headerphoto

TË BËHESH I MADH DUKE NDIHMUAR TË TJERËT QË TË BËHEN TË MËDHENJ

MANNA E SË HËNËS
11 Korrik, 2011

Nga Rick Boxx

Duke bërë hulumtime në lidhje me “udhëheqësin shërbyes”, lexova një thënie të profesoreshës J. Carla Northcutt: "Qëllimi i shumë liderëve është që t’i bëjnë njerëzit të kenë më shumë respekt liderin. Qëllimi i liderëve të mëdhenj është që t’i ndihmojnë njerëzit që të kenë me shumë respekt për veten e tyre”. Ja vlen të ndalemi pak mbi këtë thënie.

Në mjediset e sotme të biznesit dhe botës profesionale ndodh shpesh që termi “lider shërbyes” të zbërthehet: “Unë jam lideri – ti je shërbyesi. Do bësh ashtu si them unë!” Por, siç ve në dukje Dr. Northcutt, një lider i vërtetë nuk dallohet nga ajo që bën vetë, por nga ajo që bëjnë të tjerët nën udhëheqjen e tij.

Që të ndihmosh të tjerët që të bëjnë përpara në karrierën e tyre, duhet te kesh një ndjenjë të fortë sigurie në vetvete dhe dashuri për njerëzit. Një udhëheqës i vërtetë “shërbyes” është vazhdimisht në kërkim të mundësive për tu kujdesur për të tjerët dhe për t’i inkurajuar ata në rrugët e tyre të jetës profesionale.

Shumë liderë, të pasigurt në pozicionin e tyre ose te trembur nga fakti se dikush që punon mirë synon t’iu zërë vendin, e kanë mendjen që si e si vartësit të punojnë në dobi të forcimit të imazhit të tyre (liderëve). “Detyra juaj është që të punoni që unë të kem rezultate të mira”, u thoshte një lider vartësve të tij. Por, a mundet që një mentalitet kaq egocentrik t’i frymëzojë të tjerët që të japin maksimumin në punë? A nuk mund të bëhesh i madh duke ndihmuar edhe të tjerët që të bëhen të mëdhenj?

Bibla e trajton këtë çështje në shumë variante. Apostulli Pal, një nga liderët e parë të kishës së hershme, e kuptoi shumë mirë këtë parim. Te 1 Korintasve 10:24 ai i këshillon kështu ithtarët e tij: "Askush të mos shohë interesin e vet, por të tjetrit". Ky tingëllon si një ideal vërtet frymëzues, por a është ai i zbatueshëm në botën e sotme të biznesit, ku parulla e ditës është “çfarë ke bërë ti për mua” dhe aspak “çfarë kam bërë unë për ty”.

Megjithëse është shkruar më shumë se 2000 vjet më parë, Bibla na tregon se ky është shumë më tepër se sa një ideal i zakonshëm. Ai duhet të jetë objektiv numër një i liderëve të vërtetë. Diku, në Testamentin e Ri, apostulli Pal shkruan: “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por, me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se veten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe për atë të të tjerëve.” (Filipianëve 2:3-4).

Një apostull tjetër, Pjetri, që ishte një nga ithtarët e parë të Krishtit, i mbështeti këto fjalë kur tha: “Përuluni dorës së fuqishme të Perëndisë që Ai t’ju lartësojë në kohën e duhur” (1 Pjetri 5:6). Me fjalë të tjera, në qoftë se do që të bëhesh një lider i mirë, kërko mënyra për t’iu shërbyer dhe për t’i ngritur sa më lart ata që janë rreth teje. Në këtë proces edhe figura jote do të ngrihet gjithnjë e më lart nëpërmjet arritjeve të atyre që ti udhëheq.

Lideri më i madh i kohërave, Jezu Krishti, jo vetëm që e ka shprehur me fjalë besimin e tij te koncepti i “udhëheqjes duke shërbyer”, por edhe e ka mishëruar atë në mënyrën më frymëzuese: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.” (Marku 10:45).

Në qoftë se ky parim ka qenë i rëndësishëm për Jezusin, s’ka pse të mos jetë i rëndësishëm edhe për ne.

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i Krishterë. Për të ditur më teper mbi Integrity Resource Center (IRC), ose për të përcaktuar se në cfarë mase ti vetë i ndjek parimet e Perëndisë në biznesin tënd, provo pa pagesë testin FIRE në vebsajtin www.integrityresource.org.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan 1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A. TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Si e kupton ti konceptin e “liderit shërbyes”?
  2. A sheh shembull të liderit shërbyes atje ku punon? Në qoftë se je vetë drejtues, a mendon se punonjësit të shohin si drejtues shërbyes? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Pse mendon se parimi i liderit shërbyes është një parim i vështirë për tu zbatuar në praktikë?
  4. Cilat mund të jenë disavantazhet që krijohen kur ti përpiqesh që të jesh sa më shërbyes duke menduar vazhdimisht “për të mirën e të tjerëve” ?

Shënim: në rast se e ke Biblën dhe do deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Psalme 2:11; Lluka 22:24-27; Gjoni 12:26; Efesianëve 6:5-9; 1 Pjetri 2:13-21

0 komente:

Post a Comment