headerphoto

TË RUASH KAPITALIN MË TË ÇMUAR

MANNA E SË HËNËS
29 Gusht, 2011

 

Nga Jim Lange

Bashkë me familjen po shkonim me makinë në Florida për pushime. Rrugës, ime shoqe vuri re një tabelë të ngjitur në pjesën e pasme të një kamioni të gjatë, në të cilën shkruhej: “Vlera më e madhe e kompanisë sonë është ulur 30 metra më përpara” (ishte fjala për shoferin e kamionit). U mrekullova nga ky mesazh. Në këto kohra, kur dominon etja për fitime, paska ende kompani që vlerësojnë vërtet punonjësit e tyre!

Më pas m’u kujtua një bisedë që pata bërë me një mikun tim, dy vjet më parë. Asokohe isha jashtë mase i stresuar dhe më dukej vetja i paaftë për të bërë diçka me vlerë. Kisha vënë të gjitha forcat për t’u bërë më produktiv.

Vendosa t’i telefonoj Al-it, mikut tim, të cilin e kisha edhe si punë mentori, sepse ishte njeri me botë të pasur shpirtërore. E pyeta: “Al, ti je shumë më i zënë me punë se mua. (Ai është pronar i shumë kompanive dhe udhëton gjithandej nëpër botë). Si ia bën kur, në fund të ditës, sheh se nuk ke mundur t’i plotësosh të gjitha gjërat që kishe planifikuar?

Çdo takim me njerëzit është i rëndësishëm Al-i buzëqeshi dhe m’u përgjigj: “Xhim, Perëndia ma ka bërë të qartë prej kohësh këtë gjë. Edhe mua më pëlqen progresi dhe kënaqem kur kryej punët që dua, por Perëndia më ka mësuar se njerëzit dhe mardhëniet me ta janë kryesoret. Prandaj, kur dikush nga punonjësit vjen në zyrën time (gjë që ndodh shpesh), unë lë mënjanë gjithçka që jam duke bërë dhe përqëndrohem te problemi i tij. Unë mendoj se Perëndia ma sjell atë person përpara pikërisht në atë moment për një arsye – ose që ai të pasurojë jetën time ose që unë të pasuroj të tijën. Gjithmonë kam parasysh që t’ia lë personit në fjalë iniciativën për ta mbyllur bisedën duke i dhënë atij aq kohë sa i duhet për t’u shprehur dhe për t’u sqaruar

U habita. M’u kujtua se sa shpesh unë kam bërë të kundërtën, madje edhe me njerëzit e familjes. Shprehjet e mia kanë qenë këto: “Nuk kam kohë tani të flasim. Jam i zënë me gjëra më të rëndësishme!”

Al-i bëri edhe një koment të fundit: “ Në qoftë se unë e nderoj Perëndinë duke iu kushtuar kohë njerëzve, atëherë Perëndia do të kujdeset që punët e mia të kryhen më së miri.”

Këto fjalët e fundit më habitën edhe më tepër akoma. Gjeta problemin tim: mungesën e besimit. Shpesh kam më shumë besim te vetja se sa te aftësia e Atit tonë Hyjnor për të më dhënë forcë për të kryer punët. Pikërisht, për shkak të kësaj “zhvendosjeje të besimit” unë shpesh ve punën para mardhënieve njerëzore.

Ky ishte një konstatim dramatik për mua që kam si qëllim të ndihmoj njerëzit që të bëhen të denjë për misionin që u ka caktuar Perëndia në jetë. Kuptova se kjo nuk mund të arrihet pa vlerësuar mardhëniet me njerëzit dhe unë këtë gjë nuk e kam bërë si duhet. Biseda e shkurtër më Al-in ma solli mendjen në vend.

Mardhëniet me njerëzit janë më të rëndësishmet. Në punë, në familje e kudo njerëzit janë kapitali më i çmuar. Kjo duhet mbajtur parasysh vazhdimisht. Prandaj Jezusi u tha pasuesve të tij: “Atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:21). Po ti? A vlerëson punën apo karierën më shumë se sa njerëzit që Perëndia të sjell para teje?

© 2011 nga Xhim Lange. Xhimi është president sektori në Truth@Work (www.christianroundtablegroups.com), një shërbesë për njerëzit atje ku punojnë. Ai shkruan rregullisht në blogun e tij, www.5feet20.com, dhe është autor i librit Bleedership: Biblical First-Aid for Leaders. Ai dhe familja e tij jetojnë afër Toledos, Ohio, U.S.A.

CBMC INTERNATIONAL: President Robert Milligan

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Për pyetje ose lajmërim për ndryshim adrese drejtohuni: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ka kuptim shprehja “punonjësit janë kapitali më i çmuar” atje ku ti punon? Mundohu ta shpjegosh sa më gjerë përgjigjen.
  2. A mendon se në punën tënde të përditëshme duhet të përfshish edhe ndërveprimin me njerëzit. Ky ndërveprim të ndihmon apo të pengon?
  3. Al-i thotë se, kur dikush nga punonjësit hyn në zyrën e tij (gjë që ndodh shpesh), ai lë mënjanë gjithçka që është duke bërë dhe përqëndrohet te problemi i punonjësit. Çfarë mendon për filozofinë e këtij qëndrimi? Të duket realiste kjo gjë? Pse ose pse jo?
  4. Çfarë bën ti sot me ndërgjegje për të zhvilluar dhe forcuar mardhëniet me njerëzit. Çfarë ndryshimesh duhet të bësh në veten tënde?

 

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do të deshe të shikoje pasazhe të tjera mbi këtë temë, drejtoju vargjeve si më poshtë:

Fjalë të Urta 17:17, 18:24, 27:23-27; Mateu 7:12; Lluka 6:31; Gjoni 15:13; Efesianëve 6:5-9

0 komente:

Post a Comment