headerphoto

A JE GATI PËR TU SHNDËRRUAR NË NJË TI TJETËR?

MANNA E SË HËNËS
22 Gusht, 2011


Nga Robert J. Tamasy

A të pëlqen variacioni në jetë? Ai është i shumëllojshëm. Mund të ketë të bëjë me ndryshimin e mobilimit të shtëpisë, me ndryshimin e llojit të biznesit dhe të formave të organizimit brenda tij, ose thjesht, me dëshirën e dikujt që kohë pas kohe të ndryshojë punën, kompaninë, madje edhe llojin e karrierës.

Ndryshimi është i pashmangshëm. Ai ndodh pavarësisht dëshirës tonë. Shikoni motin, për shembull. Kam jetuar në qytete ku brenda ditës moti ndryshonte aq shpesh sa përdorej shprehja:” Në rast se nuk të pëlqen moti aktual…prit vetëm një minutë.” Ndryshime të vazhdueshme ndodhin në ekonomi, në politikë, në shijet e njerëzve, kudo dhe në çdo kohë.

Disa nga ne e kanë të lindur tolerancën ndaj ndryshimit, madje e presin atë me padurim. Disa të tjerë e kanë të vështirë ta pranojnë ndryshimin, aq më tepër kur ai nuk përputhet me dëshirat e tyre. Kur vjen puna te biznesi, te teknologjitë dhe format e reja të organizimit, këta dy grupe njerëzish reagojnë secili sipas mënyrës së vet. Disa i përqafojnë shpejt ndryshimet, kurse disa të tjerë iu kundërvihen atyre me forcë të madhe.

Mua më pëlqen ndryshimi sidomos kur kam rastin të jap kontributin tim në këtë proçes. Por nganjëherë ndodh që të të imponohen ndryshime të papritura dhe të menjëherëshme për të cilat nuk merret në konsideratë as mendimi dhe as interesi yt. Këto lloj ndryshimesh janë shqetësuese.

Tema e ndryshimit është mjaft e pranishme në Bibël. Në Testamentin e Vjetër ka shumë shembuj të njerëzve që, kur Perëndia i thërret në shërbim të tij, detyrohen tu nënshtrohen ndryshimeve dramatike. Në Testamentin e Ri flitet shpesh për ndryshim të brendshëm që shkaktohet nga forcimi gradual i mardhënieve të drejtpërdrejta me Jezu Krishtin. Në kontekstin e shekullit të 21 kjo do të thotë se përkushtimi shpirtëror ndikon në mënyrën se si jetojmë, si punojmë dhe se si i ndërtojmë mardhëniet me njeri tjetrin.

Të bëhesh njeri i ri. Shkrimet e Shenjta na mësojnë se, të kesh mardhënie me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, do të thotë të përftosh cilësi të reja në jetën tënde. “Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan, ja, të gjitha u bënë të reja!” (2 Korintasve 5:17). “U kryqëzova bashkë me Krishtin dhe tash nuk jetoj më unë, por Krishti në mua…” (Galatasve 2:20).

Të thyesh zakonet e vjetra. Përpjekjet për të qenë i bindur ndaj Perëndisë për përgjegjësitë e tua në punë e në jetë, shpesh kërkojnë ndryshim të plotë dhe jo thjesht modifikim të zakoneve të vjetra. “…’Askush nuk vë një copë rrobe të re mbi një rrobë të vjetër… dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re do t’i plasë kacekët…por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dy ruhen’” (Lluka 5:37).

Të vetndërtohesh si vepër e re e Perëndisë. Bibla na mëson se Perëndisë i pëlqen ndryshimi dhe ka dëshirë që ne të jemi pjesë e tij. “Ja, po bëj një gjë të re; ajo po fillon të duket; nuk e shikoni? Po hap një rrugë në shkretëtirë dhe po sjell rrymën e ujit në vende të thara” (Isaia 43:19).

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,

1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.

TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org

Ju lutemi adresoni cdo kerkese tek: www.cbmcint.org

 

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Si reagon zakonisht ndaj ndryshimit? E pret atë me entusiazëm apo me hezitim apo edhe me frikë? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Cili ka qenë ndryshimi që të ka “lodhur” më shumë në jetën tënde? Cilat qenë pasojat? Në qoftë se ato kanë qenë pozitive, a të ndihmuan të krijoje një ide të re mbi vlerat e ndryshimit?
  3. Ku lexon se, të kesh një mardhënie me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, bëhesh njeri i ri, a ka kuptim kjo për ty?
  4. Të thyesh zakonet, sjelljet dhe mendimet e vjetra: A e ke pasur të vështirë ta bëje? A parashikon nevojën për ndryshime të tjera në veten tënde dhe, a të duket i vështirë realizimi i tyre

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të dish më shumë mbi këtë temë, mund të lexosh pasazhet e shënuara më poshtë:

Romakëve 6:4,11, 7:6; Efesianëve 4:20-24; 1 Pjetri 2:2; 1 Gjoni 2:7-8; Zbulesa 21:1-5

0 komente:

Post a Comment