Si mendon se mund ta ndryshosh qasjen tënde ndaj punës në mënyrë që ta bësh atë më të këndshme e produktive? A mendon se është e mundshme kjo? Pse, ose pse jo?
  4. Çfarë mendimesh të lindin duke lexuar këshillat e Biblës në lidhje me punën, që jepen në këtë Manna të së Hënës?

 

SHËNIM: Po ta kesh Biblën, mund të lexosh edhe pasazhe të tjerë që kanë lidhje me këtë temë, si p.sh:

Fjalë të Urta 10:4-5, 12:11,24, 18:9, 22:29, 27:18; 1 Korintasve 3:8-9; 2 Korintasve 6:1

0 komente:

Post a Comment